Juglindorët kërkojnë surprizën në Cërrik, trajneri Bardhi: Tolerancë zero ndaj Maliqit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2022 | 14:00

Juglindorët kërkojnë surprizën në Cërrik, trajneri Bardhi: Tolerancë zero ndaj Maliqit

Përpara sfidës me Maliqin, trajneri i Turbinës, Sinan Bardhi, për “Panorama Sport” u shprehur:

Maliqi-Turbina

“Na pret një përballje e fortë, të cilën e kemi vlerësuar maksimalisht. Them kështu, pasi përballë Maliqit duhet tepër kujdes dhe toleranca do të jetë zero nga ana jonë. Është një nga 4 finalet dhe ky takim nuk do të jetë i lehtë për ne. U bëj thirrje lojtarëve të japin më të mirën dhe të mobilizohen fort.

Nuk na falet asnjë gabim tani në fund të kampionatit, kështu që duhet fituar me çdo kusht kjo ndeshje. Jemi me laps në dorë dhe 3 pikët janë alternativa jonë dhe shpresojmë t’i marrim në të gjitha javët e mbetura. T’i marrim me radhë dhe pa u nxituar. Të përqendrohemi te Maliqi, ku fitorja është objektivi ynë i vetëm”.

Edhe pse të dorëzuar për sa i përket luftës për mbijetesë, Maliqi kërkon ta mbyllë me dinjitet këtë sezon historik në Kategorinë e Parë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Egli Malësija do të tentojë surprizën ndaj Turbinës në transfertë. Dy janë rikthimet e rëndësishme te maliqarët për këtë takim.

Bëhet fjalë për portierin Daniel Lamellari dhe mbrojtësin Ledion Rezhda, që munguan ndaj Bylisit për shkak kartonësh. Të dy do ta nisin nga minuta e parë ndaj Turbinës. Për formacionin në këtë duel do të ketë një risi për sa u përket pozicioneve të lojtarëve. Sulmuesi Paolo Ivani do të vendoset në qendër të mbrojtjes, duke formuar dyshen së bashku me Rezhdën në mungesë të Bregut dhe Isufit. Këtë rol Ivani e ka bërë edhe në të kaluarën kur ishte pjesë e Kombëtares U-17. Në rast disfate ndaj Turbinës, gjasat janë të mëdha që maliqarët të vulosin edhe matematikisht rikthimin në Kategorinë e Dytë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"