Java e 17-të e Superiores/ Notat e skuadrave, zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 21:49

Java e 17-të e Superiores/ Notat e skuadrave, zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët

Java e 17-të e Kategorisë Superiore prodhoi gola dhe spektakël teksa nuk munguan surprizat. “Panorama Sport” iu sjell formacionin më të mirë dhe më të dobët të javës si dhe notat e të gjitha skuadrave:

superiore

ERZENI 8 – Shijakasit treguan karakter në Kukës, duke marrë një fitore të madhe ndaj një rivali direkt. Pas 17 javësh kampionat, skuadra e Xhevahir Kapllanit e shikon veten vetëm dy pikë larg zonës europiane dhe katër pikë larg kreut. Në ndeshjen e fundit shkëlqyen brazilianët Alan dhe Nonato, që gatuan të dy golat, ndërsa risia e trajnerit ishte lënia në stol e një prej lojtarëve më të spikatur, Kahrimanoviç.

FORMACIONI ME I MIRE

VLLAZNIA 8 – Shkodranët janë në superformë dhe ndaj Laçit treguan ngritje në lojë dhe mbi të gjitha efikasitet në rastet që krijuan, duke lënë pas makthin e shpërdorimit pa fund para portës në ndeshjet e vitit të kaluar. Katër gola nuk janë pak dhe për më tepër rigjen sulmuesin Ardit Hoxhaj, i cili bëri dopietë. Ndaj kurbinasve pati hapësirë edhe për Bekim Balajn, që rikthehet pas 13 vitesh në Shkodër.

TIRANA 8 – E zgjidh shumë shpejt ndeshjen me Bylisin, falë edhe një super Patrik, që shënon tre gola dhe tregohet i papërmbajtshëm. Shpejtësia e brazilianit bëri diferencën në “Air Albania”, ndërsa bardheblutë morën tashmë kreun e renditjes, duke parakaluar Partizanin. Mbetet për t’u parë tashmë si do të reagojë skuadra pas largimit të kryegolashënuesit Redon Xhixha drejt Azerbajxhanit.

KASTRIOTI 6 – Krutanët ndalën Partizanin, në një ndeshje shumë të vështirë, që e menaxhuan më së miri, pavarësisht mungesave që kishin në mbrojtje. Silvio Zogaj “shpiki” një gol të bukur pas goditjes tokazi me të majtën, pikërisht në momentin më të mirë të Partizanit.

EGNATIA 6 – Shënon me Duamenën dhe i ka mundësitë për të mbyllur ndeshjen, por e pëson në fund pas një penalltie naive të shkaktuar. Rrogozhinasit bindën me lojë, por lanë dy pikë në Durrës.

TEUTA 5.5 – Me Martinin skuadra ka një tjetër marsh dhe nuk dorëzohet kurrë. Mund të humbte, por i pati shanset edhe të fitonte ndaj Egnatias. Kallaku shënoi nga penalltia, duke nisur mbarë. Një pikë në këtë moment delikat ndaj një skuadre të fortë vlen për durrsakët.

PARTIZANI 5 – Të kuqtë dorëzojnë kreun pas barazimit me Kastriotin, duke treguar se e kanë të vështirë të menaxhojnë avantazhin. Largimet e Bitrit dhe Skukës hapin tashmë një gropë në mbrojtje dhe sulm, duke vendosur në rrezik serioz objektivin për të fituar titullin.

BYLISI 4 – E humbën ndeshjen në Tiranë pa nisur mirë loja! Ballshiotët u dorëzuan shpejt, duke mos shmangur dot goleadën. Trajneri Arian Bellai u largua, ndërsa tashmë skuadrën do ta drejtojë Naxhi Shensoji.

LAÇI 4 – Mungesat në mbrojtje dhe spostimi i disa lojtarëve nga rolet e tyre natyrale ndikuan shumë. Kurbinasit u shpërfytyruan totalisht.

FORMACIONI ME I DOBET

KUKËSI 4 – Anulimi i një goli në start, por gjithashtu shpërdorimi i një penalltie nga Edi Basha, e shokoi ekipin verilindor, që pësoi një humbje të rëndë ndaj Erzenit. Kukësi është tashmë në alarm total!

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"