Iljaz Çeço: Kështu e fiton garën Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2016 | 15:00

Iljaz Çeço: Kështu e fiton garën Lushnja

Iljaz Çeço, një ikonë e futbollit shqiptar që ka luajtur me disa skuadra, vjen në një analizë të veçantë për Lushnjën dhe për Kategorinë e Parë njëkohësisht. Karriera e tij ka filluar pikërisht në Lushnjë, kur me skuadrën verdhejeshile debutoi në një moshë rekord, vetëm 15 vjeç. Në 3 janarin e vitit të ardhshëm, Iljaz Çeço do të festojë 70-vjetorin.

Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ai i referohet skuadrës së Lushnjës, me të cilën hodhi hapat e parë në futboll. Gjithashtu, i bën një analizë kampionatit të Kategorisë së Parë dhe përmend edhe gjendjen shumë të vështirë në të cilën ndodhen klube me emër si Dinamo apo Elbasani.

Iljaz ceco

Profesor, jeni i kënaqur që Lushnja kryeson kampionatin pas përfundimit të pjesës së parë të garës?

Patjetër. Lushnja e ka dominuar këtë pjesë të parë të kampionatit. Mendoj se prezantimi ka qenë në nivele të kënaqshme dhe janë marrë pikë të konsiderueshme. Përgëzoj trajnerët dhe futbollistët që për pjesën e parë të kampionatit e kanë merituar këtë sukses. Uroj që të vazhdojnë me këtë ritëm duke konkretizuar objektivin që kanë, rikthimin në elitë.

Si e parashikoni garën për në Superiore?

Unë shoh që Dinamo dhe Elbasani janë në krizë të thellë, pavarësisht se klube me shumë histori dhe që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Tomori, Apolonia apo Shkumbini janë në një nivel mesatar. Më mirë duken skuadrat e Lushnjës dhe të Bylisit. Janë pretendentët kryesorë për Superioren. Do të shikojmë se si do të sillen klubet në merkaton e janarit. Parashikoj një garë të fortë midis këtyre dy skuadrave deri në javët e fundit.

Çfarë i duhet Lushnjës për të konkretizuar me sukses objektivin që ka?

Unë mendoj që Lushnja ka një skuadër të mirë. Në merkaton e janarit, lushnjarët duhet të përforcohen me lojtarë cilësorë, sidomos në repartin e mesfushës. Afrimet në mesfushë do të ngrenë fuqinë e Lushnjës si skuadër. Tradicionalisht, kjo skuadër ka prodhuar lojë dhe përforcimet në mesin e fushës i shoh të domosdoshme.

Ndërkohë që Lushnja financohet nga Bashkia, mendoni se gjërat do të ishin më mirë nëse do të kishte një president që të financonte?

Sigurisht që do të ishte më mirë një president. Megjithatë, skuadra duhet të mbështetet më shumë në nivel financiar dhe në fuqizimin e grupit me 2-3 lojtarë cilësorë. Shpresoj që kjo të arrihet dhe ekipi të ketë më shumë mundësi për të ruajtur kryesimin dhe të finalizojë me sukses sezonin.

Prej disa vitesh, skuadra ka humbur raportet me Superioren, ndërsa shikuesit vijojnë të jenë të paktë në shkallët e stadiumit. Pse kjo situatë e vështirë?

Më vjen shumë keq që Lushnja në vitet e fundit ka qenë në Kategorinë e Parë. Këtë sezon është bërë një punë shumë e mirë dhe ecuria ka qenë mjaft pozitive. Duke qenë që Lushnja ka disa vite në të Parën, është shumë e rëndësishme që në këtë sezon të arrijë objektivin. Është dhe një mundësi për të korrigjuar sezonin e dy viteve më parë ku Lushnja humbi garën me Bylisin vetëm në sfidën finale.

Tifozët e Lushnjës janë shumë të dhënë pas skuadrës. Vetëm arritja e rezultateve do të sjellë atmosferën që mungon në stadium. Nëse ekipi do të vazhdojë në rrugën e rezultateve pozitive, tifozët do të shtojnë mbështetjen e tyre për skuadrën. Lushnjarët njihen për mbështetjen maksimale që i japin ekipit të zemrës, por në kushte të tilla kërkojnë që kjo ecuri të vazhdojë gjatë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"