Ish-kapiteni i dy ekipeve flet para duelit të prefekturës së Fierit, Dimo: Apolonia ka motiv për derbin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 14:39

Ish-kapiteni i dy ekipeve flet para duelit të prefekturës së Fierit, Dimo: Apolonia ka motiv për derbin

Apolonia ka vijuar dje përgatitjet intensive për derbin me Bylisin, që do të luhet të dielën në orën 15:00 në stadiumin “Loni Papuçiu”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mesfushori, Amarildo Dimo që ka provuar të luajë me Apoloninë dhe Bylisin, shprehet se ky derbi do të jetë i zjarrtë dhe mund të vendosë shumëçka, pasi objektivat e këtyre dy skuadrave nuk janë realizuar ende.

amarildo dimo

Ai shton se çështja e katërshes së parë në renditje është e vështirë, pasi nuk është në dorën e Apolonisë, por kujdesi duhet bërë në takimet teke të “play off”-it.

Si e keni parë Apoloninë deri tani?

Të tregohem i sinqertë, me nota pozitive, pasi Apolonia ka pasur një ecuri relativisht të mirë në këtë sezon, por theksoj një ecuri shumë të mirë gjatë muajve e javëve të fundit. Ka krijuar dukshëm një lloj stabiliteti, por që nuk ka grintën e duhur dhe “nervin” për t’i marrë rezultatet dhe dominuar me lojë ekipet e tjera.

E kishit menduar këtë ecuri pozitive, që përkthehet me një vend të sigurt në “play off”, ku Apolonia nuk ka asgjë për të humbur për të arritur elitën?

Natyrisht që e prisja këtë ecuri pozitive, pasi Apolonia është treguar shumë e kujdesshme në formimin e skuadrës, veçanërisht duke ruajtur boshtin e lojtarëve kryesorë. Mirëpo nuk ka pasur “hyrje” të reja me peshë dhe rrjedhimisht ekipi vijon të jetë i “cunguar”. Nuk ka shumë zgjidhje alternative nga stoli për të ndryshuar kurdoherë fatet e lojës. Veç ky mund dhe do të jetë minusi i madh i fierakëve në “play off”.

Çfarë ka sjellë trajneri Mërgjyshi te kjo Apoloni?

Si një strateg i vjetër dhe me qetësinë olimpike që e karakterizon, por edhe me mënyrën korrekte të komunikimit, trajneri Mërgjyshi ka “injektuar” shumë shpejt idetë dhe filozofinë e tij për lojën. Por nuk ka shkopin magjik për ta marrë këtë Apoloni, me një mijë e një probleme e halle dhe për ta ngjitur menjëherë brenda pak muajsh në elitë. Janë të tjera organizma ato, nisur që nga organizimi i vetë klubit për ta çuar Apoloninë atje ku duhet. Një trajner maksimumi mund të japi 20% më shumë, por nuk mundet dot një trajner, që ta marri një lojtar me vetëm 10% mundësi e ta bëjë 100%.

E shihni Apoloninë mes katër ekipeve më të mira të kampionatit?

Çështja e katërshes së parë në renditje, ku dy prej tyre ngjiten menjëherë në elitë dhe dy të tjerat kanë në favor faktorin fushë dhe pranimin e dy rezultateve në ndeshjen e parë të “play off”-it është e vështirë, por jo mision i pamundur. E vështirë, sepse nuk është në dorën e tyre edhe sikur t’i fitojnë të katërta ndeshjet e mbetura. Megjithatë, në katërshe apo pesëshe, ky është momenti i finishit, që Apolonia duhet të tregojë egon, ambicien dhe vendosmërinë e saj për të arritur elitën.

Sa të vështirë e shikoni ngjitjen në elitë përmes “play off”-it dhe si i shihni rivalët e mundshëm të fierakëve?

Ngjitja në elitë përmes “play off”-it, si mundësia e dytë, ka qenë gjithmonë shumë e vështirë, jo vetëm për Apoloninë, por për cilindo ekip. Janë ndeshje me specifikë të veçantë dhe kundërshtarët janë shumë të fortë. Veçoj sigurisht Flamurtarin, jo vetëm nga emri i madh, por edhe nga organika e plotë e lojtarëve. Vlonjatët janë një hap para të tjerëve.

Sa i ka mundësitë Apolonia për t’u ngjitur në Superiore apo do të mbetet një ëndërr në sirtar?

Me siguri, ne do të vazhdojmë të presim shumë, po shumë vite, që ta shohim Apoloninë mes më të mirave të futbollit shqiptar. Nuk jam pesimist, por realist, pasi mundësitë dhe kapacitetet janë shumë të pakta. Na vjen keq, kjo është e vërteta dhe është e vërteta e hidhur.

Si e parashikon derbin mes Apolonisë dhe Bylisit?

Derbi është derbi, prandaj do të jetë padyshim një ndeshje e zjarrtë, ku të dy ekipet do të mundohen ta fitojnë ndeshjen për të treguar forcën e tyre në këtë fund sezoni. Bylisi është ekip më i kompletuar dhe më solid, prandaj edhe ka udhëhequr me meritë të plotë kampionatin. Aktualisht, duke qenë në vendin e dytë, nuk do ia lerë rastësisë titullin kampion. Nga ana tjetër, Apolonia është një kockë e fortë dhe rival jo i lehtë për t’u kaluar, sidomos në “Loni Papuçiu”, por edhe me pretendimet e veta, për të qenë pjesë e katërshes së parë në renditje.

Shihni ndonjë ekip si më favoritë në këtë derbi?

Në derbi nuk ka asnjëherë favoritë absolutë dhe shanset janë të barabarta. Ndodh që edhe vendi i fundit të surprizojë atë të parë. Megjithatë, unë mendoj se Apolonia mund të ketë edhe një motiv më shumë për ta fituar këtë derbi, ndërsa Bylisi ka hapur shishen e shampanjës.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"