“Jemi për objektiva të mëdhenj”, nga Lacio në Sarandë, Paterni: Butrinti një sfidë, ika vetë nga Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 20:05

“Jemi për objektiva të mëdhenj”, nga Lacio në Sarandë, Paterni: Butrinti një sfidë, ika vetë nga Dinamo

Ka dalë nga të rinjtë e Lacios, por tani luan për Butrintin. Pas një aventure te Dinamoja, Niko Paterni zgjodhi që të mbetej në Kategorinë e Parë. Edhe pse 272 kilometra larg kryeqytetit, në Sarandë ka gjetur një mrekulli. Jo vetëm një klub të organizuar dhe të lidhur shumë me futbollin, por edhe ushqim fantastik. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi rrëfen gjithçka po përjeton, por nuk ngurron që të flasë për objektivat dhe marrëdhënien e mirë që ka me golin. Në 5 javë e ka gjetur dy herë rrjetën dhe mendon se nuk është keq për një mbrojtës…

niko paterni 2

Niko Paterni, mbrojtësi 26-vjeçar i Butrintit

Nga Dinamo që kapi elitën, te Butrinti i sapongjitur në Kategorinë e Parë. Pse e bëri këtë zgjedhje Paterni?

Më joshi direkt oferta. U binda që bëra zgjedhjen e duhur sapo shkela në Sarandë, gjeta ambientin dhe klimën e duhur. E shoh këtë si një sfidë të rëndësishme për karrierën time. U ndjeva keq fillimisht që lashë kryeqytetin, por këtu u përshtata shpejt. Sa dal nga shtëpia, hasem me njerëz të buzëqeshur dhe që mbi të gjitha e duan futbollin. Kjo ma bën gjithçka më të lehtë.

Si erdhi “divorci” me Dinamon?

Ishte zgjedhja ime. Nuk kisha shumë njohje për Dinamon, ndonëse është një ekip me tradita në futbollin shqiptar. Butrinti është trampolina për të ardhmen time. Jam i ndërgjegjshëm se kam mundësi të luaj dhe tregoj veten, ndaj erdha.

Cili është ushqimi i preferuar në Sarandë?

Gjithçka më pëlqen, por do të veçoja peshkun. E shijoj dhe ndihem shumë mirë në çdo restorant ku shkoj. Përtej gatimeve të detit, edhe ato tradicionalet janë fantastike.

niko paterni 1

Sa larg mund të shkojë Butrinti këtë sezon?

Edhe pse luaj në prapavijë, më pëlqen të shënoj. Sa herë më jepet rasti, mundohen që ta shfrytëzoj. E kam gjetur dy herë rrjetën, por shpresoj që të mos e lë me kaq. Do të jap gjithnjë maksimumin për të ndihmuar Butrintin të ngjitet sa më lart ndeshje pas ndeshjeje. Butrinti ka gjithë infrastrukturën e duhur për të qenë vërtet skuadër kompetitive këtë sezon futbollistik. Me mbështetjen e drejtuesve dhe punën e stafit teknik, ekipi ynë do të jetë pa dyshim rivalizues i denjë për objektiva madhorë.

Këtë javë udhëtoni në Fier, sa e njihni Apoloninë?

Është një ndeshje shumë e vështirë, për vetë emrin dhe traditën që ka kjo skuadër në futbollin shqiptar. E respektojmë kundërshtarin, por në “Loni Papuçiu” do të shkojmë për tri pikët.

Nga buron gjithnjë ky optimizëm dhe sidomos para një përballjeje në transfertë?

Kemi forcën e grupit, karakterin dhe mbi të gjitha luajmë me shpirt. Këta janë faktorë që bëjnë të vetën… Me gjykim korrekt, nga Fieri do të largohemi fitimtarë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"