Ish-trajneri Miho: Prapavija është super, Rodriges po punon mirë tek Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2023 | 20:41

Ish-trajneri Miho: Prapavija është super, Rodriges po punon mirë tek Apolonia

Marjol Miho nuk është aspak i befasuar nga Apolonia. Vlerëson pikët e marra në këtë fillimkampionat, veçanërisht në transferta. Mendon që kjo ecuri nuk është aq rastësore, por meritë e plotë e Jeraj Rodrigesit.

mariol miho

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri mendon se ky mund të jetë sezoni i duhur për fierakët. Nuk e quan të pamundur ngjitjen, ndonëse garën e parashikon të ashpër.

Sa e keni ndjekur Apoloninë këtë sezon dhe çfarë ju ka bërë përshtypje në këto gjashtë javë të para?

Nuk lë pa parë asnjë ndeshje në Fier, por herë pas here i ndjek edhe në transfertë. Përshtypje më ka bërë veçanërisht personaliteti dhe karakteri i këtyre lojtarëve të rinj. Pavarësisht moshës, kanë treguar personalitet dhe për këtë i përgëzoj.

Skuadra është në vend të 4- t. I befasuar nga renditja?

E prisja, përveçse e dëshiroja me zemër e me shpirt. Apolonia ka lojtarë të rinj në përbërje, por të pjekur, sepse është viti i tretë radhazi në Kategorinë e Parë. Besoj se do të ketë vazhdimësi kjo ecuri. Skuadra ka grintë, dëshirë e vullnet për të bërë më shumë.

E keni një vlerësim për punën e spanjollit Jeraj Rodriges?

Starti është thuajse perfekt, çka do të thotë se po bën një punë shumë të mirë. E ka nisur mbarë kampionatin dhe fillimi i është gjysma e punës. Faktet dhe statistikat e deritanishme flasin vetëm në favor të tij. I uroj çdo të mirë dhe shumë fat.

Një pikë përballë Flamurtarit. I pranueshëm barazimi?

Një pikë në transfertë, për më tepër në Vlorë, është OK. Mirëpo se si shkoi loja në tërësinë e saj, personalisht mendoj se Apolonia mund të merrte më shumë. Nuk mund të kënaqemi me barazimin, aq më pak kur i kishim rastet e pastra. Apolonia duhet të synojë gjithmonë maksimumin, sepse në këtë kategori nuk ka favoritë absolutë.

E radhës është me Tomorin, në stadiumin “Loni Papuçiu”. Çfarë prisni nga ky takim?

Tomori është një kundërshtar i fortë. Kanë një ekip cilësor me djem të rinj, por edhe kanë në krye një trajner ambicioz e serioz, Klodian Arbërin. Pres që Apolonia të bindë sërish me lojë dhe rezultat, pasi pritshmëritë po rriten javë pas jave dhe fitorja është detyrim në “Loni Papuçiu”.

Sa larg mund të shkojë kjo Apoloni?

Duhet të shkojë shumë larg dhe me këtë kam parasysh ngjitjen. E vështirë për t’u arritur, por aspak e pamundur. Kjo Apoloni ka si pikë të fortë repartin difensiv. Janë shumë solidë, lënë pak hapësira dhe duhet të stërmundohesh që t’i shënosh gol këtij ekipi. Katër ndeshje me rrjeta të paprekura nga gjashtë në total. nuk janë aspak rastësi.

Cilët janë rivalët kryesorë të Apolonisë për objektivin madhor “Abissnet Superiore”?

Ka disa në fakt, por veçanërisht Bylisin e shoh si një hap para të gjithëve. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, ndaj mund të ketë edhe surpriza. Gjithçka do të jetë e hapur deri në finish.

HILMI SALIU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"