Ish-kapiteni Shameti: Rrugëtim fantastik, Kukësi bën mrekullinë në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 15:17

Ish-kapiteni Shameti: Rrugëtim fantastik, Kukësi bën mrekullinë në Kupë

Ylli Shameti është ai që ka fituar gjithçka me ekipin e Kukësit si lojtar, duke përfshirë një kampionat, dy Kupa dhe një Superkupë të Shqipërisë. Për këtë arsye, 39-vjeçarit i vjen keq për situatën që po kalojnë, por është i bindur se do të rikthehen shpejt aty ku u takon.

Shameti

Ish-kapiteni i bluve, në intervistën për “Panorama Sport” shpreh besim se Kukësi mund të shkojë deri në finale të kupës dhe ta fitojë atë, por gjithsesi duhet të tregojë kujdes përballë Tiranës, edhe pse ka një avantazh me dy gola. Shameti vlerëson punën e Devollit deri më tani, ndonëse ka pasur një ekip në gjendje jo të mirë psikologjike, për shkak të situatës në kampionat.

Shameti, sa keq ju vjen për Kukësin që po bie nga Superiorja?
Patjetër që do të jetë një keqardhje e madhe nëse do të zbresë nga kategoria. Unë uroj që të bëjnë maksimumin deri në fund të kampionatit, derisa t’ua lejojë matematika. Do të ishte një humbje e madhe e kampionatit shqiptar, sepse ka qenë një nga ekipet protagoniste të dekadës së fundit.

Ku gaboi skuadra këtë sezon që arriti në këtë pikë?
Mendoj që janë shumë komponentë që kanë ndikuar në ecurinë jo pozitive të ekipit. Problemet në klub bënë që të kishte një merkato urgjente, ashtu si edhe ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve. Besoj se edhe në disa ndeshje është penalizuar nga vendimet në lojë. Mbi të gjitha pastaj ndikon edhe fati që është shumë i rëndësishëm në futboll.

Beson se do të ketë forca të ringrihet menjëherë?
Unë mendoj se është klub ambicioz dhe shumë shpejt do të bëjë një plan konkret për t’u ngjitur mes më të mirëve, aty ku e ka vendin. Megjithatë, kanë ende përse të luajnë sepse janë në gjysmëfinale të Kupës.

Si e shihni rrugëtimin aty?
Në Kupë kanë bërë një rrugëtim fantastik, duke eliminuar një ekip si Partizani, por edhe janë në rrugë të mbarë në këtë gjysmëfinale me rezultatin e ndeshjes së parë. Trajneri Devolli po bën një punë të mirë, edhe pse ekipi është jo në gjendje psikologjike të mirë nga situata në kampionat.

Sa i avantazhon fakti që kanë fituar 2-0 kundër Tiranës në ndeshjen e parë?
Patjetër që rezultati i ndeshjes së parë është i rëndësishëm, sepse presioni është te Tirana tashmë. Por, mendoj se në një ndeshje futbolli duhet të jesh gjithmonë vigjilent dhe të kryesh detyrat taktike në mënyrë perfekte.

Në situatën ku janë, mendoni se mund t’ia dalin ta çojnë këtë trofe në shtëpi?
Unë uroj dhe shpresoj në fakt, sepse e meritojnë tifozët kuksianë të mrekullueshëm që pas disa vitesh të vijë një tjetër trofe në Kukës.

Një fitore e Kupës, a do të ishte një ngushëllim edhe për kampionatin?
Patjetër që deri në fund të kampionatit dhe sa do t’ia lejojë matematika, ekipi do të bëjë maksimumin për t’u shprehur ashtu siç duhet në lojë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"