Kanë 10 javë pa fitore, klubi i Kategorisë së Parë fillon me spastrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 21:05

Kanë 10 javë pa fitore, klubi i Kategorisë së Parë fillon me spastrimet

Tomori nuk po gjen qetësi. Prej 10 javësh me radhë, nuk fitojnë dot një ndeshje dhe kjo ecuri i ka ngujuar në vendin e parafundit të renditjes. Gjatë gjithë kësaj periudhe maksimumi kanë shijuar vetëm dy barazime dhe dy pikë janë shumë pak për të shpresuar te mbijetesa. Paraqitjet zhgënjyese kanë detyruar klubin që të marrë masa ekstreme.

MixCollage-05-Dec-2023-09-05-PM-4649

Zyrtarisht kanë nisur edhe “spastrimet” në Berat dhe të parët që hapin lojën janë dy futbollistë të huaj: sulmuesi Aleksandre de Oliveira Macedo Xhunior dhe mbrojtësi Agami Hando. Braziliani dhe norvegjezi nuk kanë qenë në seancën e djeshme stërvitore duke i dhënë fund para kohe aventurës me beratasit.

Rendimenti i dobët dhe kontribut krejt i papërfillshëm në interes të skuadrës kanë çuar drejtuesit drejt këtij vendimi. Lojtarët e cilësuar si të panevojshëm, do të duhet që të hapin “krahun” pa u mbyllur viti kalendarik.

Për të mos lejuar hapësira ligjore, të cilat mund të rezultojnë fatale për klubin, drejtuesit kanë marrë të gjitha masat. Ata u kanë kërkuar lojtarëve që zgjidhja e kontratës të jetë e dyanshme dhe kështu ka ndodhur.

Trajneri Febron Ziu e pati deklaruar që gjatë javës së kaluar, se nga Tomori do të largohen jo vetëm futbollistët që nuk bindin, por edhe ata që nuk mbajnë dot presionin dhe as respektojnë detyrimin për t’u shërbyer fanellës dhe interesave të klubit.

“Panorama Sport” ka mësuar se stafi teknik po kërkon që të krijojë hapësirë për afrimet e reja. Puna për merkaton e dimrit ka filluar tashmë, ndonëse po veprohet në fshehtësi të plotë. Në Berat duket se shpresat i kanë varur totalisht te përforcimet.

Besojnë se me prurjet që do t’i bashkëngjitjen në janar, 2024-ta do të sjellë jo vetëm kthesën e madhe në rezultate, por edhe shpëtimin. Trajneri ka marrë garanci nga ana e bashkisë për këtë pjesë, ndaj edhe kërkimet kanë filluar.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"