Ish-trajneri Klevis Dalipi: Lushnja mbijeton, por le të jetë sezoni i fundit me probleme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 20:46

Ish-trajneri Klevis Dalipi: Lushnja mbijeton, por le të jetë sezoni i fundit me probleme

Tri javë para përfundimit të kampionatit, Lushnja ndodhet në vendin e shtatë me 34 pikë. Verdhejeshilët janë në garë të hapur me Kastriotin, Burrelin dhe Besën për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë.

klevis dalipi

Në këtë katërshe, duket se dy skuadra do të shpëtojnë dhe dy të tjera do të shkojnë në “play-out”. Lushnjarët kaluan me sukses Besën, ndërsa këtë javë luajnë në transfertë me Burrelin dhe diferenca është tri pikë në favor të skuadrës së Maganit. Vitin e kaluar Lushnja shpëtoi me anë të “play out”-it, ndërsa në këtë sezon kërkohet qëndrimi pa ndeshje shtesë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri elbasanas Klevis Dalipi, që drejtoi Lushnjën në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, tha se ky do të jetë viti i fundit me vështirësi.

“Drejtuesit e Lushnjës kanë investuar për klubin me shumë korrektësi dhe janë për t’u marrë shembull. Nuk e besoj që Lushnja nuk do ia dalë, sepse nuk e meriton këtë. Uroj që në këto ndeshje Lushnja të marrë rezultatet që i duhen. Është shumë e vështirë, madje edhe më e vështirë se vitin e kaluar. Ka skuadra me emër që ndodhen në këto pozicione, siç Kastrioti që erdhi nga Superiorja. Unë mendoj se Lushnja në tri javët e mbetura do t’i marrë pikët që të evitojë “play out”-in. Edhe nëse do të shkojë në “play out”, i ka të gjitha mundësitë. Edhe pse është një ndeshje teke e plot vështirësi, i ka të gjitha mundësitë të shpëtojë përsëri”, u shpreh Dalipi.

E ardhmja- Në lidhje me të ardhmen, ish-trajneri Dalipi tha: “Lushnja ka organikën, njerëzit që e mbështesin dhe një staf të përgatitur. Respekt maksimal për Gugash Maganin, për profesorin i cili ka një eksperiencë të madhe mbi supe dhe do të dijë ta kalojë me sukses situatën. Uroj dhe besoj se Lushnja t’i shpëtojë “play out”-it e të mbijetojë pa ndeshje shtesë. Magani është një trajner me përvojë dhe e di shumë mirë që në situata të tilla, gjëja më e rëndësishme është qetësia. Kjo është “arma” më e mirë që ai ka, si dhe besimi që përcjell në skuadër.

Kanë edhe mbështetjen e tifozërisë. Lushnja duhet të ishte dhe do të jetë përsëri tempull. Ka një investim madhor për këtë klub, kështu që nuk e meriton qëndrimin. Unë mendoj se do ia dalin paq këtë vit, pastaj të shikojnë e të organizohen për një sezon më të suksesshëm. Publiku lushnjar ka të drejtën absolute, sepse ata duan që skuadra e tyre të qëndrojë lart. Janë të mrekullueshëm dhe do të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, të mbështesin skuadrën. Çdo klub i ka vështirësitë e veta. Kemi parë skuadra të mëdha edhe në botë, që i kanë pasur këto probleme. Mendoj që ky do të jetë sezoni i fundit dhe pastaj çdo gjë do të bëhet më mirë për Lushnjën”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"