Interi i mrekullive vlen sa Xhek Grilish/ Arkitekti i italianëve është Marota, ka ndërtuar një ekip “low cost”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 21:18

Interi i mrekullive vlen sa Xhek Grilish/ Arkitekti i italianëve është Marota, ka ndërtuar një ekip “low cost”

Interi ka thyer çdo parash ikim në këtë sezon në Ligën e Kampioneve. Madje edhe skenarin më optimist. Kur nisi sezoni në Europë në shtator të vitit të kaluar pakkush e kishte menduar se më 10 qershor, Interi do të gjendej në finalen e Ligës së Kampioneve.

marota

Dyshimet u shtuan dhe më shumë kur zikaltrit nuk patën aspak fat në fazën në grupe ku ishin së bashku me Bajernin e Mynihut dhe Barcelonën. Në fund ata ia dolën të kualifikoheshin. Më pas është e gjitha një histori që dihet. Fati në short dhe gjetja e formës së duhur në momentin kyç të sezonit rezultoi vendimtar për Interin, një skuadër që vlen sa vetëm një lojtar i rivalit në Champions, Xhek Grilish. Po flasim për 125 milionë euro.

Kaq ka kushtuar mesfushori anglez, por kaq vlen dhe formacioni titullar i Interit në finale. Timonieri i zikaltërve është Simone Inzagi, por arkitekti i tyre është Bepe Marota. “Magjistari” i Juves tashmë po i jep një dorë të madhe Interit, që zbarkon në finale me 3 lojtarë të ardhur me parametra zero, një tjetër në huazim dhe tre lojtarë të tjerë vlera e të cilëve në merkato nuk i ka kaluar dy shifrat!

PORTA – Suksesi i Interit në këtë sezon që nga themeli, domethënë nga porta. Onana është kthyer në një mur në Europë e për më shumë një lojtar që nuk i ka kushtuar asgjë Interit, i ardhur me parametra zero nga Ajaksi.

DARMIAN – I rritur në akademinë e Milanit, ai u transferua nga Parma tek Interi në vitin 2020 me formulën e kthyer në standard: huazim me detyrim blerje. Në rastin e tij ishte i pari që u maturua nga zikaltrit në Serinë A më 1 shkurt 2021, sezon në të cilin mbërriti titulli me Konten në stol. Kostoja e tij, rreth 3 milionë euro.

AÇERBI – Me shumë mundësi, në fund të sezonit, Interi do të trokasë në derën e Lacios për të tentuar të bindë klubin nga Roma të bëjë një ulje çmimi për të. Deri më tani zikaltrit nuk kanë paguar asgjë për të, teksa nëse duan ta marrin nga Lacio duhet të derdhin në arkën e Lacios diku te 3.5 milionë eurot.

BASTONI – Nëse i hedh një sy shifrës, të cilën Interi pagoi për të siguruar qendërmbrojtësin më të mirë në të gjithë Italinë, dëshmon për largpamësinë e drejtuesve dhe të klubit në vitin 2017, kur investoi për lojtarin e Atalantës.

DUMFRIS – Një tjetër investim i suksesshëm nga Interi, i bërë në vitin 2021, kur zëvendësoi Ashraf Hakimin, i cili kishte fluturuar në Paris. Ai kushtoi sa vetëm 20% e shumës që Interi fitoi nga shitja e marokenit në Francë.

BARELA – Mesfushori i kombëtares italiane është më i shtrenjti nga titullarët, por gjithsesi përfaqëson një investim të kujdesshëm për një lojtar, vlera e të cilit tashmë është rreth dyfish.

interi

ÇALHANOGLU – Për një kohë të gjatë ka qenë një mollë sherri mes Milanit dhe Interit. Pas nënshkrimit nga Interi ai është kthyer në nivelet më të larta dhe një rol i padiskutueshëm, fillimisht si mesfushor dhe më pas si organizator.

MIKHITARIAN – Një tjetër lojtar me parametra zero në 11-shen titullare të Interit në dy gjysmëfinalet ndaj Milanit. Dëmtimi i tij ndaj Milanit ka krijuar panik.

DI MARKO – Një tjetër investim shumë i ulët nga Interi, që mund të cilësohet edhe më i ulët duke parë se Interi e afroi nga zviceranët e Sionit në vitin 2018. Një tifoz dhe produkt i akademisë zikaltër.

XHEKO – Nisur nga kontributi i ofruar në këto dy vite, qendërsulmuesi boshnjak është një nga goditjet e mëdha të drejtuesve të Interit. Sulmuesi veteran kushtoi vetëm 2 milionë euro në vitin 2021 nga Roma. Në moshën 37- vjeçare, ai arrin të fitojë vendin e titullarit në dy gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

LAUTARO – Ishte korrik 2018 kur ai zbarkoi në Milano nga Rasing Klub de Avejaneda. Që tani është gati të shkruajë emrin e tij në historinë e Interit.

klasifikimi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"