“Isha sëmurë pas ndeshjes me Dinamon”, Deliallisi: Erzeni e ka forcën të mundë sërish Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 9:10

“Isha sëmurë pas ndeshjes me Dinamon”, Deliallisi: Erzeni e ka forcën të mundë sërish Tiranën

Erzeni pret sot Tiranën në stadiumin e Rrogozhinës, në orën 13:30, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë Superiore.

deliallisi

Shijakasit, të cilët kundër Dinamos u shfaqën në versionin e “të uriturve” për fitore, nuk ia dolën dot, duke sjellë kështu mbi vete shumë halle, sidomos në aspektin psikologjik të grupit, të cilët kanë tentuar nga java në javë për një ndryshim në renditje, por pa sukses. Në tabelë ata mbajnë vendin e nëntë, të parafundit me 13 pikë, ndërsa Tirana në vendin e tretë në kuotën e 21 pikëve. Kujtojmë që skuadrat janë përplasur së bashku në javën e 5-të të kampionatit, ku Erzeni ka fituar në transfertë 0-1 me një gol të Maliqit në minutën e 18-të. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Alfred Deliallisi hedh poshtë polemikat si shkak i mosdhënies së një interviste në përfundimin e ndeshjes kundër Dinamos, duke sqaruar se largimi ishte për shkaqe shëndetësore.

“Pikë së pari mosdalja ime për të dhënë intervistë, nuk kishte të bënte me çështje si mërzitja ime me arbitrimin, apo diçka tjetër siç flitet, por gjendja ime shëndetësore nuk ishte optimale në ato çaste. Vërtet nuk u ndjeva mirë. Për këtë situatë kërkoj ndjesë. Ndeshja me Dinamon? Luftuam, bëmë maksimumin, por duhet të pranojmë atë që ndodhi. Për sa i përket Tiranës si kundërshtar dihet historia dhe forca e tyre. Por meqenëse këto ditë jam munduar ta ngre ekipin nga ana psikologjike, i them që ajo forcë që ka arritur ta mundë Tiranën në fazën e parë, atë e kanë dhe e gjejnë brenda grupit. Ndaj duhet të dalin nga kjo situatë duke dhënë gjithçka nga vetja për atë rezultat pozitiv të shumëpritur. Organika është e plotë, përveç Atandës, për shkak të kartonit të kuq. E përsëris. Nuk e humb besimin te ky grup, e formula e vetme është të qëndruarit të bashkuar me njëri-tjetrin duke dhënë 100%”, deklaroi Deliallisi.

Er

ERALD DERVISHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"