Kamza prezanton italianin, De Vekis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2012 | 13:34

Kamza prezanton italianin, De Vekis

Në ambientet e brendshme të Bashkisë së Kamzës, kryetari i saj, Xhelal Mziu, së bashku me presidentin e klubit, Naim Qarri, kanë prezantuar përballë gazetarëve sportivë trajnerin e ri të këtij klubi, italianin Mauro de Vekis. Kryetari i bashkisë, Mziu, në fjalën e tij prezantuese, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e mediave, midis të tjerash tha: “Bashkë me presidentin e klubit, Naim Qarri, sot po bëjmë prezantimin e trajnerit të ri të ekipit të Kamzës, Mauro de Vekis. Me këtë rast dua të përshëndes të gjithë ekipin dhe ish-trajnerin Gjoka, për rezultatet e mira që kanë arritur deri tani. Kamzës, duke qenë një ekip dinjitoz, iu desh një drejtues i tillë. De Vekis, jo vetëm nga origjina e shtetit nga vjen, por edhe nga profesionalizmi i tij, na jep besim se me aftësitë që zotëron, do të arrijë objektivat që kemi si klub futbolli. Garantoj se së bashku me presidentin, Naim Qarri, do t’i japim mbështetje maksimale trajnerit. Gjithashtu, tifozët e Kamzës, duke qenë tepër të zjarrtë, e meritojnë të kenë një trajner të tillë dhe jam i bindur se do të bëjmë më të mirën për skuadrën tonë”.
Më pas e mori fjalën trajneri italian i Kamzës, Mauro de Vekis, i cili u shpreh: “Më vjen keq që nuk mund të flas dot në gjuhën tuaj. E kam kënaqësi që e kam marrë përsipër këtë detyrë, pas ftesës që më bëri presidenti i klubit dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës. Shpresoj të familjarizohem sa më shpejt me ekipin. Kamza ka arritur rezultate të mira gjatë fazës së parë. Është shpejt për të gjykuar për ekipin, pasi unë nuk e njoh shumë mirë atë dhe për momentin jam bazuar tek tabela e rezultateve, që kam parë. Besoj se mund të arrijmë rezultate edhe më të mira. Gjithsesi, koha është e mjaftueshme deri në përfundim të fazës përgatitore të dimrit për t’u përgatitur sa më mirë”.
Më pas, disa prej gazetarëve i drejtuan disa pyetje trajnerit të ri.
A keni stërvitur skuadër më të mirë se Kamza, deri tani?
Kur ta shikoj se sa e fortë është Kamza, do të jap një përgjigje më të saktë. Deri tani jo.
Cili ka qenë kontakti juaj i parë me futbollin shqiptar?
Kontaktet e para me futbollin tuaj i kam pasur me lojtarët shqiptarë, që luajnë në Itali, dhe me kombëtaren.
Çfarë stili trajningu keni dhe a do ta përdorni tek Kamza?
Unë kam stilet e mia të punës. Do të mundohem t’i përshtas tek Kamza për t’i përdorur gjatë kampionatit, sipas varianteve që do të na krijohen gjatë rrugës.
Keni objektiva reale me Kamzën?
Për këtë sezon, pas kontaktit me presidentin dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës, objektivi kryesor i ekipit është qëndrimi në kategori dhe renditja në mesin e tabelës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"