Interes arab dhe amerikan, padroni i Juventusit tregon të vërtetën në lidhje më shitjen e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 16:07

Interes arab dhe amerikan, padroni i Juventusit tregon të vërtetën në lidhje më shitjen e klubit

“E rëndësishme nuk është të kesh aspirata të mëdha, por të marrësh sa më shumë pikë ndeshje pas ndeshjeve. Kundër Interit barazimi dhe pika e marrë ishte një rezultat i rëndësishëm, kjo pasi kampionati është ende shumë i gjatë dhe në lojë sivjet ka shumë skuadra të fortë. Kështu që le të vazhdojmë me këtë ritëm”. Ishte kjo hyrja e bërë nga Xhon Elkan, shefi i grupit “Exor” që mbulon financiarisht Juventusin.

elkan anjeli

Pinjolli i familjes Anjeli është ai që ka marrë në dorë tashmë drejtimin e klubit, pas largimit të Andrea Anjelit, pas hetimeve për çështjen e plusvalencave dhe të pagave të fshehura të periudhës COVID.

CEO bardhezi ka mbajtur fjalën e tij përpara aksionarëve, të cilët ka dashur që t’i sigurijë gjithashtu se Juventusi do të vazhdojë që të mbetet nën pronësinë e familjes Anjeli, pavarësisht zërave të shumtë që kanë qarkulluar kohët e fundit mbi një shitje të mundshme, apo qofte edhe shitjen e një pjese të aksioneve grupeve miliarderi nga Arabia apo Amerika.

LAVDE EKIPIT DHE ALEGRIT

Për sa i përket udhëtimit të bërë deri tani në kampionat, Xhon Elkan falënderon skuadrën, por edhe trajnerin Masimiliano Alegri për punën e bërë.

“Jemi në vend të dytë, 30 pikë pas 13 ndeshjeve të para, vetëm 2 larg Interit dhe mendoj se ky është një hap i rëndësishëm i mbajtur deri tani. Të gjithë ne duhet të jemi të lumtur me punën e bërë nga Juventusi dhe stafi ynë teknik, pasi kishim kohë që nuk e shihnim kaq lart Juventusin. Dhe është diçka vërtet e bukur… Por mendoj se kjo është edhe pasoja e zgjidhjes së disa probleme që na përfshinë jashtë fushës së lojës, sepse kur situata është e qetë atje jashtë, edhe ne kemi mundësinë që të përqendrohemi të gjithë te puna jonë, ne si drejtues dhe skuadra me trajnerin. Ndaj, edhe këto rezultate vetëm kështu mund të kuptohen.

Alegri është e ardhmja? Po flasim për një trajner që ka fituar shumë trofe në karrierë dhe mbi të gjitha na ka sjellë shumë të tillë neve juventinëve. Madje, unë shpresoj dhe besoj se do të sjellë edhe shumë të tjerë, sepse sa herë që kampionati është kaq stimulues, duke pasur shumë ekipe të forta, edhe ne si Juventus dimë të japim më të mirën tonë. Pastaj të mos harrojmë se përveç kampionatit kemi edhe Kupën e Italisë, një tjetër udhëtim i gjatë, tek i cili do të fokusohemi, sapo të vijë koha të ndeshemi”

JO MILIONAVE NGA BOTA

Pak javë më parë, me një pritje gala të zgjatur 48 orë, familja Anjeli festoi 100-vjetorin e saj në krye të Juventusit, një çështje mburrjeje dhe krenarie për Xhon Elkanin dhe familjen e tij, një traditë e cila pritet që të vazhdojë ende për shumë vite, dekada dhe pse jo një tjetër shekull. Kjo, pasi vetë Elkan ka përgënjeshtruar mundësinë e një shitjeje të klubit më të titulluar në Itali te paratë e arabëve apo amerikanëve:

“Nuk na ka kontaktuar asnjë fond i huaj dhe as që kemi ndërmend t’ia hapim telefonin askujt që mund të ketë interes për Juventusin. Kjo është një perspektivë që neve si familje Anjeli nuk na ka interesuar kurrë dhe nuk na intereson.

Tani është koha që të përqendrohemi të gjithë te fusha e lojës, pasi për Juventusin ky është viti zero. Jo më kot së bashku aprovuam edhe rritjen e kapitalit për 3 vitet e ardhshëm (prej 200 milionë eurosh), pasi këtu te Juventusi ne kemi ambicie të mëdha gjithmonë dhe kërkojmë të jemi gjithmonë ekselenca, brenda dhe jashtë fushës së lojës”, përfundoi Xhon Elkan.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"