Ishte viti 1952, kur Shqipëria e Myslym Allës mundte 3-2 e 2-1 Çekosllovakinë! (PJESA E DYTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2023 | 16:37

Ishte viti 1952, kur Shqipëria e Myslym Allës mundte 3-2 e 2-1 Çekosllovakinë! (PJESA E DYTË)

Nga BESNIK DIZDARI

PJESA E DYTË – (Pjesa e parë këtu)
Sigurisht askush nuk mund të parashikonte se çka mund të ndodhte. As me kombëtaren e Çekosllovakisë, as me Kombëtaren e Shqipërisë. Dhe për çudi të dukej se e gjithë kjo nuk ishte më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja ishte diçka tjetër. Ishte “Manifestimi i math popullor”, siç përcaktohet, duke shkruar “i math” dhe jo “i madh”.

Skuadra kombëtare e Çekosllovakisë – nënkampione e botës, fotografuar në stadiumin e Romës, para finales më 1934.

Skuadra kombëtare e Çekosllovakisë – nënkampione e botës, fotografuar në stadiumin e Romës, para finales më 1934.

Gjithçka ndodh në paradreken e 29 nëntorit 1952, para tribunës së ngritur në fasadën e hotel “Dajtit”, ku kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Shqipërisë dhe sekretari i përgjithshëm (ende jo i quajtur “i parë”) i PPSH-së, Enver Hoxha, i paraprin dukjes në tribunë, i ndjekur nga delegacioni sovjetik kryesuar nga Gjeneral Kolonel i Gardës K.N.Galicki; nga presidenti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani; nga anëtarët e Byrosë Politike dhe radhazi delegacionet e qeverive të Kinës, Koresë, Polonisë, Republikës Çekosllovake, RD Gjermane, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë, Mongolisë.

Në orën 9 shfaqen dy kalorës befasues, gjeneralët Panajot Plaku e Petrit Dume, ku përshëndet me fjalën e tij ky i fundit. Armiq të ardhshëm, dihet. Dhe mandej parada, që siç shkruhet, ky është “manifestimi i popullit të kryeqytetit” që tregoi edhe një herë “dashurinë që ushqen populli ynë për Partinë e Punës dhe shokun Enver Hoxha”. Ishte kohë e vitit 1952…

29 NËNTOR 1952: SHQIPËRIA – ÇEKOSLLOVAKIA 3-2!
Dhe ja ku mbërrin më në fund pasditja e madhe e futbollit. Ndeshja në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, para gati nja 30.000 spektatorëve në tribunën e nderit të të cilit janë të gjitha personalitet e paradites, shqiptare dhe të huaja, me në krye Enver Hoxhën. Mbajnë fjalime përshëndetëse nënkryetari i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve (KKFSp) pranë Këshillit të Ministrave, Koçi Zengo dhe kryetari i kombëtares çekosllovake, Jozef Maçejka.

Që nga ky çast do ta merrte fjalën futbolli, ndonëse prapë, duke ndërhyrë “publiciteti” politik. Kësaj radhe në pushimin e ndeshjes, Enver Hoxhës i dorëzohet stafeta e ashtuquajtur “Mesazhi i Stafetës së 29 Nëntorit”. Ajo ishte përshkuar nga Malësia e Madhe, e deri në Myzeqe e Konispol, e mbërritur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Ndërkaq, fitorja e madhe e Shqipërisë ndaj Çekosllovakisë, kishte nisur. Një fitore që shfaqej krejt e rrufeshme. Mjaftojnë vetëm 120 minutat e para dhe mbas një kombinimi midis qendërmbrojtësit Fagu dhe sulmuesit Gjinali, goditja e këtij fikson 1-0 për Shqipërinë. Por “rrufeja” shqiptare nuk ndalon këtu. Anulohet një gol, zhvlerësohen tri-katër raste të tjera – të gjitha për shkak të organizimit në mënyrë të përsosur të atij që asokohe quhej “ofsajti artificial”, një veprim taktik që në futboll do të mbretëronte për dekada – për t’u shuar andej nga fillimi i viteve ’70. Por kur mbërrin minuta e 43-të, ajo sjell kombinimin e përkryer Boriçi – Teliti dhe ky i fundit harkon me një teknikë të pagabueshme mbi trupin e portierit Hanaçek dhe Shqipëria shkon në 2-0!

E kishte marrë fjalën e tij Loro Boriçi, i cili do të ketë një kulm me vete në këto dy ndeshje. Kishte “zbuluar” pra, Telitin dhe mjeshtri kavajas – i vetmi kombëtaras që vinte nga 17 Nëntori – i cili nuk e tradhton. Pjesa e dytë është diçka tjetër. Miqtë brenda pesë minutave 62-67′ do ta shndërronin gjithçka në 2-2 me golat e të mirënjohurve Muller dhe Kvapil. Ndonëse përsëri për gati 20 minuta të tëra epërsia është prapë e skuadrës shqiptare. Jareci, Resmja, Boriçi… Por është kthesa e golave për çekosllovakët, çka e vendos ndeshjen në barazi të plotë. Mendohet një rënie e skuadrës shqiptare, siç kishte ndodhur shpesh prej ndikimit psikologjik në raste të tilla.

Megjithatë, jo.
Shqipëria rifillon për të mbërritur te fitorja. Loro Boriçi merr përsipër të kthejë gjithçka. E protagonistët janë dy: portieri Hanaçek, që nuk i ndal pritjet, sidomos në zotërimin e topave thuajse të pandërprerë përmes goditjeve nga këndi të shqiptarëve, dhe tjetri, ai që dihet, Loro Boriçi. Në të 82-ën godet shtyllën. Dhe në minutën e 89-të krijon aksionin e golit të fitores. Nuk përmbahet, hedh vështrimin te 21- vjeçari Skënder Jareci, të cilit rrufeshëm i dhuron topin e artë dhe që shpërthen në driblim, deri dhe ndaj portierit Hanaçek. Dhe tund rrjetën. Fiton Shqipëria 3-2! Kjo ndeshje e Kombëtares së Shqipërisë ishte kthesa e madhe mbas katastrofave 0-3, 0-12, 0-6 të turneut famëkeq 1950 prej skuadrave të Çekosllovakisë, Hungarisë, Rumanisë. Trajneri – debutues absolut në këtë ndeshje, 33-vjeçari Myslym Alla – kishte hapur një faqe të re. Duke u përmbledhur te formacionet, e duke përmirësuar edhe ndonjë mungesë të vogël në “Librin e Kombëtares”, skeda e ndeshjes është kjo:

Hapje faqeje nga gazeta "Sporti Popullor" (1952) që pasqyron fitoren e Shqipërisë ndaj Çekosllovakisë.

Hapje faqeje nga gazeta “Sporti Popullor” (1952) që pasqyron fitoren e Shqipërisë ndaj Çekosllovakisë.

29 Nëntor 1952. Tiranë. St. Kombëtar “Qemal Stafa:

SHQIPËRIA – ÇEKOSLLOVAKIA 3-2

SHQIPËRIA: Q.Vogli, Dibra, Fagu, Spahiu (F.Vogli 46′), Shaqiri, Vila, Teliti, Gjinali, Boriçi, Jareci, Resmja.
TRAJNER: Myslym Alla.

ÇEKOSLLOVAKIA: Hanaçek, Rubas, Jira, Krasl, Çermak (Dvorak 46′), Kalous, Muller, K.Novak (Vyletal 80′), Tomas, Zdarsky, Kvapil.
TRAJNER: Antony Longhaus.

GOLAT: Gjinali 2′, Teliti 43′, Kvapil 62′, Muller 67′, Jareci 89′.
GJYQTAR: Constantin Mitran (Rumania).
SHIKUES: 30.000.

Nuk ndal jehona e ndeshjes. Intervista pafund, prej së cilave po shkëpusim:

ANTONY LONGHAUS (trajner i Çekosllovakisë): “Unë nuk mendoja se niveli i lojtarëve shqiptarë të ishte kaq i lartë”.

CONSTANTIN MITRAN (arbitri): “Skuadra kombëtare e Shqipërisë e ka merituar plotësisht fitoren. Sipas mendimit tim lojtari më i mirë ka qenë portieri çekosllovak Hanaçek”.

ÇERMAK: “Ndeshja më dha të kuptoj mua si lojtar përparimet shumë të mëdha që ka bërë skuadra kombëtare e Shqipërisë”.

MYSLYM ALLA (trajner i Shqipërisë): “Rezultati i ndeshjes mund të ishte i ndryshëm po qe se lojtarët e skuadrës sonë kombëtare, e për më tepër ata të vijës së parë, do të dijshin të manovronin karshi taktikës së “ofsajteve artificiale” që praktikoi skuadra mike. Më pëlqen mjaft vila e parë çekosllovake… Mjaft i mirë portieri Hanaçek”.

Tre protagonistë të fitoreve me Çekosllovakinë 1952. Nga e majta, Zihni Gjinali (autor i 2 golave), trajneri Myslym Alla dhe Refik Resmja, në këtë foto janë duke ndjekur një ndeshje të kampionatit të Shqipërisë në fundin e viteve '80.

Tre protagonistë të fitoreve me Çekosllovakinë 1952. Nga e majta, Zihni Gjinali (autor i 2 golave), trajneri Myslym Alla dhe Refik Resmja, në këtë foto janë duke ndjekur një ndeshje të kampionatit të Shqipërisë në fundin e viteve ’80.

DHJETOR 1952: SHQIPËRIA – ÇEKOSLLOVAKIA 2-1!

Për shumë vite te ne, siç tregonin më të vjetrit, ka qarkulluar mendimi se Çekosllovakia kishte ardhur për të zhvilluar vetëm një ndeshje. Mirëpo, mbas humbjes 2-3, drejtuesit e saj kërkuan edhe një ndeshje tjetër. Ndoshta duhet pranuar kjo, ndonëse është diçka fort e rrallë që një kombëtare e një shteti shkon në shtetin tjetër për të luajtur jo një, por dy ndeshje të njëpasnjëshme. Dhe Shqipëria që pranon. Kështu, më 7 dhjetor, çekosllovakët me në krye trajnerin e tyre të mirënjohur, Antony Longhauz, dalin për herë të dytë në fushë, si të thuash, për të marrë revanshin e humbjes.

Trajneri Myslym Alla i del përballë me po ata djem, duke futur në 11-she, si mbrojtës në vend të Fagut, Isuf Pelinkun, në të vetmen ndeshje të këtij në Kombëtare. Trajneri shqiptar nuk “tutet” dhe është gati për betejën e dytë.

Do të krijojë fitoren e dytë mbas një kryesimi përsëri 2-0. Tanimë brenda 17 minutave, me golat e Gjinalit (dy ndeshje dy gola) dhe të Boriçit. Asgjë nuk mund të bëhet pa Boriçin. Për të goli i parë, në kujtesë do të mbetet deri vonë vërshimi i tij nga mesi i fushës, pa ia arritur ta ndalë askush. Kalim te Resmja, ky i fundit te Gjinali, i cili rreth 8 metra larg portës, nuk shuton rreptë, por thërret teknikën e gjuajtjes së tij, disi të harkuar dhe gjen rrjetën. Episod plot pasuri teknike e mendimi goli i dytë i Boriçit i minutës 17. Kësaj radhe gjithçka nis nga një mbrojtës, Dibra. Ai harkon një top të gjatë, ndoshta 30 metra larg, teksa sheh Boriçin e zbuluar, por kësisoj vetëm për një çast, sepse Jira ndërhyn rrufeshëm, ndonëse është i detyruar t’i dorëzohet teknikës së Loros. Boriçi gjuan, kthen topin portieri Hanaçek dhe Loro pa mëshirë rigjuan dhe 2-0!

Po ndërkaq, çekosllovakët, edhe pse të tronditur, nuk duan të dorëzohen. Tani iniciativa është e tyre dhe ja ku mbërrin minuta e 35-të dhe miqtë shënojnë me një prej sulmuesve më të njohur të historisë së tyre, Dvorak. Mandej kërkojnë barazimin, të cilin di ta ndalë vetëm mjeshtëria e madhe e Qemal Voglit. Është një pjesë e dytë e dyanshme, sulmuese, plot episode, duele portierësh e sulmuesish.

Çekosllovakët nuk duan ta pranojnë assesi humbjen e dytë. Marrin iniciativën dhe sulmojnë pandalur. Dhe nëse në ndeshjen e parë protagonist ishte portieri mik Hanaçek, tani këtë përparësi e ndërmerr portieri shqiptar, i cili po bëhej legjendë: Qemal Vogli. Ai ndalon plot siguri gjuajtjet e rrufeshme të Viletal, të Zdarsky, të Dvorak, për t’u dorëzuar pra, vetëm një herë, në minutën e 35-të pas kombinimit të treshes Cermak – Tomas – Dvorak, ku ky i fundit tund rrjetën shqiptare. Përfundimisht është 2-1, një rezultat që kurrsesi nuk do të ndryshojë për 55 minutat e mbetura. Boriçi shënon sapo fillon pjesa e dytë golin e tretë, por përsëri “ofsajti”, tejet i diskutueshëm, siç shkruan shtypi, ndalon gjithçka. Në 68′-ën vjen shtylla e Jarecit, Shqipëria pretendon një 11-metërsh dhe përsëri “ofsajti”!

Shqipëria kishte arritur t’i jepte një kthese të bukur lojës në të mirë të saj. Kombinimet treshe të shqiptarëve mbërrijnë deri në spektakël dhe po ashtu si në ndeshjen e parë, protagonist bëhet përsëri portieri mik Hanaçek, i cili në pjesën e dytë ka zëvendësuar portierin Petran. Përfundimisht 2-1 për Shqipërinë e Myslym Allës.

Çudia është se kësaj here numri i spektatorëve të pranishëm zbret në 18.000, po me kalimin e minutave tribunat e tij sa vijnë e mbushen gjithnjë e më fort. Kjo edhe për një traditë shqiptare që ka qenë asokohe, kur sidomos mbas pjesës së parë të një ndeshjeje, krijohej një hyrje e re e spektatorëve pa pagesë. 30- vjeçari Loro Boriçi kishte qenë lojtar e trajner brenda skuadrës. Do të jetë ndër ndeshjet e fundit të tij në një ditë fantastike po të tij. “Ato kanë qenë ndeshje të paharrueshme!” E kam dëgjuar këtë sy më sy prej kapitenit të asaj Çekosllovakie të 1952-shit, të famshmit Vaclav Jira më 1991-shin kur ai erdhi në Tiranë mbas 40 vjetëve. Ai shqiptonte me nostalgji një emër të vetëm, Loro Boriçi! Triumfuesi, në kahun tjetër të vlerave të një fitoreje asisoj, do të ishte vetëm njëri, trajneri Myslym Alla. Këtu merr fund dhe historia e parë e tij me Kombëtaren. Do të jetë trajneri i vetëm i saj që do të largohej me 100 për qind sukses: dy ndeshje-dy fitore. E bashkë me Allën shpërndahet edhe Kombëtarja. Çka do të ishte kjo Kombëtare dhe vetë trajneri, Myslym Alla, nëse do të kishte vazhdimësi…?

Po për fat, qysh nga viti 1952 dhe deri më 1963-shin, Kombëtarja e Shqipërisë zhvillon vetëm 3 ndeshje. 3 ndeshje të vetme në 11 vjet! Më 1953-shin Shqipëri-Poloni 2-0, më 1957 Kinë-Shqipëri 3-2 (me episodin e padëgjuar kur në pjesën e dytë futet në lojë trajneri Loro Boriçi) dhe Shqipëri-RD Gjermane 1-1 më 1958-ën. Tri ndeshje të vetme!

Kështu deri te Danimarkë-Shqipëri 4-0 më 1963-shin, ndeshje e parë e Shqipërisë për kualifikimet euro-botërore.

Ndërkaq, do të mbetet “proverbial” konkluzioni i gazetës “Sporti Popullor” mbas fitores së dytë me Çekosllovakinë. Ajo shkruan: “Me ndeshjen e 7 dhjetorit skuadra jonë kombëtare i dhuroi atdheut një fitore të re duke treguar përparimin e saj nga ana teknike e taktike si rezultat i kujdesit të vazhdueshëm të partisë e të qeverisë për lëvizjen tonë fizkulturale e masive”! Ja dhe skeda historike e kësaj fitoreje të dytë po aq të bujshme:

7 dhjetor 1952. Tiranë. St. kombëtar “Qemal Stafa”

SHQIPËRI-ÇEKOSLLOVAKI 2-1

SHQIPËRIA: Q.Vogli, Dibra, Pelinku, Spahiu, Vila, Shaqiri (Peqini 46′), Teliti (Parapani 46′), Gjinali, Boriçi, Jareci, Resmja.
TRAJNER: Myslym Alla.

ÇEKOSLLOVAKIA: Petran (Hanacek 46′), Rubas, Jira, Krasl, Cermak, Kalous, Vyletal, Tomas, Zdarsky, Kvapil, Dvorak (K.Novak 40′) (Muller 46′).
TRAJNER: Antony Longhaus.

GOLAT: Gjinali 5′, Boriçi17′, Dvorak 35′.
GJYQTAR: Constantin Mitran (Rumania).
SHIKUES: 18.000.

ÇFARË ISHTE SHQIPËRIA 1952 E MYSLYM ALLËS?

Kishte ndodhur për herë të parë që Kombëtarja e Shqipërisë të fitonte ndaj së njëjtës Kombëtare të një shteti të huaj, dy herë rresht në tokën shqiptare brenda 8 ditëve. Deri më sot kjo nuk na ka ndodhur më asnjëherë. Dhe kur kujton mandej, se këto dy fitore u arritën ndaj një prej Kombëtareve më të vjetra të Europës, përveç të tjerave një nënkampione të botës (1934), atëherë çudia merr përmasa të papara. Natyrisht duke hyrë në atë kohë, të një Kombëtareje shqiptare që kishte zhvilluar vetëm 20 ndeshje, por pse jo, edhe duke hyrë në kohën e mëpasshme… Natyrisht, ndeshjet kishin shkaktuar, si të thuash, një lloj drame te skuadra e Çekosllovakisë, e cila kishte ardhur për të luajtur një ndeshje, por kërkon të dytën. I humbet të dyja dhe ja ku kërkon ndeshjen e tretë.

Këtu ndodh dhe çudia e madhe… Që 4 ditë më vonë, më 14 dhjetor 1952, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të luhet ndeshja më e çuditshme në botë: Puna e Tiranës Stalingrad i Pragës! Ky ishte një shndërrim i çuditshëm i kombëtares çekosllovake në emërtim përballë Punës së Tiranës. Në të vërtetë te Puna ka edhe emra të tjerë, të tillë si Maliqati, Kurani apo Q.Cungu (nuk kam mundur të gjej përbërjet skeduese të skuadrave). Stalingradi i Pragës fiton 2-1 (Dvorak 22′, Gjinali 30′, Vyletal 73′). E gjykuar nga një treshe gjyqtarësh shqiptarë (Eqrem Hoxha, Ejup Laçej, Jorgji Godari), ndeshja thuajse është e baraspeshuar, por tashmë ajo nuk ka vlerën e dy të parave. Aq sa të duket që luhet më tepër për hir të dëshirave të miqve për të mos u larguar nga Shqipëria pa një fitore. Ata e marrin këtë fitore, ndonëse jo me emrin e kombëtares së tyre, Çekosllovakia, por në një shndërrim që na ngjason fort me rastin e Polonisë më 1953-shin, e cila mbasi u mund 0-2 nga Shqipëria, do të vinte e të luante në Shkodër me emrin Stalingrad, duke fituar 4-1 kundër Punës së Shkodrës. E pra, çka ishte Shqipëria e Myslym Allës, e cila mposht dy herë Çekosllovakinë?

Çka kemi përshkruar deri tani, kuptohet qartë se ajo Shqipëri ishte një skuadër e nivelit të plotë ndërkombëtar. Nga skuadra fitimtare dhe tejet e suksesshme, siç kishte qenë kombëtarja e Ballkaniadës (1946) dhe ajo e Kampionatit Ballkanik dhe Europës Qendrore (1948) ishin ende Dibra, Parapani, Teliti, Boriçi, Spahiu, Fagu, Shaqiri, pra 6 lojtarë. Kjo e fitoreve me Çekosllovakinë kishte edhe ndryshimet e saj. Çka tregonte se Shqipëria e vogël nuk shteronte prej talenteve të saj. Dhe skuadra “shqiptare do të mund të korri suksese në ndeshjet me skuadrat e tjera, si jashtë shtetit, ashtu dhe brenda”, siç do të deklaronte mbas ndeshjes së dytë kapiteni çekosllovak, Vaclav Jira.

Çka sigurisht mund të ndodhte, nëse shteti nuk do ta “dënonte” këtë Kombëtare me ndërprerje të pamëshirshme pjesëmarrjesh (3 ndeshje në 11 vjet)!

Kombëtarja e trajnerit Myslym Alla ishte plotësuar më së miri. Ai ka meritën se formon një Kombëtare, thuajse të dy brezave, për të mos thënë të tri brezave, kur (më i vjetri ishte 30-vjeçari Loro Boriçi) duke kulmuar ndërkohë me dy të rinj të përmasave po ndërkombëtare, siç ishin 21-22-vjeçarët Refik Resmja e Skënder Jareci, talente unike në historinë e futbollit shqiptar.

Kjo Kombëtare do të presë plot 1 vit për të ridalë në fushën e lojës, përsëri në një ditë të 29 Nëntorit, por tashmë e vitit 1953: Shqipëria – Polonia 2-0. Që do të thotë e treta fitore radhazi e Kombëtares së Shqipërisë. Unike edhe kjo. Trajner i Kombëtares është hungarezi Miklos Vadas, po ndërkaq, Myslym Alla në grumbullimin e parë është trajner i dytë me të. Kaq.

Një vit më vonë (1954) Myslym Alla bën kampion të Shqipërisë Partizanin, mbasi kishte sunduar Dinamo 4 vite me radhë, por përsëri harrim. Do të duhet të kalojnë edhe 10 vjet për të mbërritur atë që po e quaj shkëlqimi i tretë i trajnerit Myslym Alla. Ky shkëlqim për historinë e futbollit shqiptar, sado modest që ai mund të jetë, do të jetë epokal. Ai do të mposhte Partizanin e Dinamon së bashku, të paprekshmit e mëdhenj, duke sjellë në mesin e viteve ’60 futbollin modern, futbollin e shpejtësisë së madhe e lojës së një kolektivi të rrallë, të një taktike po të rrallë për ne, nën simbolin, siç e përcaktonte ai vetë, që shfaqej vezullues, sidomos nën emrin e Skënder Halilit, të cilin pa mëshirë do ta burgosnin. Por 17 Nëntori, kampion i viteve 1965-’70, do të mbërrinte deri te përkulja momentale e një Ajaksi, vepër tjetër e madhe e trajnerit Myslym Alla. Siç kam shkruar te “Libri i Kombëtares”, ai i ka përballuar të gjitha me modesti të rrallë e qëndresë të një qetësie tejet. Lavdinë dhe insinuatat, përgëzimet e mëdha dhe sulmet, atributet dhe politikën e keqe, që shpesh kërkonte ta shtypte me brutalitet, urimet e sinqerta dhe inatet e meskinëve, adhurimet për skuadrën e tij të bukur dhe goditjet që vinin të pamëshirshme prej një tifozllëku të kastës. I ka përballuar madje jo vetëm me trimëri, por dhe me një humor therës, çka ai e kishte armën e tij të mprehtë. Këtu, po aq sa i ditur ishte në futboll, po aq proverbial shfaqej sa herë kur sulmet befasisht mbërrinin jo pak të ashpër. E ai i thyente të gjitha. Mirëpo, ja që historia është histori, sado e pamëshirshme të shfaqet ajo. Kësisoj, të duket diçka e papritur kur më 1964-ën ai bashkohet me Loro Boriçin dhe së bashku shkojnë dhe tronditin 4-0 në Danimarkë. Shkarkohen me ceremoni të dy sapo kthehen dhe po kaq papritmas i bashkojnë në prillin e 1967-ës, kur tronditen për herë të dytë, tashmë 6-0 prej Gjermanisë së Bekenbauerit, Overatit e Mylerit…

Rrugës, gjatë ndalesës në Romë, Myslym Alla guxon e kalon një drekë të paharrueshme me Naim Kryeziun, bashkëlojtarin e tij të Sportklub Tiranës së viteve ’30, të cilin e takon mbas 25 vjetësh, atëherë trajner i dytë i Romës. Kur vjen në Tiranë shpërthejnë thashethemet të tipit të sigurimsave, po Myslym Alla shëtit i qetë Bulevardit të Tiranës, si gjithmonë me cigare në buzë. Kaq.

Ndërkaq, kur më 1972-shin dikush i jep Loro Boriçit rrugën e largët të Kinës, si gjithmonë papritmas, kujtohen sërish për Myslym Allën. Ka 3 ndeshjet e fundit të tij, 3 humbjet e tij: 0-2 prej Rumanisë në Bukuresht më 29 tetor 1972, 0-2 prej RDGJ-së në Magdeburg më 8 prill 1973 dhe të pafalshmen 1-4 në Tiranë prej Rumanisë më 6 maj 1973. Dy të parat edhe pse humbje janë të nivelit europian. E dyta jo. Nuk janë ndeshje miqësore. Janë ndeshje të kampionatit botëror. E vërteta është se trajnerit Alla do t’i duhet të matej me skuadrat më të mira që kishin pasur ndonjëherë Rumania e RDGJ. Emrat e lojtarëve të tyre ishin vërtet botërorë: Dumitrake, Nunvajler, Dobrin, Dembrovski, Luçesku, Dinu, Satmareanu, Radukanu nga njëra palë; Kroj, Kurbjuvavt, Shparvaser, Duke, Shtrajsh nga pala tjetër.

Kështu, trajneri Myslym Alla (1919-1999) la mbas vitet e mbylljes së madhe, që për Shqipërinë nuk do të vononte të mbërrinte. Dhe në pesë ndeshjet e tij në një interval tejet të gjatë, 20-vjeçar, ai merr me vete dy fitoret e bujshme të Çekosllovakisë, duke mbetur rival i fortë në garë me të gjithë trajnerët e Kombëtares. Nuk e zbehin portretin e tij këto tri humbje. Sepse, siç kam shkruar me kohë, rrallë një trajner ka qenë kaq popullor sa Myslym Alla. Rrallë një figurë futbolli ka qenë kaq besnike e klubit të tij, të cilit ia risolli historinë, lavdinë, gëzimin e madh të fitoreve të bujshme. Është ndër të rrallët trajnerë emri i cilit thirrej në tribuna po aq sa dhe i lojtarëve të tij të mrekullueshëm. U largua nga jeta më 1999-ën, disi papritmas, ndonëse 80-vjeçar, kur prapë dukej i fortë, teksa vinte e trokiste edhe në derën e zyrës së një kryeredaktori të një kohe tjetër, siç ishte autori i këtushëm, i cili më 1952-shin, një fëmijë dhjetëvjeçar, ia kishte përjetuar dy fitoret e tij sensacionale përmes transmetimit të radiofonik të Anton Mazrekut të madh. Doemos, kur ai vinte, ngrihesha në këmbë plot kënaqësi, e mirëpritësja, teksa ai më sillte shkrimet e tij, aq të qarta e besnike, që botoheshin me plot dëshirë. Myslym Alla kishte marrë pendën dhe radhazi po i evokonte brezit të ri yjet e futbollit të qytetit të tij të dashur, Tiranë, së cilës i fali gjithë jetën. Po e mbyll me djemtë e tij të vitit 1952. Ndonëse jo pak prej tyre nuk mund të quhen djemtë e tij, për shkak se ai nuk ishte fort më i madh. Madje me njërin prej tyre, Loro Boriçin, ai do t’i bëhej zëvendëstrajneri tij në Kombëtare. Janë episode për romane historike të futbollit…

Të renditur sipas alfabetit, fitimtarët e Çekosllovakisë më 1952- shin ishin:

Loro BORIÇI (Partizani), Muhamet DIBRA (Puna e Shkodrës), Besim FAGU (Partizani), Zihni GJINALI (Dinamo), Skender JARECI (Dinamo), Aristidh PARAPANI (Partizani), Isuf PELINKU (17 Nëntori), Sabri PEQINI (Dinamo), Refik RESMJA (Partizani), Rexhep SPAHIU (Partizani), Xhevdet SHAQIRI (Dinamo), Qamil TELITI (17 Nëntori), Muhamet VILA (Dinamo), Fadil VOGLI (Partizani), Qemal VOGLI (Dinamo).

Si gazetar, pothuajse me të gjithë këta futbollistë të paharrueshëm e qytetarë fisnikë, ruaj kujtime, miqësi e marrëdhënie të pashlyeshme. Çka ndonëse këto të blatojnë nostalgji, nga ana tjetër e forcojnë tejet qëndresën burrërore, me të cilën profesioni ynë e kërkon të ushtrohet. Sepse vetëm kështu mund të ushtrohet me ndershmëri e dituri. Dhe nuk gaboj kur them se mirëfilli vërtet është një profesion burrëror. Tani e kanë fjalën djemtë e shekullit XXI, këta të vitit 2023, të cilët në këtë 7 shtator do të synojnë jo më një Çekosllovaki, por një Republikë Çeke. Paçin fatin e Shqipërisë së Myslym Allës 1952!

Për vazhdimësi shih “Panorama Sport” 5 shtator 2023 (KLIKO KËTU)

RIBOTIMI I KËTIJ SHKRIMI NUK MUND TË BËHET PA LEJEN E KOMPANISË.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"