Ish-trajneri tregon arsyet e luhatjeve të verdhebluve, Dosti: Kujdes nga Besa, titulli bonus për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 12:58

Ish-trajneri tregon arsyet e luhatjeve të verdhebluve, Dosti: Kujdes nga Besa, titulli bonus për Elbasanin

 Muharrem Dosti, ish-portieri dhe trajneri i Elbasanit ndër vite, e sheh me optimizëm paraqitjen e skuadrës këtë edicion për aq kohë sa rezultatet flasin vetë. Ai analizon edhe momentet që skuadra çalon, duke e lidhur me vetëkënaqësinë, por fakti që skuadra kthen rezultatin tregon për forcën e saj.

MUHARREM DOSTI

Dosti bën apel që të tregojnë kujdes me Besën, sepse historikisht për Elbasanin ka qenë një “mace e zezë”. Në fund, ai thotë se Elbasani nuk duhet të heqë dorë nga vendi i parë, duke e konsideruar si një bonus për ngjitjen.

Dosti, si e keni parë Elbasanin këtë edicion? 

E përgjithshmja është pozitive, sepse janë rezultatet ato që flasin. Për aq kohë sa skuadra thuajse nuk e ka vënë në diskutim objektivin e ngjitjes, tregon për një ekip konstante dhe që e ka të qartë qëllimin.

Megjithatë, nuk mungojnë edhe luhatjet në ndeshje të caktuara… 

Është e vërtetë, por besoj se është diçka që nuk i shmangesh dot. E tillë është loja e futbollit dhe për më tepër në një kampionat të gjatë do ketë edhe momente kur ekipi do çalojë. E rëndësishme është që ekipi merr pikët dhe nuk po e vë në diskutim ngjitjen.

Kundër Luzit u pa një ekip që rrezikoi shumë. Pse ndodhi kjo? 

Kualitetet e Elbasanit nuk vihen në diskutim, sepse ka lojtarë që bëjnë diferencën. Mirëpo, ky fakt bën që ndonjëherë të hyjnë në fushë me një vetëkënaqësi dhe kjo u sjell probleme më pas. Gjithsesi, fakti që skuadra reagon shpejt kur është në disavantazh tregon pikërisht forcën që ka. Nuk janë rastësi kthimet e shpeshta të rezultateve. Kjo tregon karakterin dhe forcën e grupit.

Këtë javë luajnë me Besën, nga çfarë duhet të ruhet Elbasani? 

Ajo që thashë pak më lart, vetëm vetëkënaqësia mund të bëjë të mos marrin rezultatin. Besa vërtet nuk ndodhet në pozita të mira, por nuk duhet të harrojmë se është një ekip tradite dhe në momente të caktuara mund të hapë probleme. Sa për kujtesë, Elbasani gjithnjë ka hasur vështirësi me këtë kundërshtar, ndaj kujdesi duhet të jetë evident.

Dy pikë më pak sesa Bylisi, sa shanse ka ekipi të ngjitet si kampione? 

Praktikisht dy pikë nuk janë asgjë në dhjetë javë që kanë mbetur. E them këtë, që skuadra duhet ta tentojë deri në fund dhe jam i bindur se do t’ia bëjë hyzmetin. Ka një siguri nga mbrapa dhe kjo i bën disi më komodë. Gjithsesi, nuk duhet të harrohet se primare është ngjitja dhe titulli kampion të shihet si një bonus.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"