Kapiteni i Besës, Skerdian Perja: Është koha të marrim përgjegjësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 16:56

Kapiteni i Besës, Skerdian Perja: Është koha të marrim përgjegjësi

Për kapitenin e Besës, Skerdian Perja, në situatën që ndodhet ekipi, çdo premtim apo fjali, është e tepërt. Sipas tij, i gjithë faji shkon vetëm për skuadrën, që nuk ka ditur të marrë atë që i ka takuar, edhe pse ka djersitur shumë. “Kurrë nuk kemi pasur këtë situatë te Besa! Kjo nuk na falet. edhe pse realisht nuk kemi luajtur dobët.

Perja Besa

Futbolli është edhe lojë gabimesh dhe fatkeqësisht jemi ne ata që kemi gabuar. Prandaj them se fjalët nuk vlejnë më. Ne asnjëherë nuk jemi dominuar nga asnjë kundërshtar, por ata kanë ditur të përfitojnë nga gabimet tona. Kjo nuk duhet të ndodhë ndeshje pas ndeshjesh. Ne futbollistët duhet të marrim mbi supe këtë përgjegjësi dhe të mos lëmë që djersa jonë të na ikë kot nga duart”, ka thënë Perja për “Panorama Sport”.

Në fakt, vetëm para 3 ditësh Besa përsëriti gafat në fundin e lojës, kur la një pikë të artë në Lushnjë. Në këtë sfidë ishte vetë Perja që barazoi shifrat në minutën e 89-të, por në shtesë vendësit shënuan sërish. Këtë të shtunë, Besa do të presë Apoloninë. Kapiteni kavajas e vlerëson ekipin fierak, por thekson se skuadra e tij është e dënuar për të fituar. “Apolonia mbetet ndër ekipet që pretendon Superioren dhe kërkon jo vetëm vlerësim maksimal, por edhe sakrifica. Duhet të jemi të përqendruar, të kujdesshëm deri në fund.

Kemi pësuar aq shumë, sa të nxjerrim mësime. Uroj që duke nisur nga unë dhe çdo lojtar tjetër të hyjë në fushë me besim të plotë se duhet luftuar fort. Duhet të japim maksimumin nëse duam të kthehemi te fitoret, që sot më shumë se kurrë na duhen. Prandaj them se kemi gabuar mjaft. Tani ndaj Apolonisë kurrsesi nuk na falet të mos fitojmë”, përfundoi Perja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"