Inter drejt vendosjes së yllit të dytë në fanellë, ja llogaritë për titullin në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 12:39

Inter drejt vendosjes së yllit të dytë në fanellë, ja llogaritë për titullin në derbi

Inter-Empoli 2-0 dhe Fiorentina-Milan 1-2. Përfundimi: Diferencë e njëjtë pikësh. Java e 30-të e Serisë A nuk ka ndryshuar asgjë në garën për titullin kampion, por thjesht tani kemi një javë më pak në kalendar. Nga ky këndvështrim, lajmi është pozitiv për ekipin që qëndron në krye sepse distanca +14 pikë nga Milani e bën të mendojë vetëm për titullin kampion.

inter milan

Por kur mund ta fitojnë zyrtarisht kampionatin zikaltrit? Prilli mund të jetë muaji vendimtar, por duhen bërë disa llogari matematikore për të pasur një ide më të saktë për skenarët e mundshëm. Me një vëmendje të shtuar tek e hëna e 22 prillit që përkon me datën e derbit të Milanos.

DITA E DUHUR- Le ta nisim nga e dhëna më e thjeshtë: 14 pikët diferencë që ka Interi me Milanin dhe kjo do të thotë se mund ta fitojë titullin kampion 4 javë përpara fundit zyrtar të kampionatit. E përkthyer në kohë: fundi i prillit. Por nëse do të bënim disa kalkulime të tjera për të kuptuar sa shpejt do ta zyrtarizojë trofeun skuadra e Inzagit pas këtij dominimi të kampionatit, festa mund të afrohej në mesin e muajit në rast se Milani do të humbte 2 ndeshjet e radhës dhe Interi do t’i fitonte të dyja. Atëherë do të shkonte diferenca 20 pikë me 6 javë nga fundi duke sjellë praktikisht titullin. Në rast të ndonjë hapi fals nga Lautaro Martinez me shokë, atëherë dita e festës mund të shtyhej javë pas jave.

NË DERBI- Por një tjetër moment që mund të jetë vendimtar është 22 prilli, datë kur do të luhet në qiellin e Milanos sfida e derbit. Është derbi i fundit i sezonit. Nëse distanca do të jetë e njëjtë (14) pikë atëherë zikaltërve iu duhet ta fitojnë këtë ndeshje për të superuar 15 pikët në 5 javët e mbetura të kampionatit. Në rast të një barazimi në derbi, atëherë festa do të shtyhej për një javë. Duhet theksuar se në këtë kampionat nuk fitohet titulli me pikë të barabarta mes skuadrave të dy vendeve të para. Do të duhet një finale dhe sipas rregullores së re nuk vlejnë sfidat direkte. Dhe që Interi ta fitojë titullin në derbi edhe me barazim, duhet që skuadra e Piolit të humbasë 2 pikë në dy ndeshjet e radhës që kuqezinjtë do të luajnë kundër Leçes dhe Sasuolos. Nëse distanca para ndeshjes në derbi është me 12 pikë, atëherë kjo sfidë nuk e shpall Interin kampion.

Pavarësisht se në kampin zikaltër nuk e trumbetojnë me të madhe, për tifozët do të ishte diçka e jashtëzakonshme nëse festojnë përpara fytyrës së kushërinjve të tyre. Nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori që një titull kampion të fitohet zyrtarisht në derbi. Por ka gjithmonë një herë të parë.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"