Ka histori dhune, “internimesh” disamujore dhe… “supermarketi”/ Besa-Skënderbeu, kur ndeshjet nuk mbylleshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2022 | 22:25

Ka histori dhune, “internimesh” disamujore dhe… “supermarketi”/ Besa-Skënderbeu, kur ndeshjet nuk mbylleshin

Besa rigjen Skënderbeun. Vërtetë kanë luajtur në 2020-ën për llogari të Kupës së Shqipërisë, e megjithatë në kampionat kanë afro 9 vite që nuk përballen. E fundit herë përkon me prillin e 2014-ës, kur të dyja luanin në Kategorinë Superiore.

Besa Skenderbeu

Në fund të sezonit 2013-2014 kavajasit ranë në inferiore, për të mos u ngjitur më… E megjithatë, të martën do të “piqet” sërish me bardhekuqtë, këtë herë në Kategorinë e Parë. Si me asnjë kundërshtar tjetër, verdhezinjtë kanë shumë kujtime me korçarët.

Me ta gërshetohen përballjet e forta, golat e bukur, emocionet, dhuna, “internimet” dhe “zbrazja” e ekipit në merkato. Me një kontingjent “kavajas” Skënderbeu bëri edhe histori për 6 vite rresht, duke rrëmbyer disa tituj radhazi dhe shkëlqyer në Europë.

KUR NDËRPRITESHIN DHE DËNOHESHIN

Është një rast kur në stadiumin “Besa” ndeshja nuk është mbyllur, ndërsa një tjetër është mbyllur mes tensionit. Le ta nisim nga e para, e ndërprerë në të 88-ën minutë. Ishte java e parë e sezonit 2010-2011 dhe më konkretisht data 23 gusht, kur Besa priste Skënderbeun. Gjyqtar ishte Albano Janku dhe tifozëria vendëse kontestonte vendimet e kryesorit.Markviç bëri golin e vetëm të asaj ndeshjeje në të parën minutë shtesë të pjesës së parë.

BESA 23 GUSHT SKEDA

Kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në të 88-ën Cikalleshi ndalej në zonë dhe kërkohet penallti. Ka protesta dhe reagimi është aq i fuqishëm në tribuna, sa një lumë sendesh hidhen sende në fushë. Loja rinis dy herë, por goditet dhe anësori Ervis Rexha dhe me kaq mbyllet. Komisioni i Disiplinës masakron verdhezinjtë, duke “i internuar” të luajnë 6 muaj jashtë Kavajës. E njëjta gjë ngjau në sezonin 2013-2014.

Më 3 nëntor 2012 luhej java e 9-të e Kategorisë së Parë dhe pas një pjese të parë pa gola, Besa gjen zgjidhjen nga stoli. Mihani i sapofutur në të 67- ën shënon supergol, por as 10 minuta dhe Plaku barazon. Në të njëjtin moment Besa mbetet me një lojtar më pak, pas një stimulimi të Berishës (që merr të dytin të verdhë).

3 NENTOR BESA SKENDERBEU SKEDA

Në të dytën minutë shtesë, situata doli nga kontrolli. Në protestë të vendimeve të kryesorit Laver Alla, tifozët hedhin shishe dhe stola. Për pak sa nuk preket dhe anësori. Tensionet që u pasua me 6 ndeshje dënim nga Disiplina, që përkthehej me 5 muaj dhe gjobitej Ilir Daja (trajneri i asaj kohe) me 1 milion lekë të vjetër gjobë.

BESA SHËRBEU SI “SUPERMARKET”

Skënderbeu bëri histori duke thyer madje rekorde për vite me radhë, por në këto arritje një “meritë” ka edhe Besa. Korçarët i panë kavajasit si një “supermarket” duke marrë prej saj thuajse të gjithë formacionin duke nisur nga Shehi, Arapi, Fagu, Vrapi, Dhëmbi e më pas Berisha, Jashanica e të tjerë. Në krahun tjetër, largimi i këtyre “yjeve” do t’i kushtonte jo pak Besën.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"