Kampionati dimëror i atletikës, triumf për Burrajn e Myrtollarin/ Shkodrani dhe korçarja më të mirët e aktivitetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 20:39

Kampionati dimëror i atletikës, triumf për Burrajn e Myrtollarin/ Shkodrani dhe korçarja më të mirët e aktivitetit

Në qytetin e Elbasanit u mbajtën garat e Kampionatit Individual Dimëror të Atletikës, në të cilën morën pjesë mbi 120 sportistë meshkuj dhe femra, nga 10 ekipe pjesëmarrëse, përfshirë edhe atletët nga Kosova.

ATLETIKE

Në fund të aktivitetit u evidentuan edhe fituesit, teksa atleti më i mirë për meshkuj u shpall Franko Burraj i Vllaznisë, i cili grumbulloi 1028 pikë olimpike. Ndërsa për femra atletja më e mirë u shpall Elisa Myrtollari e Skënderbeut, e cila grumbulloi 960 pikë olimpike. Në këtë event mungonte kampionia e Europës, Luiza Gega, e cila po zhvillon fazën përgatitore në Portugali, ndërsa dje në mbrëmje kishte garën në “Diamond League” në Karlsruhe.

GARAT – Sa i përket disiplinave me radhë, në atë të 60 metrave vendin e parë e zuri atleti i Vllaznisë, Leandro Çardaku, ndërsa te femrat Elisa Myrtollari e Skënderbeut. Durjan Idrizaj i Vllaznisë dhe Melisa Sina e Partizanit zunë vendin e parë në garën e 60 metrave me pengesa. Për të vijuar me atë të 400 metrave, me Franko Burrajn e Vllaznisë dhe Alesia Dautin e Tiranës, që e përshkuan këtë distancë me kohën më të ulët sesa rivalët e tjerë. Gara e 800 metrave i takoi dy sportistëve të Tiranës, Dionis Kushtës dhe Alesia Dautit. Tirron Mamusha i Elbasanit dhe Alisa Çiko e Skënderbeut zunë vendin e parë në garën e 1500 metrave.

Në kërcimin së larti për meshkuj doli i pari sportisti i Skënderbeut Milen Caco, ndërsa për femra kërceu më shumë Rexhina Bami e Partizanit. Atletët e Vllaznisë, Muhamet Çengeli dhe Erisa Rrasa të Vllaznisë zunë vendin e parë në garat e kërcimit së gjati. Në garat e trehapëshit vendin e parë për meshkuj e zuri Kolindo Kiri i Vllaznisë, ndërsa për femra Joana Hazisllari e Teutës. Sa i përket hedhjes së gjyles, Adriatik Hoxha i Teutës doli i pari për meshkuj, ndërsa te femrat ishte atletja e Mjeshtërisë Sportive, Klarisa Naçi.

FITUESIT

CANAJ – I pranishëm në këto gara në cilësinë e zv/presidentit të FSHA-së dhe aktualisht President i Komanduar, Ferdinand Canaj, u ndal edhe te pezullimi i kupolës drejtuese të kësaj federate dhe atletit Izmir Smajlaj, të tre të pezulluar nga Federata Botërore e Atletikës për manipulim rezultati. Sipas tij, të gjithë duhet të kemi durim, pasi bëhet fjalë për një çështje që ka shkuar në gjykatë. “Jam në dijeni nga shtypi, i cili ka bërë një publikim lidhur me pezullimin e tyre.

Çështja është kundërshtuar në gjykatë dhe duhet të presim me durim të gjithë që të zbardhet kjo çështje mes palëve. AIU-ja që ka bërë një hetim sipas tyre dhe kundërshtimet që bëjnë presidenti, sekretari dhe Smajlaj. Kjo është një çështje që edhe pse tërheq vëmendjen e opinionit, duhet të ketë durimin për ta pritur me qetësi vendimin e gjykatës”, u shpreh për mediat Ferdinand Canaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"