Ish-sulmuesi Gjata: Me trajnerin Ziu, Tomori do të dalë nga kriza. Ta nisim që tani me Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 20:34

Ish-sulmuesi Gjata: Me trajnerin Ziu, Tomori do të dalë nga kriza. Ta nisim që tani me Burrelin

Pas pesë javësh pa fitore, gabimet nuk lejohen më te Tomori. Këtë të hënë presin Burrelin dhe hesapet bëhen vetëm me pikët e plota. Asnjë rezultat tjetër nuk do t’i ndihmonte që të përmirësonin pozitat në renditje. Në Berat janë optimistë në fakt dhe kjo u është përforcuar edhe pas ardhjes së Febron Ziut në stol. I këtij mendimi është edhe Edmond Gjata, ish-sulmues dhe kapiten i beratasve.

gjata

Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, ai thotë se shanset e kthesës janë të mëdha. “Është momenti që t’i qëndrojmë pranë skuadrës sonë të zemrës. Ecuria nuk ka qenë e mirë dhe kjo dihet, por duhet mbështetje masive. Besoj fort se do ta kalojmë me sukses ndeshjen e radhës. Presim Burrelin të hënën dhe koha për ta përgatitur është. Përtej krizës së rezultateve, kthesa do të vijë. Janë që të gjithë komponentët. E presim kundërshtarin në shtëpi, tifozët do të jenë në stadium dhe mbi të gjitha në stol kemi trajner të ri.

Rëndom ndodh që lëvizjet në pankinë sjellin një frymë të re. Febron Ziu i ka që të gjitha shanset që të debutojë me një trepikësh. Klodian Arbëri meriton gjithë respektin tonë për kontributin e dhënë. Ftoj tifozërinë beratase që ditën e hënë të jetë faktor ndihmës për të kapërcyer këtë gjendje të vështirë”, deklaroi Gjata, që vjet ishte edhe ndihmës i Klodian Arbërit. Vendimi për të spostuar ndeshjen me dy ditë i vjen në ndihmë beratasve. Ata kanë shansin që të stërviten pak më shumë me trajnerin e ri dhe rikuperojnë lojtarët që nuk kanë qenë në gjendjen optimale.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"