Kaos total në Fier! Dibranët 11 minuta protestë, Çema shënoi në të 109’ dhe i hoqi fitoren nga duart Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 10:41

Kaos total në Fier! Dibranët 11 minuta protestë, Çema shënoi në të 109’ dhe i hoqi fitoren nga duart Apolonisë

Plot 112 minuta lojë për një pikë. Apolonia-Korabi u mbyll vërtetë në barazim, por prodhoi shumëçka. Katër gola, kartonë me bollëk dhe shumë… protesta.

apolonia

Kur u duk se ndeshja do të mbyllej në 1- 1 pas golave të Umejiegos në të 53-ën dhe T.Markut në të 73-ën, situata mori një rrjedhë të çmendur. Umejiego shënoi të dytin në të 89-ën, por vetëm vend për festë nuk pati nga ana e fierakëve. Dibranët nuk pranonin që të vijonin më lojën, në shenjë revolte. Pretendonin se ishte “off side” dhe pas plot 11 minutash iu desh zyrtarëve të FSHF-ë që t’i bindnin që të rinisnin takimin. Një ndërprerje që e zgjati këtë takim në ekstrashtesë. Nervi që miqtë kishin, nuk i la në baltë dhe kur kronometri shënonte të 109-ën minutë barazuan me Çemën.

PJESA E PARË – Takimi shkon aq qetë, aq sa duhet të vinte e 22-ta minutë për një rast konkret. Është Antoni që liron të djathtën brenda në zonë, por pa e mposhtur Qyranin. Fierakët marrin zemër dhe arrijnë të dalin edhe më shpejt në zonën kundërshtare, por Maksuti në të 30-ën gjen vetëm traversën. Kështu mbyllet pjesa e parë, që nuk prodhoi shumë. Të dyja skuadrat që kanë bërë pak në metrat e fundit.

PJESA E DYTË – Ka më shumë “vrull” pas pushimit. Si Apolonia, ashtu edhe Korabi kanë një “fytyrë” tjetër, veçse golin e parë do ta realizojnë fierakët. Pas një gabimi të Mziut në zonë, përfiton Maksuti në të 53-ën. Kroson në shtyllën e dytë, aty gjen Umejiegon. Sulmuesi realizon me kokë, e ka thjesht një lojë fëmijësh. Dibranët “zgjohen” dhe marrin kontrollin. Kanë aksione të shpejta, por që nuk finalizohen siç nga Kasalla dhe T.Marku. E megjithatë, në të 73-ën nuk falin. Mziu merr me forcë krahun e majtë, krijon hapësirë dhe asiston për T.Markun, që “zhytet” bukur me kokë dhe shënon për 1-1. Të pakënaqur me barazimin, fierakët hidhen në sulm dhe në të 89-ën e gjejnë golin e dytë.

Trifoni asiston mes linjave për Umejiegon, që kontrollon dhe me të djathtën gjen cepin e portës. Te Korabi shpërthejnë protestat ndaj anësorit Denis Memelli. E konsiderojnë këtë gol të parregullt dhe jashtë loje pozicionin e sulmuesit afrikan. Revolta zgjati me bollëk, por më pas u bindën që të rinisnin lojën. Shtesa zgjati 16 minuta dhe kaq u mjaftoi për të rivendosur baraspeshën. Në të 109-ën Çema i harruar në zonë, liron të djathtën dhe pllakos heshtjen në stadiumin “Loni Papuçiu”. Feston para pankinës vendëse dhe aty plas tensioni, por rezultati nuk zhbëhet më dhe gjithçka mbyllet në 1-1.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"