Jo vetëm merkato, Besa po bën llogaritë për stadiumin/ Ja situata në kampin kavajas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2023 | 21:02

Jo vetëm merkato, Besa po bën llogaritë për stadiumin/ Ja situata në kampin kavajas

Besa e ka të sigurt që edhe këtë vit do të “endet”. Po hyjnë në sezonin e gjashtë që nuk e kanë më një fushë të vetën dhe vazhdojnë “bredhin” ku të munden.

Besa stadiumi

Stadiumi “Besa” që prej 2019- ës është jashtë përdorimit dhe askush nuk e ka marrë mundimin që të ndërtojë një të ri…

Në mungesë të një zgjidhjeje, drejtuesit janë detyruar që të luajnë ku të munden. E ndërsa presidenti e stafi çdo ditë po punojnë për të konturuar grupin, u shtohet edhe halli i zakonshëm.

Burime pranë klubit japin një gjysmëlajmi të mirë. Ata përmendin stadiumin e Luzit si alternativë, ndonëse prej janarit mes klubeve pati një “krisje”.

Besa Perja

Sezonin e shkuar nuk zhvilluan asnjë ndeshje te fqinjët për këtë shkak, po u detyruan që të përdornin stadiumet e Peqinit në 8 ndeshje dhe Beratit në 7 të tjera.

Vullneti qëndron nga sa mësohet, por problemi qëndron te kalendari dhe alternimi që do t’i bëhet. Nëse i jepet një drejtim kësaj pjese, do të ishte perfekte. Jo vetëm për ekipin që do të jetë praktikisht në shtëpi, por edhe për tifozët, që do të kenë mundësinë ta ndjekin.

Që prej momentit që u larguan nga fusha e Luzit, “vërdallosja” e kavajasve u fut në histori… Për plot pesë vite kanë luajtur sa në Pezë, aq edhe në Peqin, Lushnjë, Shijak, Fier, Ballsh dhe Berat. E thënë troç, kanë shëtitur në 8 stadiume gjatë gjithë kësaj periudhe. 60 ndeshje janë sistemuar ku kanë gjetur.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"