Kapiteni i Besës kthehet me ide të qarta pas dëmtimit: “Malore” në Pukë, duhet të tregohemi cinikë para portës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2022 | 10:04

Kapiteni i Besës kthehet me ide të qarta pas dëmtimit: “Malore” në Pukë, duhet të tregohemi cinikë para portës

Fitorja me Lushnjën ka risjellë qetësi në kampin verdhezi. E megjithatë, vend për rehati nuk ka. Kampionati ka hyrë në një fazë ku çdo gabim kushton. Dhe këtë më së miri e dinë te Besa. Kjo javë i çon në Pukë kavajasit, atje ku i pret Tërbuni.

besa

Në ndryshim nga dy ndeshjet e fundit, stafi teknik do të ketë dy alternativa më shumë. Janë rikuperuar nga dëmtimet Dobjani në portë, Perja në mbrojtje dhe Osma në mesfushë.

KAPITENI – Një Besë më e plotë, natyrshëm që dhe synimet në këtë takim do t’i ketë më të mëdha. Në vitet e fundit, Tërbuni ka qenë një kundërshtar i vështirë për verdhezinjtë. Është ky shkaku që ekipi ka udhëtuar që dje pasdite drejt qytetit verior.

Për kapitenin Skerdian Perja, dueli do të jetë i luftuar dhe do të vendosin episodet dhe jo loja. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi jep edhe një porosi për ofensivën.

“Besa nuk ka çaluar kurrë në lojën e saj. Ndaj çdo kundërshtari edhe atëherë kur nuk kemi fituar, përsëri kemi dominuar. Tërbunin e njohim mirë dhe e dimë se, sidomos në Pukë, luajnë mirë. Ne jemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe jemi gati. Trajneri ka kërkuar nga ne, veçanërisht nga sulmuesit, të mos shpërdorojnë rastet flagrante. Nuk pres të dalim 10 herë para portës pukjane në raste të pastra, ndaj gjykoj se do të jenë episodet e veçanta ato që mund të përcaktojnë fatin teknik të takimit. Ne do të udhëtojmë me synim të qartë për të marrë një rezultat pozitiv. Nëse zbatojmë me përpikëri detyrat e dhëna nga Magani dhe luftojmë fort për çdo top, atëherë kam besim se mund t’ia dalim. Thjesht të tregohemi cinikë e pragmatistë në rastet që do të krijojmë dhe të gabojmë sa më pak në prapavijë”, përfundoi Perja.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"