Kalendari aleat/ Dinamo me moral të lartë në sprintin final, blutë hoqën transfertat “e egra” dhe sfidat me pretendentët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 13:40

Kalendari aleat/ Dinamo me moral të lartë në sprintin final, blutë hoqën transfertat “e egra” dhe sfidat me pretendentët

Një pikë pas Skënderbeut kryesues dhe dy pikë para Flamurtarit rival. Llogaritë janë të qarta. Vendi i tretë nuk garanton asgjë, ndaj dhe në kampin dinamovit e kanë të qartë se duhet minimalisht të ruajnë vendin e dytë për të qenë në Superiore sezonin e ardhshëm.

dinamo

Kanë mbetur edhe 6 ndeshje deri në fundin e kampionatit, ku hapi fals është i ndaluar. Përqendrimi i bluve është që të fitojnë gjashtë ndeshjet e tyre për të mos e komplikuar situatën.

Megjithatë, në sprintin final të Kategorisë së Parë Dinamo ka edhe ndonjë “aleat”, siç është kalendari. Më i mirë se ai i dy rivalëve, Skënderbeut dhe Flamurtarit.

Po ashtu, blutë kanë larguar edhe presionin që kishin para ndeshjes në Vlorë, kur ishin në vend të tretë dhe patjetër duhej të fitonin një shkallë në renditje.

KALENDARI – Dinamo nuk ka më ndeshje direkte me rivalët e saj, ka mbaruar punë si me Flamurtarin, ashtu edhe me Skënderbeun. Këto dy skuadra përplasen mes tyre në Vlorë në vazhdim të kampionatit dhe ky është një favor në letër për kryeqytetasit, të cilët mund të përfitojnë.

Skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti ka tri ndeshje në fushën e saj dhe tri në transfertë. Një tjetër favor i lehtë për blutë është se ata i kanë kaluar transfertat e “egra”, pra ndeshjet në ato fusha, ku është shumë e vështirë të marrësh pikë, kryesisht në veri.

Dinamo luan në Cërrik me Turbinën, në Lushnjë me ekipin vendës dhe në fund në fushën e Luzit 2008. Secila nga këto ndeshje ka vështirësinë e saj, por duhet thënë se janë terrene të mira dhe fusha ku luhet futboll.

Në “Selman Stërmasi” blutë do të presin së pari Korabin, një ndeshje kyçe kjo, pastaj Besën dhe Tërbunin. Edhe këto përballje nuk janë aspak të lehta, por Dinamo nuk mund të gabojë kurrsesi. Në fushën e saj ka falur mjaft pikë të rëndësishme.

MORALI – Një “aleat” tjetër i Dinamos në këtë pjesë të fundit të garës është edhe gjendja e mirë psikologjike. Morali pas fitores në Vlorë është rritur ndjeshëm dhe atmosfera në skuadër është mjaft pozitive.

Blutë kanë larguar presionin e madh që u krijua pas humbjes me Apoloninë në kryeqytet. Stafi teknik ka punuar i qetë gjatë këtyre ditëve dhe deri në ndeshjen e ardhës me Korabin pret që të ketë edhe një grup më të plotë.

Patrik Bardhi ka nisur stërvitjen me grupin dhe pritet të jetë i gatshëm ndaj dibranëve. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Redon Danajn. Janë dy lojtarë të rëndësishëm, të cilët mund t’i japin një dorë skuadrës në 6 javët e mbetura. Në dyshim mbetet mesfushori sllovak, David Ivan.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"