Disiplina i heq 3 pikë Flamurtarit, “internon” dhe Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2013 | 13:59

Disiplina i heq 3 pikë Flamurtarit, “internon” dhe Kukësin

SKENDERBEU KRYESORENdodhi ajo që pritej. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së i ka dhënë një “grusht” të fortë problematikës shqetësuese në stadiumet e Superiores, në kuadrin e javës së dytë të kampionatit. Lidhur me incidentet e ndodhura fundjavën e shkuar, ku në Vlorë u godit presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj, në Kukës nuk mbaroi deri në fund ndeshja për shkak se tifozët hodhën sende të forta në fushë, veprim i cili u konsumua deri në njëfarë mase edhe në Kavajë, ky organ disiplinor pranë FSHF-së është treguar i pamëshirshëm. Një masë në kohën dhe vendin e duhur për t’i dalë para së keqes më të madhe në futbollin tonë, sikurse është dhuna, e cila tashmë ka infektuar edhe tribunat VIP. Kësisoji, Flamurtari nuk do ta shijojë dot fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, jo se rezultati nuk njihet 2-1, por sepse skuadrës vlonjate i janë hequr 3 pikë nga Disiplina. Thënë ndryshe, kuqezinjtë mbeten në kuotën e tri pikëve, duke “iu zhumëzuar me zero” indirekt ato që mori ndaj kampionëve të vendit në fuqi. Vec kësaj mase ndëshkuese, Flamurtari duhet të luajë edhe katër ndeshje të planifikuara si pritës në kalendar në stadiume asnjanëse.
Ndëshkim shembullor është dhënë edhe për Kukësin, referuar ndeshjes ndaj Vllaznisë, ku gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota, sepse tifozët verilindorë shpërthyen në hedhje sendesh të forta në fushë si inat i humbjes. Pavarësisht se u mund me rezultatin 3-1 nga Vllaznia në fushën e lojës, skuadra e drejtuar nga Armando Cungu e humbet në tavoilinë këtë sfidë, me rezultatin 3-0. Po ashtu, kuksianët nuk do të kenë mundësi të luajnë në stadiumin e tyre për katër ndeshje, të planifikuara si pritëse. Pezullim fushe ka paralajmëruar Disiplina edhe për Kavajën. Nëse Besa nuk korrigjon sjelljen e tifozëve, atëherë nuk do të luajë para tifoizëve të vet për dy ndeshje.
Ja edhe vendimet e plota të marra nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së në mbledhjen e datës 17 shtator:
1. KF “Flamurtari“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, diskriminim të ekipit kundërshtar dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve dënohet me zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës.
2. “Kuksi ”për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërpreje përfundimtare të ndeshjes dënohet me humbje në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës.
3. “KF Besa” për sjellje të gabuar të spektatorëve paralajmërohet se në rast përsëritjeje do të dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
4. “KF Laci“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e një ndeshje dënohet me gjobë në vlerën e 50.000 lekëve.
5. Lojtari i Albpetrolit, Hekuran Korreshi, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6. Lojtari i Shkumbinit, Aldo Branica, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
7. Pogradeci, Albpetroli dhe Elbasani paralajmërohen se në rast të përsëritjes së problemeve të ndodhura për vonesë në fillimin e ndeshjeve  do të penalizohen sipas dispozitave të KDS, bazuar në nenin 13 .

Skenderbeu stervitet ne Ukraine para ndeshjes me Cernomorets Odesa, Takaj e Permeti ne stolTakaj: Skënderbeu im nuk shkel më në Vlorë
Skënderbeu nuk shkel më në Vlorë sa të jem unë president i këtij klubi”. Ky është vendimi ekstrem që ka marrë dje Ardjan Takaj. 24 orë pas incidentit, presidenti i Skënderbeut konfirmoi për “Panorama Sport” se në vazhdimësi skuadra e tij nuk do të paraqitet në stadiumin e Vlorës, qoftë për ndeshje kampionati apo të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. “Nuk mund të rrezikoj kokën time dhe të lojtarëve të mi. Jam unë përgjegjës për këtë klub, pasi me të gjithë futbollistët dhe pjestarët e stafit teknik kam firmosur kontrata. Nuk e di se çfarë vendimi mund të marrë FSHF-ja për bojkotin tonë ndaj stadiumit të Vlorës, por unë deklaroj me bindje se sa të jem president i Skënderbeut, skuadra ime nuk do të shkelë më në atë qytet. Le të na hiqen pikët dhe të dënohemi, ama do të jem i qetë, pasi e di që nuk do të luaj në një stadium ku të rrezikohet edhe jeta. Ndoshta ky është një vendim ekstrem, por unë s’kam asnjë arsye pse të masakroj futbollistët e mi duke luajtur në një stadium të tillë. Nuk e dua futbollin me këtë presion të jashtëzakonshëm, që në stadiumin e Vlorës i kalon të gjitha limitet. Mund t’ju them se lojtarëve të mi u është bërë presion edhe në ndeshjen e së dielës. U është thënë shpesh nga vendësit që të mos luajnë, pasi ndryshe do ta acaronin më shumë situatën. Çfarë është ky futboll! Jo, nuk vazhdohet më”, – deklaroi i revoltuar presidenti Takaj. Po dje ndërkohë ka qarkulluar lajmi se pas ngjarjes më të fundit në Vlorë, një grup presidentësh po bëjnë lobing për të mos u paraqitur në stadiumin “Flamurtari” kur të luajnë skuadrat e tyre. I pyetur për këtë, kreu i klubit korçar sqaroi: “Nuk e di se çfarë do të bëjnë presidentët e tjerë, pasi secili shikon punët në klubin e tij. Unë për vete e kam vendosur, skuadrën nuk e çoj më të masakrohet në atë stadium. Të tjerët le të bëjnë çfarë të duan”. Vlen për t’u theksuar se pas incidentit në Vlorë, Takaj deklaroi se do të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Skënderbeut. Mirëpo, me sa duket, gjithçka ka qenë emocionale dhe biznesmeni me origjinë nga Gjirokastra do të vazhdojë të investojë për kampionët në fuqi.
JORGIS MEMO

REAGIMI I PËRMETIT
“Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë fitoren në tavolinë”. Ky është reagimi i drejtorit të klubit korçar, Ilirjan Përmeti. Ai ka theksuar dje se nuk ka asnjë shans që Skënderbeu të kërkojë pikët në tavolinë, por do të respektojë rezultatin e dalë pas 90 minutave të luajtura në Vlorë. “Ndeshja u luajt dhe rezultatin e pranojmë”, – është shprehur dje për gazetën drejtori i korçarëve.

Ribaj dhe JosaJosa: Takaj nuk largohet, incidenti ndikoi në rezultat
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, është i bindur se presidenti Ardjan Takaj nuk do të largohet nga drejtimi i klubit korçar. Dje, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, numri një i pankinës foli për ndeshjen e fundit në Vlorë, incidentin në tribunë, deklaratën e Gjikës dhe takimin e radhës ndaj Kukësit. Josa ka rezerva për sulmuesin Pejiç, teksa thekson se pret më shumë nga kroati. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh ai:
Zoti Josa, duket se ende nuk e keni harruar ndeshjen në Vlorë…
Normalisht që po, por për nga rezultati më tepër, sepse kemi luajtur një ndeshje me dinjitet, teksa kishim shkuar në Vlorë për të fituar. Nuk më pëlqen të ndalem tek ajo çfarë ka ndodhur, por megjithëse një ngjarje si ajo ka pasur ndikim direkt në rezultatin përfundimtar. Nëse do të ishim pak më të qetë në fushë, atëherë do t’i kishim mbyllur llogaritë që në pjesën e parë, pasi edhe rastet në favorin tonë kanë qenë të shumta.
Pra, mendoni se incidenti me presidentin Takaj ndikoi në rezultatin e këtij takimi?
Unë nuk mund të them se Flamurtari nuk fitonte dot këtë takim, qoftë dhe në fundin e lojës, por një ngjarje si ajo sjell tronditje në skuadër, pasi presidenti është kryesori i ekipit. Një skuadër funksionon në bazë të një hierarkie, ku në fillim është presidenti e më pas stafi teknik dhe lojtarët. Kur një ngjarje prek kokën e skuadrës, për të gjithë ka ndikim të madh.
Si i keni parë futbollistët në momentin kur u futën në dhomat e zhveshjes?
Kanë qenë tepër të tronditur. Një gjë e tillë dallohej lehtë tek të gjithë. Asnjë nga lojtarët në ato momente nuk kishte dëshirë të fliste, pasi të gjithë e kishin mendjen tek ajo që i kishte ndodhur presidentit Takaj. Kemi qenë në dilemë, nëse do të rifillonte loja apo jo.
A ishin lojtarët të gatshëm për të rinisur lojën?
Në të tilla raste nuk janë futbollistët ata që marrin vendime, sepse ata presin udhëzimin e të tjerëve. Pra, vendimin e drejtuesve apo të stafit teknik. Edhe ne në këtë rast prisnim udhëzime nga drejtuesit. Më pas, vendosëm të futemi në fushë.
Presidenti Takaj ka thënë se do të largohet nga ky futboll. Nëse keni folur me të pas ndeshjes, çfarë ju ka thënë?
Kam qëndruar me presidentin deri në orët e vona të mbrëmjes pas ndeshjes. Nuk ishte aspak i qetë gjatë gjithë asaj kohe që ishim bashkë. Sigurisht, që pjesën më të madhe të bisedës nuk e ka zënë futbolli. Më tepër ishim të shqetësuar për shëndetin e tij. Nuk kemi biseduar për ndonjë vendim të marrë nga presidenti. Unë si trajner di të them se Takaj nuk largohet nga Skënderbeu.
Presidenti i Flamurtarit, zoti Gjika, ju ka akuzuar se nuk duhet ta përdornit incidentin për ta trajtuar edhe sportivisht…
Në radhë të parë e respektoj Gjikën. Unë kam respekt për të gjithë ata që financojnë për futbollin tonë. Nëse kryebashkiaku i Vlorës ka thënë se unë kam bërë turp, më duhet të them vetëm se unë në gjithë jetën time nuk kam bërë asnjë turp.
Duke lënë pas incidentin dhe u fokusuar te ndeshja, e mendonit se Skënderbeu do të ndalej në kampionat që në javën e dytë?
Në lojë janë të tri rezultatet dhe në çdo ndeshje i mendojmë të tria këto përfundime. Megjithatë, nisur nga mënyra se si e kemi interpretuar atë ndeshje, me besoni nuk e kam shkuar për asnjë çast në mendje humbjen. Gjithsesi, ajo ndodhi dhe tashmë duhet të shikojmë përpara, pasi nuk kemi kohë të flasim për të shkuarën.
A nuk ju duket se Skënderbeu po vuan më shumë seç duhet në fazën sulmuese…
Unë si trajner në asnjë rast nuk e kam drejtuar gishtin në lojtarë të veçantë në defektet e lojës, qoftë edhe të asaj sulmuese. Më duhet të them se problemi nuk vjen nga lojtarët e sulmit, por dhe nga të tjerët.
OK, por a ndiheni i zhgënjyer nga performanca e Pejiçit, i cili ende nuk po zhbllokohet?
Nga një lojtar si Pejiç të gjithë kërkojmë më shumë. Ky sulmues i ka treguar aftësitë e veta. Unë për vete jam i bindur se ka për t’i treguar vlerat edhe në vazhdimësi.
Llazi Saro

Ardi-BehariBehari: Korçarët i pritëm si miq, por s’bëhemi dot policë
Drejtori sportiv i Flamurtarit, Ardi Behari, e dënon incidentin e ndodhur në tribunën e stadiumit të Vlorës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thotë se edhe pse klubi vlonjat i kishte marrë të gjitha masat, forcat e rendit nuk e kryen si duhet detyrën. “Policia na njoftoi se merr përsipër garantimin e sigurisë në këtë ndeshje. Ne nuk mund të bëhemi policë. Me korçarët drekuam dhe bëmë gjithçka për të qëndruar larg incidenteve”, – thotë ndër të tjera drejtori sportiv i vlonjatëve.
Zoti Behari, cili është reagimi juaj pas asaj që ndodhi gjatë ndeshjes Flamurtari- Skënderbeu?
Është një ngjarje shumë e shëmtuar, por që nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar të takimit. Ne i kishim marrë të gjitha masat, duke pasur parasysh edhe ngarkesën që do të prodhonte kjo ndeshje. Besoj se të gjithë e panë, sepse në fushë nuk u hodh asnjë bidon, çakmak apo ndonjë send tjetër nga tifozët. Këto janë raste të veçuara dhe këtë më duhet që ta përsëris. Sigurisht, ishte një ngjarje që ia zbehu bukurinë takimit.
I kishit marrë të gjitha masat ju si klub, mos ndoshta kishte diçka që nuk shkonte në tribunën VIP?
Me bindje të plotë mund t’ju them se ne si klub i kishim marrë të gjitha masat. Kishim vënë në dispozicion të gjithë infrastrukturën, përfshi edhe zjarrfikësen bashkë me ambulancën. Edhe në mbledhjen që zhvilluam me delegatin e ndeshjes, doli në pah se i kishim ekuilibruar gjërat. I pritëm miqësisht korçarët, u krijuam kushte komode, ndërsa tifozëria ishte shembullore dhe nuk pati asnjë incident në shkallë. Edhe tifozët miq u vendosën në një sektor të veçantë dhe treguam se ne nuk jemi aspak në “luftë” me kundërshtarin. Presidenti Gjika drekoi me homologun e tij, Takaj. Më thoni, çfarë duhet të bënim më shumë ne si klub? I bëmë përpjekjet që të mos kishte mosmarrëveshje. Ne donim të shuanim polemikat që ekzistonin në largësi, dhe mendoj se e realizuam.
Atëherë, sipas jush, barra bie e gjitha mbi policinë…
Për mbarëvajtjen e këtij takimi kemi kërkuar mbështetjen e policisë, dhe në shkresën zyrtare që ajo na dërgoi, e konfirmonte sigurimin e rendit dhe të qetësisë. Asnjë zyrtar i klubit nuk mund të marrë rolin e një polici. Para se të sulmohej presidenti i Skënderbeut, e njëjta situatë ndodhi edhe me presidentin Gjika.
Në qëndrimin zyrtar për mediat, FSHF theksonte se ndeshja duhej ndërprerë. Keni ndonjë koment për këtë?
Nuk besoj se mbështetet në ndonjë rregullore ndërprerja e ndeshjes. Këtu u referohem neneve 64 dhe 65, që nuk citojnë në këtë rast ndërprerjet e takimeve. Nuk ka asnjë hapësirë që federata të inkurajojë ekipin për të ndërprerë ndeshjen. Ne nuk protestuam kur korçarët dolën nga fusha dhe as kërkuam anulimin e ndeshjes për këtë rast. Por, i harxhuam të gjitha energjitë tona që takimi të ishte brenda parametrave normalë. Besoj se një gjë të tillë e dëshmuam shumë mirë pas atij incidenti.
Mendoni se incidenti nuk ka ndikuar fare në fushë?
Patjetër. Ndeshja në fushë ishte shumë e rregullt dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Shpreh keqardhjen për dy gjëra. E para, pasi cenohet personaliteti i një njeriu që kontribuon fuqishëm dhe për këtë ka merita të veçanta dhe e dyta, shumëzohet me zero lufta sportive, mundi, djersa dhe sadisfaksioni që skuadra dha në takimin e së dielës. Ne kemi një qëndrim të qartë në lidhje me këtë ngjarje. Këtë e ka bërë publik edhe presidenti Shpëtim Gjika, në prononcimin që ka dhënë për gazetën tuaj. Nuk janë penalitet dënimi i fushës, luajtja pa tifozë. Ne si klub mbajmë një qëndrim të prerë kundrejt asaj që ndodhi.
U trembeni masave që mund të marrë federata për klubin?
Federata mund të bëjë çfarë të dojë. Me gjithë incidentet, Flamurtari fitoi.
Si e vlerësoni lojën?
Ishte një fitore e rëndësishme. Falënderoj djemtë, të cilët treguan karakter të fortë në fushë. Nuk ka rëndësi se ku shkon ky grup. Rëndësi ka që ai është një grup solid dhe ka shumë vlera brenda. Se ku do të shkojë Flamurtari, kjo varet nga shumë gjëra të tjera. E rëndësishme është që kjo skuadër ka karakter. Tashmë duhet të shikojmë para dhe të marrim më të mirën e mundshme.
Si e vlerësoni takimin e radhës me Teutën në transfertë?
E vlerësoj thjesht si ndeshjen e radhës.

POLICIA NUK KA ENDE AUTOR PËR NGJARJEN
Policia e Vlorës ende nuk e ka identifikuar autorin që goditi të dielën presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj. Burime nga policia bëjnë me dije se akoma nuk dihet se cili është autori, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Punonjësit e policisë nuk kanë qenë në lartësinë e duhur të detyrës në këtë ndeshje, akuzë kjo e bërë në adresë të tyre edhe nga zyrtarët e dy klubeve. Në të dyja incidentet, si tek ai me kryetarin e bashkisë, ashtu edhe me presidentin e Skënderbeut, policia është treguar indiferente dhe ka ndërhyrë me mjaft vonesë. Ndërkohë, mësohet se do të merren masa ndaj efektivëve, të cilët ishin të pranishëm në ngjarje.

LOJTARËT E FLAMURTARIT PRESIN RROGAT
Lojtarët e Flamurtarit janë ende pa rroga. Edhe pse kuqezinjtë në dy ndeshjet e para kanë arritur fitore përballë ekipeve me emër si Vllaznia dhe Skënderbeu, klubi nuk i ka shlyer. Atyre iu premtua javën e kaluar se do të merrnin të paktën nga një pagë mujore, por deri më tani s’ka pasur asgjë konkrete. Shtatori është përcaktuar nga drejtuesit si muaji kur do të nisë edhe likuidimi. Gjatë kësaj jave lojtarët presin të marrin atë që u takon, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e ankesave pranë drejtuesve. Në rast se klubi nuk arrin ta shlyejë ekipin brenda shtatorit, atëherë futbollistët nuk do të jenë të qetë për vazhdimësinë.
ERMAL SIKA

Takaj goditet ne VloreSkandal në Vlorë, goditet presidenti i Skënderbeut
Nuk është e thënë që një përballje mes Flamurtarit dhe Skënderbeut të mund të kalojë me qetësi. Edhe dje, megjithëse ishin marrë masa nga të dyja klubet, megjithëse ishte shtrirë “dora e miqësisë”, megjithëse kampionati është vetëm në javën e dytë dhe akoma nuk jemi futur në “ethet” e titullit, përsëri ka ndodhur një incident, madje ndoshta më i rëndi i historikut të Flamurtari- Skënderbeu i këtyre viteve të fundit. Goditja e presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj, kaloi çdo kufi të asaj që mund të quhet një ndeshje futbolli, çka faktikisht u konstatua nga vetë kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, edhe ky një ndër “shënjestrat” e ofendimeve dhe sharjeve nga ana e tifozëve.
Ngjarja – Ishte minuta e 18-të, kur Flamurtari shënoi golin e parë me anë të Shehajt. Entuziazëm në stadium, por si gjithnjë në kalim të çdo caku. Në këto momente është parë kryebashkiaku Shpëtim Gjika, njëkohësisht edhe president i Flamurtarit, që të zbriste nga tribuna VIP në drejtim të pjesës fundore të stadiumit. Arsyeja? Kryebashkiaku po ofendohej dhe shahej pa pushim nga dy-tre tifozë, për të cilët u desh ndërhyrja e policisë për t’i larguar fillimisht nga ajo pjesë e stadiumit. Nuk u kuptuan arsyet e acarimit të këtyre të fundit me Gjikën, por sipas këtij ndoshta kjo kishte lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje që ka ndërmarrë Bashkia e Vlorës gjatë dy muajve të fundit. Ndërkohë, policia ka qëndruar pasive dhe pasi Gjika zbriti nga tribuna ka reaguar. Debati ka vijuar edhe në hollin e stadiumit, ndërsa personi është shoqëruar nga policia. Por, nuk mbaron me kaq. Minuta e 36-të dhe një numër i vogël tifozësh të Flamurtarit kanë nisur të ofendojnë edhe presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj, i ulur në tribunën VIP. Ndaj tij janë hedhur fillimisht fara e topa letre dhe, më pas, edhe një send i fortë (tullë ose gur, sipas Takajt) në kurrizin e njëshit të klubit korçar. Direkt më pas ka shpërthyer sherri dhe një mori personash janë gjuajtur me njëri-tjetrin, derisa ka ndërhyrë policia. Në këto momente Gjika nuk ka qenë i pranishëm në tribunë. Ndërkohë, presidenti i Skënderbeut është shoqëruar menjëherë për në tunelin e dhomave të zhveshjes nga zëvendëspresidenti Ardian Kollçaku dhe shefi i klubit, Ilirjan Përmeti, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Po aty vjen edhe kryebashkiaku Gjika, i cili u është drejtuar gati duke u bërtitur punonjësve të policisë: “Nuk jeni aspak në detyrë. Merreni me kryetarin e bashkisë dhe nuk ndërhyni kur ai (tifozi) më shau dhe më ofendoi. Zbatoni detyrën, shkoni fusni në fushë ekipin e Skënderbeut, ose firmosni të anulohet ndeshja. Pse talleni, zbatoni detyrën, përkundrazi do të flasim nesër bashkë”, – u tha Gjika punonjësve të policisë dhe më pas ka hyrë në zyrën e shefit të klubit, Çipi, për të mos u shfaqur më në ambientet e stadiumit. Pas incidentit, me rifillimin e lojës në stadium kanë hyrë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat kanë normalizuar situatën, ndërsa presidenti i Skënderbeut i është drejtuar spitalit të Vlorës, ku ka marrë një mjekim të fundit para se të largohej nga qyteti.
LEONARD KARAJ / ERMAL SIKA

GjikaShpërthen Gjika: Skandal i policisë, u dhunova unë i pari
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ndihet i dhunuar po aq sa presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj. Në intervistën për “Panorama Sport” pas ndeshjes së djeshme, Gjika tregon për incidentin, teksa akuzon ashpër forcat e rendit, duke i cilësuar si të papërgjegjshme. Kreu i klubit vlonjat thekson se nuk i ka interesuar fare fitimi i takimit. “Kam drekuar bashkë me Takajn dhe kemi shkuar në stadium për të parë një ndeshje normale, por për hir të një rrugaçi dhe disa policëve palaço që vijnë në stadium për të ngrënë fara, u prish gjithçka. Duhen marrë masa, ose të mbyllim stadiumin”, – ka thënë ndër të tjera presidenti.
Zoti Gjika, si e shpjegoni atë që ndodhi gjatë ndeshjes?
Së pari, i kërkoj ndjesë presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj. Por, më duhet të sqaroj se si Takaj ashtu edhe unë jemi në të njëjtën situatë. Edhe mua më dhunuan në stadium dhe kjo është poshtërsia më e madhe që mund të ndodhë. Policia është treguar inekzistente, duke mos neutralizuar atë rrugaç, që guxoi të më dhunoj së pari mua. Ky është një turp i madh dhe nuk dimë se si do të zgjidhet. Për mua nuk kanë asnjë faj, qoftë tifozët në shkallë, drejtuesit e klubeve apo lojtarët në fushë.
Pse jeni acaruar pas golit të Flamurtarit?
Gjithçka ka ndodhur prej një individi të vetëm, që policia nuk ka forcë ta nxjerrë jashtë, por e mban para tribunës për të më ofenduar mua dhe të tjerët. Është skandaloze! Personi që më ka dhunuar, ka dalë nga stadiumi dhe është futur sërish pa kaluar 1 minutë. Jam detyruar të largohem personalisht nga stadiumi dhe të shikoj pjesën e mbetur të ndeshjes në shtëpinë time. Sapo ishte bërë goli më erdhi një breshëri të sharash dhe u çudita. Kam qenë në krah me zotin Takaj dhe të dy shumë të qetë për mënyrën se si po shkonte ndeshja. Nuk arrita ta kuptoj çfarë po ndodh? Tifozi vjen afër nesh dhe ofendon. E bën këtë për politikë, për sport apo diçka tjetër nuk e di. Unë jam treguar i qetë në atë moment dhe i kam thënë policit që ishte më afër që të nxirrte jashtë personin që ofendonte. Sapo kam dalë jashtë, më erdhi sinjali që është goditur Takaj. Jam kthyer menjëherë mbrapsht, për të marrë masat që duheshin.
Si ka mundësi që në tribunën VIP ndodhej një person i tillë?
Nuk di çfarë të them. E kam bërë biletën për këtë sektor, me idenë për të shmangur një kategori të caktuar njerëzish, por më kanë akuzuar se është çmim shumë i lartë. E kam bërë edhe pa parà dhe prapë më kanë sharë. Atëherë çfarë duhet të bëj unë si kryebashkiak?! Ky nuk është futboll. Njeriu që shkaktoi gjithë këtë nuk e di si është ndodhur në atë vend. Ndoshta ka blerë biletë për tribunë qendrore. Besoj ka qenë vlonjat, por nuk e kuptova se çfarë kishte që më ofendonte në kulmin e lumturisë.
Çfarë i thatë presidentit të Skënderbeut?
I thashë që ta merrte ndeshjen si të kishte qejf ai, sepse unë nuk kisha asnjë faj në këtë mes. Por, kush e mban përgjegjësinë për këtë? Çfarë është kjo polici e degjeneruar! Çfarë duhet të bëj unë, të nxjerr jashtë gjithë stadiumin. Si do që t’ja vë çmimin biletës, prapë vijnë rrugaçë. Epo atëherë unë nuk mund të merrem me këtë kategori njerëzish. Ky nuk është sport, çfarë faji kanë lojtarët që u ndërpritet ndeshja në një moment të qetë. Me presidentin Takaj dhe zv.presidentin Kollçaku kam qenë për drekë dhe kemi shkuar bashkë në stadium. Nuk më interesonte fare nëse fitohej apo humbej. Për këtë punë duhet të ketë masa ose ndryshe hajde ta bëjmë pa tifozë fare. Që në ndeshjen e radhës që kemi në shtëpi, absolutisht nuk kam për të lënë njeri që të hyjë në stadium.
Çfarë ju kanë thënë drejtuesit e policisë për incidentin?
Asnjë reagim. Policët janë palaço, të cilët vijnë të kalojnë kohën në stadium, për të parë ndeshjen dhe për të ngrënë fara, duke mos bërë detyrën e tyre që u takon në bazë të ligjit. Edhe ata janë njerëz të inkriminuar, pa pikë morali. Si mundet që një person ta shajë kryebashkiakun në sy të policisë? Për çfarë janë forcat e rendit, apo të vijnë të shikojnë ndeshjen dhe të hanë fara. Dola nga stadiumi dhe u thashë policëve që të merrnin masa. M’u përgjigjën se e çuan në polici autorin, por gënjyen.

Gjika për trajnerin
“Turp për Josën, e trajtoi incidentin edhe sportivisht”
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka rezerva ndaj deklaratës së trajnerit Josa: “Më vjen keq me trajnerin Josa, që e trajton në mënyrë të turpshme incidentin. Skënderbeu shënoi pas momentit të incidentit dhe nuk duhet të japë deklarata të atilla, duke e përshirë ndeshjen. Në fushë gjithçka ka qenë korrekte dhe Josës duhet t’i vijë turp që ngatërron atë që ka ndodhur në tribunë me ndeshjen. Në cilin vend të botës mund të ndodhë që kryetari i bashkisë dhe presidenti i klubit të ikin nga stadiumi? Nuk kam pasur asnjëlloj interesi që sot (dje) të fitohej ndeshja me çdo kusht”, – ka thënë Gjika. I pyetur se çfarë pret nga FSHF-ja, ai shtoi: “FSHF të bëjë çfarë të dojë, e mirëkuptoj, por duhet që patjetër të ndryshojë marrëdhënien me Policinë e Shtetit. Këta policë që vijnë në stadium marrin përgjegjësi apo hanë fara dhe shikojnë ndeshjet?! Kam një javë që jam marrë vetëm e vetëm që kjo ndeshje të mos ketë incidente”.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"