Ish-mbrojtësi Tafaj: Dinamos nuk i takon ky vend, fokusi ynë te pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 13:06

Ish-mbrojtësi Tafaj: Dinamos nuk i takon ky vend, fokusi ynë te pikët

Me 4 pikë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, Dinamo ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, edhe pse mbetet e fundit në tabelë. Stafi i ri teknik i bluve, me në krye trajnerin Dritan Mehmeti, ia ka dalë ta ndryshojë situatën sadopak dhe të gjithë shpresojnë që kjo skuadër të ketë bërë kthesën për të ndryshuar edhe fatet e sezonit.

ddfgfd

Rruga e kryeqytetasve mbetet gjithsesi një malore e fortë, sepse ata kishin krijuar një deficit të konsiderueshëm pikësh nga faza e para. Por tashmë shpresat janë ndezur dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, Dinamo patjetër që do jetë një kandidate potenciale për në “Final Four”. Me ndryshimet e bëra së fundmi, stafi teknik i Dinamos u kthye pak a shumë si në korrik, kur për disa javë trajneri Mehmeti punoi bashkë me Fatjon Tafajn dhe Korrado Sakonen.

Tani ata janë rikthyer në krye të Dinamos bashkë me Ilir Bozhiqin dhe për pak kohë kanë mundur të stabilizojnë disa gjëra, por rritja do të vazhdojë. E pohon këtë fakt për “Panorama Sport” ndihmëstrajneri Tafaj, i cili shprehet: “Sigurisht që gjendja e skuadrës pas dy rezultatesh pozitive ka ndryshuar për mirë. Në derbin me Tiranën ndoshta ishte mundësia edhe për fitore, por mua më kënaq edhe barazimi, sepse ndikon në mentalitetin e skuadrës dhe të lojtarëve, i bën të kenë besimin se nuk futen në fushë për humbje. Pastaj fitorja me Skënderbeun, me ndonjë problem të vogël që pati ndeshja, na ka bërë edhe më optimistë. Na duhet ta kalojmë këtë moment të vështirë dhe duhet të punojmë fort që të gjithë”, ka thënë fillimisht ndihmëstrajneri i bluve.

PROBLEMATIKA “Çdo skuadër futbolli kalon kolapse gjatë një sezoni. Kur rezultatet nuk janë ato që duhet, rrjedhimisht krijohet edhe një ngërç psikologjik dhe kështu ka ndodhur edhe me Dinamon. Ne kemi punuar në këtë drejtim, ndërsa sa i takon anës teknik do të thosha se skuadra ka pak probleme në tranzicionin negativ, pra kur humbet topin në sulm dhe më pas duhet të vendoset mirë për t’u mbrojtur. Dinamo ka pësuar shumë gola dhe ne po mundohemi që ta rregullojmë sa të mundemi këtë defekt. Ka pasur edhe mungesa dhe kjo mund të jetë një arsye që më parë skuadra nuk ka marrë rezultate të mira”, shton më tej Tafaj.

OBJEKTIVAT I pyetur për mundësitë reale të Dinamos së këtij sezoni, ndihmëstrajneri thekson me bindje se kjo skuadër nuk e ka vendin aty ku është aktualisht: “Për momentin duhet të kapërcejmë këtë situatë. Dua të them se tani për tani duhet të shohim afër, jo larg. Duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës dhe kaq. Ajo që mund ta them me bindje është se Dinamo nuk e ka vendin aty ku është aktualisht. Ne po punojmë që gradualisht gjërat të shkojnë në vendin e vet. Për lojën, që besoj se do të përmirësohet, mund të duhet pak kohë, por fokusi ynë tani janë pikët. Është shumë e rëndësishme që të marrim rezultate pozitive në vazhdimësi dhe të forcojmë pozitat, sepse kështu, siç e thashë edhe në fillim, skuadra fiton mentalitetin e duhur për të garuar tamam si një emër i madh, siç është Dinamo. Skuadra ka kualitet dhe na mbetet të punojmë që të arrijmë objektivat e klubit”.

KUKËSI Ndeshja e radhës është me Kukësin në transfertë dhe për Tafajn kjo është një tjetër provë shumë e vështirë. “Nuk dua ta quaj ndeshje vendimtare, por është vërtet shumë e rëndësishme për ne. Kukësi ka një skuadër agresive, të rrezikshme në sulm. Është një skuadër me djem të rinj që duan të tregojnë veten dhe për ne do të jetë një provë force. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe po mundohemi t’ia bëjmë shërbimin si duhet për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë. Dinamo ka nevojë për sa më shumë pikë dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për një tjetër rezultat pozitiv”, përfundoi numri dy i pankinës.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"