“Kampionate sharlatane, duhet t’i bllokojmë këto nisma”, Redi Jupi mesazh për skemën e re që ka projektuar federata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2022 | 20:58

“Kampionate sharlatane, duhet t’i bllokojmë këto nisma”, Redi Jupi mesazh për skemën e re që ka projektuar federata

Redi Jupi është kundër skemës së re për futbollin e moshave, që përjashton disa akademi për të marrë pjesë në kampionatet e moshave dhe këtë e tregon në një video të postuar në rrjetin e tij social, “Facebook”, teksa i bën thirrje komunitetit të futbollit për t’u mbledhur dhe për të mos lejuar që t’u shkelen të drejtat.

Redi Jupi

“Përshëndetje miq, prindër, futbollistë, fëmijë, familjarë, por edhe i gjithë komuniteti i futbollit të Shqipërisë. Ju lutem të keni mirëkuptimin dhe durimin për të më ndjekur në këtë komunikim që dua të ndaj me ju. Federata Shqiptare e Futbollit së fundmi ka ndërmarrë një nismm sipas projektit të tyre futbollistik, ‘Futbolli për Kombin’, për të ndryshuar dhe rishikuar skemat e futbollit të moshave në Shqipëri.

Sikur të mos mjaftonte e gjithë ajo katrahurë që kanë bërë me futbollin e të rriturve, tashmë duan t’i vënë dërmën edhe futbollit të moshave. Pa asnjë njoftim paraprak, pa asnjë diskutim me të gjithë aktorët, klubet, akademitë e futbollit, pa asnjë transparencë, pa asnjë publikim të kritereve dhe pikëzimeve, ata kanë përjashtuar shumë klube nga këto kampionate që ata duan të organizojnë.

Kanë përjashtuar shumë klube dhe akademi, të cilat kanë investuar paratë e tyre, paratë e familjes, kanë investuar kohën, mundin, djersën, pasionin e të gjithë fëmijëve. Në këto struktura dhe ambiente të gjithë këta prindër dhe fëmijë kanë investuar pasionin e tyre për të ushtruar atë që duan, futbollin, për një të ardhme më të mirë. Të gjitha këto klube janë përjashtuar, një prej tyre edhe ‘Football Republic'”, thotë fillimisht Jupi.

PËRJASHTIMI- Ish-lojtari i Dinamos dhe Kombëtares shpjegon se çfarë ka ndodhur konkretisht me këto skema të futbollit të moshave. “Sipas tyre, vjet, ne ishim të aftë të organizonim dhe të luanim në nivelet më të larta me të gjitha ekipet tona nga U-13 deri në U-19 dhe papritur për 10 ditë ne nuk plotësojmë kriteret për të marrë pjesë në këto kampionate sharlatane që këta duan të organizojnë. Nuk jemi vetëm ne në këtë situatë, por janë shumica e klubeve.

Siç e thashë edhe më përpara, nuk kanë bërë asnjë transparencë duke nxjerrë jashtë shumë klube që deri dje kanë marrë pjesë me meritë në ato kategori ku luanin, ndërsa sot papritmas janë jashtë. Kam një thirrje për të gjithë komunitetin e futbollit. ‘Football Republic’ dhe futbolli do të vazhdojnë të triumfojnë mbi çdo nismë të futbollit të kombit të një apo dy personave. Të gjithë ata që janë të përjashtuar nga kjo:

Ne duhet sa më shpejt të ndërmarrim nismat tona dhe t’i bllokojmë këto iniciativa të këtyre që janë pa fund dhe pa krye në mënyrë që t’i rikthejmë gjërat aty ku janë dhe të marrim të drejtën tonë. Çfarëdo që të bëjnë këta, nuk mund të shuajnë pasionin e fëmijëve. Kam parë këto ditë lot fëmijësh, kam parë lot prindërish, kam parë lot administratorësh, drejtuesish dhe trajnerësh. Ju ftoj të gjithëve, klube, akademi, ekipe, prindër, fëmijë, të mblidhemi të bëhemi bashkë, për të mos i lejuar që të na shkelin të drejtat. Faleminderit për vëmendjen”, ishin fjalët e Redi Jupit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"