Kapiteni Hysko: Prestige ngjitet si kampion në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 9:50

Kapiteni Hysko: Prestige ngjitet si kampion në Kategorinë e Dytë

Kategoria e Tretë këtë fundjavë do të zhvillojë ndeshjet e fundit të fazës së parë në të dyja grupet.

428423989_18222213595260180_105894022519480178_n

Skuadra e Prestige prej dy javësh ka marrë kreun e Grupit A dhe ka nisur shkëputjen nga rivalët me qëllimin e vetëm, ngjitjen direkt në Kategorinë e Dytë. Të dielën Prestige do të presë Përmetin në kompleksin “Internacional” në Pezë në orën 20:00. Kapiteni i Prestige, Glibert Hysko, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se ekipi nuk do të jetë i qetë derisa ngjitjen në të Dytën ta sigurojnë matematikisht.

Glibert, jeni kapiten i Prestige. Mund të na thoni diçka specifike rreth ekipit që merr pjesë për herë të parë në Kategorinë e Tretë?

Shiriti i kapitenit vlen shumë për mua dhe u jam mirënjohës drejtuesve të skuadrës për besueshmërinë. Kjo skuadër kërkon të shkruaj historinë. Presidenti i klubit,Fatmir Hysenbelliu, ka një projekt afatgjatë dhe po kërkon që ky ekip të shkruajë një histori tjetër, atë të futbollit 11×11 duke i marrë të gjitha nivelet një e nga një.

Keni vetëm një barazim gjatë këtij sezoni, në ndeshjen e parë. Ndoshta nuk ishit ambientuar me njëri-tjetrin në fillim…

Nuk mund ta quaj këtë dobësi të skuadrës. Lojtarët janë profesionistë, por ishin të përgatitur për të luajtur në fusha të vogla dhe kjo ishte vetëm ndeshja e parë. Më shumë e konsiderojë mungesë përvoje se sa një dobësi e skuadrës. Gjithsesi, tashmë ekipi është rritur dhe jemi brenda objektivave tona, drejt ngjitjes në Kategorinë e Dytë.

Përballja e radhës është Përmeti, që mbyll edhe fazën e parë. Me çfarë synimesh shkon Prestige në këtë takim?

Në letër duket si një takim i lehtë, por ne nuk e kemi konsideruar të tillë. Çdo takim e përgatisim si një finale pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Në çdo ndeshje hyjmë në fushë për fitore dhe ia kemi dalë. Takimi i radhës ka marrë gjithë vlerësimin tonë.

Fazën e parë e mbyllni në vendin e parë, që konsolidohet me një fitore ndaj Përmetit. A mendoni se e ka kryer detyrën ekipi?

Është vetëm njëra anë e medaljes. Për ne asgjë nuk është e përfunduar, ndaj do të luftojmë deri sa matematikisht të kemi siguruar ngjitjen në Kategorinë e Dytë. Synojmë të ngjitemi në këtë kategori si kampionë të së Tretës. Por, për këtë duhet shumë punë, duke fituar çdo takim. Duke nisur nga drejtuesit e klubit, stafi teknik dhe të gjithë lojtarët, kemi të njëjtin mendim e ide: Prestige të shkojë si një skuadër elitare në Kategorinë e Dytë. Jam optimist se kjo do të bëhet realitet shumë shpejt. Ne nuk ndalemi dhe vendin e parë në renditje nuk na e merr kush deri në fund.

A. DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"