Ish-trajneri Ramadan Baballëku: Situatë e vajtueshme, fitorja me Besën detyrim moral për Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 15:05

Ish-trajneri Ramadan Baballëku: Situatë e vajtueshme, fitorja me Besën detyrim moral për Lushnjën

Lushnja ka regjistruar vetëm një fitore në fazën e tretë. Teksa janë zhvilluar shtatë sfida nga kjo fazë, verdhejeshilët njohin vetëm 1 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Tre nga katër humbjet janë arritur në ndeshjet e fundit. Tashmë lushnjarët duhet të ndërrojnë “marshin”, pasi ndodhen në zonë në “play out”-it, me pikë të barabarta me Besën dhe Burrelin.

ramadan baballeku majtas

Kjo javë sjell përballjet direkte të kësaj zone, Lushnja-Besa dhe Kastrioti-Burreli. Në një opinion për “Panorama Sport”, ish-futbollisti dhe ish-trajneri, Ramadan Baballëku, u shpreh: “Është një situatë skandaloze dhe e vajtueshme, pasi disa lojtarë nuk luajnë, por ecin në fushë. Ka futbollistë që nuk impenjohen, nuk justifikojnë vetveten dhe të përfaqësojnë një skuadër të Kategorisë së Parë si Lushnja. Nuk justifikojnë interesimin, që bëhet nga sponsori që është Bashkia. Ka vend për masa konkrete për të mirën e futbollit të Lushnjës. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Ka ardhur momenti që ekipi të dalë nga kjo situatë, që ata vetë e kanë krijuar.

Mendoj se ekipi duhet të karikohet deri në fund të kampionatit. Ndeshja e radhës është një derbi. Fitorja me Besën është një detyrim moral për verdhejeshilët, pasi jo çdo gjë ka mbaruar. Një fitore me Besën e fut ekipin në rrugë të mbarë. Duhet të gjejnë forcën, moralin, grintën dhe në zbatim të këtyre, kërkojmë ato që duhen. Primaret e futbollit janë dëshira dhe grinta. Pa këto është e pamundur fitorja. Mos të bien në pesimizëm. Duhen gjetur rrugët për të shkuar te fitorja dhe unë e uroj këtë dhe e besoj”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"