Kapiteni i korçarëve flet pas humbjes ndaj Laçit, Frashëri: Skënderbeu ka kualitete, do rikthehemi te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 11:02

Kapiteni i korçarëve flet pas humbjes ndaj Laçit, Frashëri: Skënderbeu ka kualitete, do rikthehemi te fitorja

 

Skënderbeu është mundur në Laç duke provuar sërish shijen e humbjes. Bardhekuqtë vinin pas dy fitoreve radhazi, por kurbinasit kanë rikthyer edhe njëherë tjetër me “këmbë në tokë” korçarët. Një start sezoni me luhatje për ekipin e Ivan Gvozdenoviçit, pasi në 8 javët e para regjistron 4 fitore dhe 4 humbje.

frasheri

Gjithsesi, duke parë vendin në tabelën e renditjes, mund të quhet një pozicion i rehatshëm për Skënderbeun pasi aktualisht janë në vendin e 4-t me 12 pikë dhe shkojnë në pushimin e kombëtareve jo të mërzitur. Për kapitenin e skuadrës, Erlis Frashërin, situata në ekip është e qetë, pavarësisht humbjes me Laçin. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” Frashëri thekson se skuadra ka kualitete për të bërë edhe më mirë nga sa ka bërë deri tani.

“E nisëm kampionatin mjaft mirë, por më pas patëm një moment të vështirë me ato 3 humbje radhazi. Për fatin e mirë dhe falë punës që kemi bërë të gjithë si grup arritëm të reagonim në momentin e duhur dhe fitorja ndaj Erzenit dhe Partizanit na riktheu qetësinë. Më vjen keq që kemi humbur në Laç, pasi kemi luajtur mirë, por futbolli i tillë është dhe i ka të tria rezultatet”, u shpreh fillimisht mbrojtësi bardhekuq. Ndërkaq, sa u përket objektivave dhe vazhdimësisë në kampionat, Frashëri deklaron se Skënderbeu do t’i marrë ndeshjet një nga një dhe do të kërkojë gjithmonë maksimumin. “Jemi një grup me lojtarë kryesisht të rinj që ende po ambientohemi me lojën e njëri-tjetrit.

Unë e them me zë të lartë se ky Skënderbe i këtij sezoni ka kualitete të mëdha dhe mund të bëjë shumë gjëra të mira. Fryma që mbizotëron në skuadër është më e mira dhe kjo na favorizon. Ne nuk i kemi vendosur vetes objektiva, por di të them që do të shkojmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin pasi dëshira dhe grinta nuk na mungojnë. Besoj se do të kthehemi te fitorja ndaj Vllaznisë”, ka thënë Frashëri, i cili po luan sezonin e tij të tretë pas rikthimit te Skënderbeu. Ai po kalon një moment mjaft të mirë në aspektin personal dhe shihet nga trajneri Gvozdenoviç si një pikë e fortë në mbrojtje.

LLAZI SARO -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"