“Jemi ekip me mentalitet fituesi”, Aleksi: Rivalët e dinë, Egnatia lufton për të dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 15:41

“Jemi ekip me mentalitet fituesi”, Aleksi: Rivalët e dinë, Egnatia lufton për të dy trofetë

Egnatia hodhi një hap të rëndësishëm drejt gjysëmfinaleve të Kupës së Shqipërisë pasi mundi Laçin në transfertë me rezultatin minimal 0-1. Heroi i takimit për skuadrën rrogozhinase rezultoi Albano Aleksi, i cili shndërrojë në gol një penallti në kohën shtesë. Mesfushori i bardhëjeshilëve në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” u shpreh i lumtur për golin e parë me ngjyrat e Egnatias.

428707191_373969708754329_5646819657870061046_n

Aleksi, shënuat golin e parë me fanellën e Egnatias, si ndihesh?

Jam i lumtur që arrita të shënoj golin e parë me skuadrën e Egnatias. E kam pritur këtë moment dhe mendoj se erdhi në kohën e duhur. Kënaqësia është më e madhe kur shikon që goli ishte i rëndësishëm për fatin e klubit, i cili arriti një fitore të rëndësishëm për të prekur gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Ekipi tregoi forcë karakteri, duke besuar deri në fund për triumf dhe ia dolëm të fitonin ndaj Laçit me te të cilin është gjithmonë e vështirë të luash në fushën e tyre. Kupa është prioriteti ynë dhe ne do të bëjmë më të mirën për të mbrojtur këtë trofe të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

Pse vendosët të godisnit duke ditur që nuk jeni ju lojtari që ekzekutoni penalltitë?

Në fakt penalltinë e godet futbollisti që merr konfirmimin e trajnerit. Ishte vendosur më parë që do të isha unë njeriu i pari në listë për të ekzekutuar 11-metërshin. U mundova të isha i saktë dhe fatmirësisht ia dola ta dërgoj topin aty ku nuk mund të mbërrinte portieri Dajsinani. Ne kemi në skuadër disa futbollistë që kanë goditje të mira nga pika e bardhë dhe të shumtë kanë qenë ata që kanë marr përsipër për të goditur. Tek Egnatia nuk ka paqartësi dhe duelizëm për vendimet që merr trajneri. Ne lojtarët, thjesht, zbatojmë urdhrat e tij.

Sa e vlefshme është fitorja me Laçin në Kupë për vazhdimësinë në kampionat?

Një fitore që erdhi në momentin e duhur për të startuar sërish një ecuri pozitive në kampionat pas 3 rezultateve negative. Egnatia reagoi si për të treguar që ka kualitetet për të bërë atë që dinë të bëjë më mirë, të fitojë. Gjykoj që për fatin e kualifikimit në kupë kemi hedhur një hap të rëndësishëm edhe pse asgjë s’ka mbaruar. Na duhet thjesht të mos humbasin në fushën tonë, por kjo nuk përjashton faktin që na duhet të djersitim përsëri. Suksesi me Laçin po ashtu rrit humorin tek klubi me qëllim për ta përgatitur qetësisht sfidën me Teutën në fundjavë.

Luani me Teutën, çfarë synoni në këtë sfidë?

Do të mundohemi të japim në fushën e lojës maksimumin tonë për të dalë me 3 pikë nga ky 90-minutësh delikat. Luajmë me një skuadër të cilën nuk e kemi mundur ende këtë sezon dhe kjo na detyron të japim 200% për të mbërritur te fitorja. Në këtë pikë të kampionatit nuk ka ndeshje aspak të lehta ç’ka nënkupton që duhet të përgatitemi mirë për të pasur ndeshjen nën kontroll. Teuta është një ekip solid që po bën mirë dhe se ka lojtarë të zot për të bërë keq në çdo moment. Ndonëse diferenca e pikëve mes dy ekipeve është e madhe kjo nuk do të thotë asgjë, por fokus maksimal ndaj durrsakëve.

A do ta ruajë Egnatia vendin e parë deri në fund të 36 javëve?

Mendoj që vendi i parë është një kapitull i mbyllur dhe mendoj që këtë e kanë të qartë edhe rivalët tonë. Egnatia ka krijuar një mentalitet fituesi, pasi ka në gjirin e saj lojtarë, të cilët mund të zgjidhin ndeshjen në çdo moment. Ne gëzojmë një formë të mirë sportive dhe duam të vazhdojmë kështu pse jo të thellojmë edhe më shumë diferencën e pikëve me ekipet që na ndjekin në tabelën e klasifikimit. Të shumtë kanë qenë ata që mendonin se vendi i parë do të prodhonte presion te skuadra, por që rezultoi krejt e kundërta. Drejtuesit kanë ndërtuar një ekip për të fituar trofe dhe ne do të vijojmë të tregojmë se jemi këtu me objektiva të qartë.

Merkato e janarit e ka forcuar apo minimizuar shanset që të shpalleni kampionë?

Lojtarët e rinj e kanë shëndoshur kontingjentin e skuadrës dhe po arrijnë të ndërthuren mjaftë mirë me taktikat e klubit. Gjata, Montenegro dhe Ibrahimoglu kanë shënuar, ndërkohë Lubas ishte njeriu që fitoi penalltinë në Laç. Mirë kanë performuar edhe Dylis dhe Rama edhe pse kanë pak ditë që kanë mbërritur në futbollin shqiptar një realitet i ri sportiv për ta. Mendoj që me kalimin e kohës do të njësohen me skuadrën edhe emrat e tjerë që mbërritën në limitet e merkatos së janarit. Në këtë prizëm përforcoj idenë se Egnatia është aktualisht më solide për të tentuar titullin kampion në fund të sezonit.

Kush është forca apo sekreti i kësaj Egnatie?

Forca dhe sekreti ynë buron tek fryma e grupit. Në skuadrën tonë mbizotëron një klimë pozitive që i mundëson çdo futbollisti të japë maksimumin sa herë i duhet të luaj në fushën e lojës. Kemi një trajner fjalë pak, por që punon pambarimisht në çdo seancë stërvitore që ne të jemi gjithmonë gati kundrejt çdo kundërshtari. E lënë në fund, por kurrsesi jo nga rëndësia, ky klub ka fat që ka president një njeri si Agim Demrozi, i cili bën përpjekje maksimale për t’i garantuar skuadrës çdo nevojë. Shpresoj dhe uroj që së bashku të mbështetur edhe nga tifozët t’ia dalim të konkretizojmë dëshirat tona.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"