Italiani Rosi kërcënon të kaltrit, Zhorzhinjo: 3-5-2 perfekt për mua, të marrim vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 19:15

Italiani Rosi kërcënon të kaltrit, Zhorzhinjo: 3-5-2 perfekt për mua, të marrim vendin e parë

Një ndër armët më të forta të Hungarisë është trajneri italian, Marko Rosi, që i drejton prej 4 vitesh: “Ajo çfarë kemi bërë sivjet është diçka për të cilën kemi punuar, ndaj nuk habitem.

MARKO ROSI

Por pikërisht tani është ora për të treguar sesa të fortë jemi. Nëse do të arrinim ‘final four’ entuziazmi do të ishte në maksimum këtu, por për ta bërë këtë nuk dua të shoh arrogancë me Italinë, por përulësi, sakrificë. Jam italian, por Hungaria është shtëpia ime gjithashtu”.

Ai ka peshën që Italia nuk do të jetë në Botërorin e Katarit, me dy penallti të humbura kundër Zvicrës, por Zhorzhinjo vazhdon që të ketë besimin e Roberto Mançini dhe në pritje të sfidës me Hungarinë, ku nevojitet një fitore për të shkuar në “final four”, ndoshta jo më kot tekniku morri me vete italo-brazilianin.

“Finalet për Ligën e Kombeve janë aty, 90 minuta larg. Tani na takon neve dhe të shkojmë t’i arrijmë ato. Për të fituar këtë ndeshje nevojitet i njëjti shpirt që treguam në ‘San Siro’ kundër Anglisë. Duhet të luajmë të përulur, pasi është një sfidë e cila fsheh mjaft të papritura, por ne duhet të fitojmë me çdo kusht.

E di që edhe nëse arrijmë finalet nuk do të mjaftojë për atë që pësuam, por unë jam një tip që shoh përpara dhe mësoj nga e kaluara. Skema e re 3-5-2? Mendoj se është perfekte, të paktën për mua po, pasi më jep më shumë lirshmëri dhe garanci në mesfushë për të shprehur futbollin tim. Gjithsesi, në Hungari do të jetë shumë delikate, tepër e vështirë, ndaj të përqendrohemi te fusha”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"