Kampionati shqiptar në vendnumëro, ai i Kosovës “blindon” edhe një vend në Europa League

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2023 | 18:14

Kampionati shqiptar në vendnumëro, ai i Kosovës “blindon” edhe një vend në Europa League

Paraqitjet e skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare kanë lënë shumë për të dëshiruar në vitet e fundit dhe kjo ka bërë që kampionati shqiptar të zbresë rrezikshëm në renditjen e UEFA-s duke shkuar deri aty sa të vërë në dyshim edhe numrin 4 të skuadrave pjesëmarrëse në arenën ndërkombëtare.

Ballkani6

Për fat, me edicionet e fundit diçka ka lëvizur dhe ky rrezik është larguar, por gjithsesi, Superiorja mbetet në vendin e 47 mes 55 kampionateve të UEFA-s dhe ky padyshim nuk është një sinjal i mirë për futbollin tonë. Në kah krejtësisht të kundërt po ecën kampionati i Kosovës, i cili ka vetëm 7 vite pjesëmarrje të skuadrave të tij në arenën ndërkombëtare,

Në këto 7 vite, skuadrat kosovare kanë bërë aq mirë sa tashmë ky kampionat renditet në vendin e 32-të në Europë dhe kjo do të thotë se do të ketë përfitime mjaft të rëndësishme sa i përket ecurisë e rrjedhimisht edhe financave që përfitohen nga UEFA.

Për shembull, në dy sezonet e fundit, skuadrat fituese të Kupës së Kosovës kanë nisur rrugëtimin në Ligën e Konferencës në turin e dytë të turneut dhe jo në të parin, duke pasur mundësi më të mira e kohë më shumë për të përgatitur ndeshjet. Nga edicioni i ardhshëm, pozicionimi i kampionatit kosovar, i jep mundësinë që të ketë një avantazh tjetër dhe një skenë më të rëndësishme ku të tregojë veten. Falë shkallëve që ka ngjitur në renditjen e UEFA-s, ku mban vendin e 32-të, me ndryshimin e formulës së kompeticioneve duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Kosova do të ketë një ekip në kualifikuese në Ligën e Kampioneve, një ekip në kualifikueset e Ligës së Europës dhe 2 në Ligën e Konferencës.

Ky është padyshim një progres i jashtëzakonshëm në pak vite, që tregon krahun e kundërt në të cilin kanë udhëtuar skuadrat në dy kampionatet tona në këtë periudhë kohore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"