Jo vetëm Superiorja dhe Kategoria e Parë, Federata ndryshon edhe formatin e Kupës
Ashtu si Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë, Federata ka ndryshuar dhe formatin e Kupës së Shqipërisë, që sezonin e ri do të vijë ndryshe.
Edicioni i këtij viti do të ketë 44 skuadra, pra 10 më shumë se ai i kaluar. Ato do të jenë nga Superiorja, Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë dhe kampioni i Kategorisë së Tretë për sezonin 2022-23.
Kupa e Shqipërisë 2023-2024 do të jetë e përbërë nga faza para-eliminatore dhe faza eliminatore. Ekipet e renditura nga vendi i parë e deri në vendin e tetë në Abissnet Superiore për sezonin 2022-2023 do të garojnë duke filluar nga faza 1/8 (Raundi III-të).
Në turin para-eliminator marrin pjesë ekipet e renditura në vendin e 7, 8, 9 të Kategorisë së Dytë Grupi A të sezonit 2022-2023 si dhe vendet e 7, 8, 9, 10 të Kategorisë së Dytë Grupi B të sezonit 2022-2023 si dhe ekipi Kampion i Kategorisë së Tretë sezoni 2022-2023. Ndeshjet në këtë tur do të zhvillohen me një takim në fushën e ekipit me renditje më të mirë të sezonit.
Në raundin e parë (1/32) do të marrin pjesë 2 ekipet e renditura në vendin e 9-të dhe të 10-të të Abissnet Superiore në Sezonin 2022-2023 si dhe 14 ekipet pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë në Sezonin 2022-2023, 12 ekipet e renditura në gjashtë vendet e para të Kategorisë së Dytë të grupeve A dhe B në Sezonin 2022-2023, si dhe katër ekipet e kualifikuara nga turi para-eliminator.
Vetëm ndeshjet e turit çerekfinal (1/4) dhe gjysmëfinal (1/2) do të jenë me 2 takime.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"