Junajtid kërkon vendin e parë, Ten Hag: Dimë si ta mundim Sociedadin me 2 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2022 | 15:42

Junajtid kërkon vendin e parë, Ten Hag: Dimë si ta mundim Sociedadin me 2 gola

Mançester Junajtid e ka siguruar biletën në “play off”-in e 1/8-ave të Ligës së Europës përpara ndeshjes së fundit në grup kundër Real Sociedadit. Por skuadra e Erik ten Hagut udhëton drejt Spanjës për t’u rrëmbyer vendin e parë rivalëve direkt.

Eric-Ten-Hag

Sociedadit i mjafton një barazim për ta fituar grupin, ndërsa anglezët duhet të fitojnë me një diferencë më të madhe se 1-0, rezultati që baskët i mundën në “Old Trafford”. Trajneri holandez e nisi konferencën e tij me dëmtimet, ndërsa tha se Marsial është ende jashtë, ndërsa Sanço do të mungojë pasi është i sëmurë.

“Ne kemi ardhur për të kryesuar grupin. Mund të fitojmë nesër (sot) mbrëma. E dimë çfarë duhet të bëjmë për të fituar me dy gola diferencë. Por nëse dëshiron të fitosh trofeun, atëherë duhet t’i fitosh të gjitha ndeshjet dhe ne duhet ta bëjmë këtë. Prej humbjes me Sociedadin 6 javë më parë ne jemi rritur. Dimë si mund të fitojmë me dy gola diferencë dhe kemi një plan”, tha Ten Hag.

Në konferencë bashkë me të ishte edhe Kasemiro. Mesfushori brazilian vlerësoi punën me Ten Hagun pas transferimit nga Reali në verë.

“Fiksimi i tij për të fituar më ka surprizuar më shumë se gjithçka. Mendoj se ai ka shumë pika të forta. Ne të gjithë e dimë se ky është një proces dhe ne po rritemi së bashku. Duam të fitojmë dhe ai është i fiksuar për të na mësuar dhe përmirësuar deri në milimetër. Fiksimin e tij për të fituar unë e kam parë vetëm te pak trajnerë”, tha 30-vjeçari.

Edhe Ten Hag zbuloi prapaskenat e transferimit të brazilianit, i cili surprizoi jo pak vetë kur vendosi të lërë Realin e Madridit, klubin me të cilin fitoi gjithçka: “Ai më tha se kishte nevojë për një sfidë të re, sepse te Reali fitoi gjithçka. Ai ishte një pjesë e rëndësishme e Realit dhe ata nuk donin që ai të largohej. Por Kasemiro kishte urinë dhe donte të shkonte në një tjetër klub për të provuar veten. Kjo më pëlqeu. Që prej ditës së parë këtu më ka pëlqyer sjellja e tij. Ai do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për skuadrën tonë”, tha Ten Hag.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"