Junajtid rikuperon 4 lojtarë, Ten Hag: Do të shënojmë gola me Seviljen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2023 | 14:12

Junajtid rikuperon 4 lojtarë, Ten Hag: Do të shënojmë gola me Seviljen

Mançester Junajtid do të tentojë të presë një biletë në gjysmëfinalet e Ligës së Europës kur të përballet sot me Seviljen në ndeshjen e kthimit në “Ramon Sanchez-Pizjuan”.

Erik-ten-Hag-Man-Utd

Pasi shpërdoroi një avantazh 2-0, duke u barazuar nga spanjollët 2-2 në “Old Trafford”, trajneri holandez humbi dy qendërmbrojtësit, Rafael Varan dhe Lisandro Martinez. Por përpara fluturimit në Spanjë pasditen e së mërkurës, “djajtë” morën lajmin e mirë të rikthimit në stërvitje të Ljuk Shout, Markus Rashfordit dhe Marsel Zabicerit. Këtyre iu shtua edhe emri i Malacias, i cili udhëtoi në avionin me 21 lojtarë.

“Ata janë të gjithë të disponueshëm, prandaj janë në avion. Por unë do ta marr vendimin ditën e ndeshjes”, tha trajneri Ten Hag në konferencën për shtyp. Holandezi pranon se e pret një atmosferë armiqësore në Andaluzi, por ka gati edhe recetën për skuadrën e tij:

“Ne duhet ta përdorim motivimin si një mjet për ta kontrolluar atmosferën. Në ndeshjet e mëdha është e rëndësishme se si ta përdorni atë. Ne duhet të përqendrohemi në lojën tonë dhe të bëjmë ndeshjen më të mirë që mundemi. Organizimi ynë në të gjithë fushën është mjaft i mirë. Ne duhet të bëjmë më mirë sulmin. Unë kam besim se ne mund të shënojmë gola nesër (sot). Ne i lamë ata të hyjnë në lojë në ndeshjen e parë. Ne patëm kontroll të mirë në orën e parë të lojës. Ata kanë pasur shumë trajnerë të ndryshëm këtë sezon, por tani kanë filluar të fitojnë ndeshje. Sevilja ka një ekip të mirë, po kalon një formë të mirë dhe ka disa individualitete të rëndësishme.

MENDILIBAR – Markus Rashford është “një prej lojtarëve më të mirë në botë”, tha trajneri i Seviljes, Hose Luis Mendilibar.

Rashfordi mund të kthehet nga një dëmtim në ijë për ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Europës me Seviljen. Rezultati 2-2 është delikat, por trajneri i spanjollëve thotë se skuadra e tij nuk do ta ndryshojë qasjen në shtëpi:

“Ne nuk do të ndryshojmë mentalitetin ose idenë tonë në varësi nëse Rashfordi luan apo jo. Rashfordi është një nga lojtarët më të mirë në ditët e sotme. Ne duhet të mendojmë për veten tonë, duke respektuar skuadrën kundërshtare, por nuk duhet të mendojmë për lojtarë të veçantë. Nëse Rashfordi luan, kjo është për shkak se ai është gati. Nëse nuk është, një tjetër ‘top’ lojtar do të luajë atje”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"