Ish-trajneri Dedja: Lushnja mbijeton, por i duhet një president për të ecur përpara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 21:51

Ish-trajneri Dedja: Lushnja mbijeton, por i duhet një president për të ecur përpara

Kampionati i Lushnjës ka hyrë në një fazë tjetër, ku askush nuk e kishte menduar në fillim të sezonit se do të gjendeshin në këtë pozicion. Skuadra verdhejeshile është në garë me katër ekipe për vendet e 7-ta dhe të 8-ta, që sigurojnë mbijetesën në Kategorinë e Parë pa pasur nevojën e ndeshjes shtesë në fund të sezonit.

Hysen-Dedja-e-pranon-Lushnja-do-merkato-por...

Por duhet reflektim, pasi edhe më e keqja nuk është larg, pasi kanë vetëm katër pikë më shumë se Luzi i vendit të 11-të. Kur kanë mbetur edhe katër javë, myzeqarët do të luajnë ndeshje të drejtpërdrejta me rivalët e tyre, në shtëpi me Besën dhe Kastriotin, si dhe në transfertë me Burrelin. Më pas, kampionati i Lushnjës do të mbyllet me transfertën me Tomorin, që ka dalë edhe matematikisht nga Kategoria e Parë. Këtë të diel lushnjarët presin Besën në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Me kavajasit kanë pikë të barabarta dhe këtë sezon secila skuadër ka regjistruar nga një fitore në përballjet mes tyre. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i njohur shkodran, Hysen Dedja, që e ka drejtuar Lushnjën në tri periudha të ndryshme tha Lushnja është skuadra më e mirë dhe verdhejeshilët nuk duhet ta diskutojnë qëndrimin në këtë kategori. “Më vjen jashtëzakonisht keq që futbolli i qytetit të Lushnjës ndodhet prej disa vitesh në këto situata. Lushnja ka sportdashësit më të mirë në Shqipëri dhe që kërkojnë të kenë skuadër dinjitoze.

Varësia nga bashkia nuk ka dhënë rezultat as te Lushnja, as te qytetet e tjera, por të ardhurat e akorduara janë normale për Kategorinë e Parë. Në përgjithësi, kur skuadrat drejtohen nga bashkitë shpërndahet përgjegjësia. Lushnja duhet të ketë president. Lushnja nuk duhet ta diskutojë qëndrimin në këtë kategori, pasi ka skuadër më të mirë nga Kastrioti, Burreli dhe Besa. Jam i sigurt se do të jetë Lushnja ajo që do të shpëtojë. Pasi të ndodhë kjo, duhet të bëjë një analizë të gjatë, sepse është hera e dytë që shpëton me vështirësi. Duhet një analizë për të nxjerrë mësime.

Me këto terrene dhe fushën që ka Lushnja, infrastrukturë e përmirësuar ndjeshëm, skuadra duhet të pretendojë për më lart. Nuk e meriton ai sportdashës që të jetë në këtë kategori. Nuk i takon Lushnjës të jetë aty dhe të vuajë kaq shumë për të qëndruar”, deklaroi ish-trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"