“Kalendar shumë i ngjeshur”, Çela para “derbit” me Apoloninë: E vështirë, por na duhen pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 9:40

“Kalendar shumë i ngjeshur”, Çela para “derbit” me Apoloninë: E vështirë, por na duhen pikët

Flamurtari kërkon edhe sot fitoren për ballë Apolonisë, që e pret në shtëpi në orën 14:00. Pas dy sukseseve radhazi edhe optimizmi në skuadër është i lartë. Për “Panorama Sport”, trajneri Emiljano Çela thekson se ka besim te grupi i lojtarëve, ndërsa nuk nguron të kujtojë se objektivi mbetet madhor.

Cela

”Gjendja e skuadrës është e mirë edhe pse brenda një jave kemi luajtur dy ndeshje dhe kjo është e treta. Patjetër që në këtë ndeshje ndoshta mund të bëjmë pak rotacion nga fillimi, por edhe gjatë ndeshjes. Pritshmëritë sigurisht që janë të mëdha, pasi Flamurtari nuk mund të kuptohet pa pritshmëri të larta. Është një klub që përpos emrit që ka dhe investimi është bërë i madh. Objektivat këtë vit dihen. Nuk kemi bërë asgjë deri tani. Madje kemi humbur në tri ndeshjet e para shtatë pikë. Kështu që thjeshtë në këto dy ndeshje kemi bërë një rikuperim të pikëve të humbura qoftë në tabelë, qoftë edhe në mentalitetin që ekipi duhet të ketë. Kam një grup të mirë lojtarësh. Të paktën 20 lojtarë që janë efektivë. Jam i sigurt që kushdo që të luajë do të japë maksimumin”, shprehet Çela.

“DERBI” – Trajneri Emiljano Çela e cilëson ndeshjen e sotme me Apoloninë si një derbi. Është i vetëdijshëm për vështirësinë e kundërshtarit, por nga ana tjetër mendon se vazhdimësia është shumë e rëndësishme.

“Ndeshja me Apoloninë është një ndeshje derbi. Është një ndeshje ku luajmë me një kundërshtar që është në pozicione të larta të tabelës. Patjetër që i dimë vështirësitë. Është një ndeshje që për ne, për vazhdimësinë ka shumë rëndësi të veçantë. Vlerësimi është maksimal nga ana e të gjithëve”, thotë trajneri.

TIFOZËT – Sot hyrja do të jetë falas për tifozët, që të jenë sa më të shumtë në një ndeshje tejet të rëndësishme për vlonjatët. Një ftesë vjen edhe nga trajneri Emiljano Çela.

“Unë u them lojtarëve gjatë gjithë kohës, që tifozëria vlonjate pret nga ne të japim maksimumin. Në qoftë se tifozët e shohin që ne jemi të përkushtuar dhe japim maksimumin në atë që bëjmë, patjetër që edhe ata mbështetjen do ta kenë më të madhe. Patjetër që kemi shumë nevojë për mbështetjen e tifozëve edhe në ndeshjen me Apoloninë”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"