Ka 19 vjet pa fituar, Luis Enrike kërkon të thyejë mallkimin ndaj Portugalisë: Kjo është finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 15:22

Ka 19 vjet pa fituar, Luis Enrike kërkon të thyejë mallkimin ndaj Portugalisë: Kjo është finale

Fati i grupit A2 në Ligën e Kombeve, aty ku bëjnë pjesë Spanja dhe Portugalia do të vendoset në takimin e fundit sonte në mbrëmje në Braga. Pas humbjes së Spanjës në fushën e saj me Zvicrën dhe suksesit të luzitanëve në Çeki, situata në grup është përmbysur dhe Spanjës i duhet patjetër fitorja në Portugali për të kaluar në fazën finale të kompeticionit.

LUIS ENRIKE 1

Megjithatë, për Spanjën e Luis Enrikes nuk do të jetë një shëtitje përballë Kristiano Ronaldos me shokë. “La Roja” nuk fiton në Portugali prej 19 vitesh, me suksesin e fundit që daton më 6 shtator 2003 në një miqësore të luajtur në Guimaraesh vetëm 16 kilometra larg Bragës (0-3). Ishte dita kur Fernando Torres dhe Hoze Antonio Rejes bënin debutimin me Spanjën, teksa në krahun tjetër ishin Luis Figo, Rui Kosta apo Fernando Kouto. Golat e Spanjës shënoheshin nga Eçeberria (12’), Hoakin Sançez (64’) dhe Tristan (76’).

Që nga ai takim, Spanja nuk ka mundur të fitojë më në tokën luzitane, me humbjen në vitin 2004 në Europianin e Portugalisë (1-0). Gjithashtu, Spanja numëron dhe humbjen 0-4 në vitin 2010, teksa në vitin 2020 arrinte një barazim 0-0. Por këto shifra nuk e trembin trajnerin e Spanjës, Luis Enrike. Gjatë konferencës për shtyp ai ka deklaruar se kjo ndeshje është si një finale për “Furinë e Kuqe”. Luis Enrike ka deklaruar mes të tjerave se skuadra e tij nuk ka asnjë justifikim nëse nuk ia del të sigurojë vendin e parë në grup, që kalon vetëm përmes fitores në Braga.

“Kemi një mundësi të artë për të siguruar vendin e parë në grup. Kjo është si një finale për ne dhe duhet ta shohim dhe ta luajmë si të tillë. E rëndësishme është që kemi mbërritur në ndeshjen e fundit me shansin për të fituar grupin. Ndaj do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur”, ka nënvizuar trajneri i Spanjës.

Luis Enrike ka vlerësuar jo pak dhe Portugalinë, por ai mendon se gjithçka është në dorën e skuadrës së tij. “Portugalia ka objektivat e saj, ne kemi objektivat tanë. Nuk dua justifikime nga kjo ndeshje”, tha ai. Sa për Botërorin në Katar, trajneri i Spanjës ka renditur Brazilin, Argjentinën nga Amerika e Jugut, ndërsa nga kombëtaret europiane ai sheh mes pretendentëve, Francën dhe Anglinë.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"