“Jam rritur duke parë modestinë dhe përulësinë e Mesit”, Mihana: Gol me peshë, kemi ekip cilësor
Redon Mihana rikthehet te goli duke i dhuruar Erzenit tri pikë të vyera kundër Tiranës. Sulmuesi shijakas, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, u shpreh i lumtur për golin, pasi i kishte munguar prej 3 muajsh.
Redon, gol me aromë 3- pikëshi kundër Tiranës pas një mungese të gjatë, si ndiheni?
Kemi kaluar një periudhë të vështirë pasi kishim 5 ndeshje pa fitore. Nga ana tjetër unë nuk po shënoja dhe normalisht një sulmues matet me gola dhe kur ata mungojnë edhe ekipi nuk fiton nuk ke kurrsesi qetësi. Megjithatë, ia dola të shënoj dhe t’i jap 3 pikë ekipit tim. Jam shumë i lumtur, pasi të ndëshkosh Tiranën nuk është aspak e lehtë, pasi bardheblutë kanë kualitet. Rëndësi ka që morëm 3 pikë që na japin disi qetësi për vazhdimësinë.
Cili është objektivi i Erzenit pasi janë luajtur 14 javë kampionat?
Objektivi ynë është ndeshja e radhës. Duhet t’i marrim maksimumin vetes dhe të arrijmë sa më lartë në tabelën e klasifikimit. Erzeni është ndërtuar me lojtarë të rinj, por me cilësi dhe dëshirë për të bërë mirë. Duhet theksuar fakti se nuk kemi qenë me fat në ndeshjet e fundit. U treguam pragmatistë dhe ia dolëm të fitonim. Na duhet vazhdimësia që në fund të mos kemi trysni për të rrezikuar fatin e sezonit.
Referuar klasifikimit duket sikur Egnatia dhe Partizani bëjnë një kampionat më vete, kë shikoni ekipin më solid për titullin?
Egnatia ka një skuadër më të kompletuar ku ndërthuren mjaft mirë eksperienca dhe talenti i disa futbollistëve që bëjnë diferencën. Por edhe Partizani është emër i madh dhe normalisht ka shanset e veta. Në optikën time Egnatia ka diçka më shumë, por janë ende edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe formula e këtij sezoni u jep shanse 4 ekipeve për të tentuar titullin.
Çfarë u premtoni tifozëve shijakas?
I falënderoj në emër të gjithë klubit që na mbështesin gjithmonë kudo ku luajmë. Ata janë mbështetja jonë më e madhe duke na ndihmuar shumë. U premtoj që do të jap maksimumin ashtu siç kam bërë gjithmonë. Bashkë do t’ia dalim të arrijmë objektivat e sezonit.
Cili është idhulli juaj?
Jam rritur duke parë Leo Mesin. Ajo që më magjeps tek argjentinasi është modestia dhe përulësia e tij, edhe pse ai është gjithmonë vendimtar me cilësitë e tij kudo ku luan.
ISA HALILI -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"