“Jemi mësuar me presionin”, Bellai: Bylisi më i forti, Tomori meriton respekt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2024 | 8:38

“Jemi mësuar me presionin”, Bellai: Bylisi më i forti, Tomori meriton respekt

Bylisi po mendon për sfidën e parë të fazës së tretë, që do të zhvillojë të dielën me Tomorin në “Adush Muçaj”.

BELLAI

Dueli do të jetë interesant pasi do të përplasen dy ekstremet e tabelës së renditjes për Kategorisë së Parë. Trajneri Arian Bellai për “Panorama Sport” thekson se Bylisi e vlerëson Tomorin njësoj si Elbasanin.

Bellai, nga Elbasani te Tomori në shtëpinë tuaj…

Për mua si trajner janë njëlloj, madje edhe Tomorin do ta vlerësojmë si Elbasanin. Është momenti që ekipet të shmangin gabimet, sepse janë të pafalshme. Këtë ua kam thënë edhe djemve në seancat e kësaj jave.

Mund të jenë njësoj nga tradita dhe emri, por jo nga përbërja…

Tri pikë vlen si t’i fitosh me Elbasanin, ashtu edhe me Tomorin. Duhet të kemi shumë kujdes me ekipet që janë poshtë në renditje. Të krijojnë problematika gjatë ndeshjes dhe mbyllen me shumë forca pas. Ndërsa me Elbasanin, apo një ekip tjetër të kreut luhet futboll i hapur.

Bylisi kryeson, por diferenca është shumë e vogël me ndjekësit…

Jemi mësuar me presion dhe kemi traditë në këtë kategori. Nuk është se ne kemi diferencë të vogël, pasi edhe ekipet që na ndjekin janë afër njëri-tjetrit. Ka garë dhe mendoj se faza e tretë do të jetë shumë e fortë dhe e bukur, madje me emocione shumë më të mëdha.

Sipas trajnerit Bellai, a ka Bylisi probleme me golin?

Jo aspak, jemi një ekip që varemi dhe udhëhiqemi drejt suksesit nga forca e grupit dhe jo nga individi. Te ne shënojnë sulmuesit, mbrojtësit e mesfushorët, madje edhe portieri gjuan penallti. Pra, ka dëshirë dhe etje për fitore dhe sukses. Ne nuk vareni nga individët. Arma e fortë e ekipit është harmonizimin dhe bashkëpunimi.

A jeni të favorizuar meqë luani 6 ndeshje në shtëpi dhe 5 jashtë?

Jo, aspak. E thashë se na pret një garë shumë e fortë në vijim. Të gjitha ekipet janë në lojë. Madje 2-3 javët e para të kësaj faze do të jenë beteja dhe nuk do ta kemi të lehta, as në shtëpi dhe as jashtë. Kam eksperiencë, i kam studiuar dhe i njoh mirë të gjitha ekipet. Koha do e tregojë këtë pohim timin. Duhet seriozitet dhe vlerësim maksimal, por edhe shumë punë. Ajo skuadër që do të dijë të menaxhojë këto komponentë do të ketë ecuri.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"