“Kam frikë vetëm gjykimin, jemi ndëshkuar më shumë se askush”, Hoti rrëfen makthin para… Turbinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2022 | 9:37

“Kam frikë vetëm gjykimin, jemi ndëshkuar më shumë se askush”, Hoti rrëfen makthin para… Turbinës

Burreli e mbyll vitin në transfertë. Sot luajnë në Cërrik, atje ku i pret Turbina. Parashikohet një ndeshje e vështirë në “Nexhip Trungu”, për vetë gjendjen e kundërshtarit. E megjithatë, Renato Hoti beson se do t’ia dalin.

burreli

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shpreh edhe “frikën” e tij.

“E shoh të vështirë transfertën, për vetë pozitat ku ndodhet Turbina. Edhe pse po luajmë me vendin e fundit, nuk është se kam frikë nga ndeshja apo kundërshtari. Më shumë kam pasur dhe vazhdoj të kem nga ‘xhaketat e zeza’. Na kanë penalizuar si jashtë, ashtu edhe brenda fushës sonë. Ata sikur kanë mision të ndëshkojnë Burrelin, madje fare haptazi. Kjo, pasi dikujt i intereson. Do të isha shumë i kënaqur që të më mposhtë kundërshtari me lojë dhe do ta përgëzoja për këtë, por në asnjë mënyrë nuk pajtohem të më mposhtin gjyqtarët. Por pavarësisht kësaj ne do të luajmë për tri pikë dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Këtë e mbështes në atë çfarë po tregon ekipi në çdo ndeshje dhe dëshira e grupit për të fituar. Ne do të luajmë fort dhe ndershmërisht e do të jemi një pengesë jo e vogël për çdo ekip. Por e ripërsëris për të disatën herë, ne jemi ekipi që është ndëshkuar më shumë se çdo ekip tjetër në këtë kampionat, gjë e cila duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë’, përfundoi trajneri.

MARTIN DEDAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"