Kamza nuk ndalet, merr edhe Albi Çekiçin
Në një kohë që merkato po shkon drejt fundit te skuadra e Kamzës, nuk kanë të ndalur lojtarët e rinj që po afrohen që po përforcojnë ndjeshëm organikën e skuadrës së drejtuar nga Bledar Devolli, e cila sezonin e ardhshëm do të synojë të jetë pjesë e Kategorisë Superiore.

Albi Çekiçi
Pas Mario Morinës, kamzalinjtë që po zhvillojnë fazën përgatitore në Ohër kanë bërë pjesë të ekipit të tyre edhe pogradecarin Albi Çekiçi. Mesfushori ka spikatur me formën e tij te skuadra e Pogradecit dhe kjo ka mjaftuar që ai të marrë një ftesë nga ekipi kryeqytetas.
Futbollisti do të jetë një alternativë e mirë për mesfushën e Kamzës së bashku me lojtarët e tjerë që janë në dispozicion të Devollit. Por, bashkë me Çekiçin te skuadra e Kamzës po stërvitet edhe Spartak Elmazi, i cili sezonin e shkuar ka luajtur me Dinamon po në Kategorinë e Parë.

Spartak Elmazi
Elmazi ka një eksperiencë të gjatë në këtë kategori dhe trajneri Devolli ka vendosur që ta përfshijë në skuadrën e tij për sezonin e ri futbollistik. Aktualisht mesfushori është duke u stërvitur me ekipin në Ohër. Një tjetër emër që është bashkuar ditët e fundit me Kamzën dhe ka luajtur në miqësoren e dy ditëve më parë ndaj Skënderbeut është braziliani Leo Lelis.
Mbrojtësi ka luajtur te skuadra e të rinjve Videoton në Hungari dhe ka treguar një formë të mirë. 20-vjeçari ka treguar formë të mirë në sfidën me korçarët dhe mësohet të ketë firmosur me Kamzën për sezonin e ardhshëm futbollistik.













