I shënoi golin e fitores Atletikos, Zhoao Feliks: Festim spontan dhe shpagim për verën e vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 21:34

I shënoi golin e fitores Atletikos, Zhoao Feliks: Festim spontan dhe shpagim për verën e vështirë

Fati në futboll është kapriçoz dhe të dielën e kaluar nuk mund të kishte asnjë lojtar tjetër, përveç Zhoao Feliksit që t’i jepte fitoren Barçës kundër Atletikos së Madridit. Pavarësisht rasteve të shumta të Barçës, të shpërdoruara nga Levandovski, goli i mrekullueshëm i portugezit, u siguroi fitoren e rëndësishme kundër një rivali direkt në garën për titullin.

ZHOAO FELIKS

Lojtari i huazuar nga “Colchonero”-s ishte lojtari më i mirë i ndeshjes dhe foli me mikrofonat e “Movistar +”, për të rrëfyer se goli i minutës së 28-të ishte një lehtësim për të dhe familjen e tij.

“Ka qenë një festë spontane. Nuk kisha planifikuar asgjë para takimit edhe pse e dija se ishte i veçantë për vetë faktin se unë vija nga Atletiko. Në fund përfshihesh nga emocionet, nga nxehtësia e lojës dhe ishte një lehtësim kryesisht për shkak të asaj që kam përjetuar verën e kaluar. Vetëm njerëzit e afërt e dinë se çfarë kam kaluar”, tha Feliks pas ndeshjes.

Sulmuesi i krahut foli edhe për zhurmën mediatike rreth tij në javën e fundit para takimit dhe deklaroi se nuk i kushton vëmendje asaj që thuhet për të. “Për mua ka qenë vetëm një ndeshja e radhës. Çdo javë njerëzit flasin për mua, për mirë ose për keq. Unë jam gjithmonë temë diskutimi.

Por unë jam i qetë, nuk i shoh gjërat për të cilat ata flasin, unë thjesht bëj punën time, këtu po punoj çdo ditë, për të qenë një lojtar më i mirë çdo ditë. Unë jam shumë mirënjohës për shokët e mi dhe klubin, i cili mirëpriti mua”, nënvizoi ai.

Feliksi gjithashtu siguroi se i ka shumë për zemër ishshokët e tij bardhekuq. “Po, sigurisht, unë kaloj mirë me të gjithë. Ata e dinë që nuk kam asgjë kundër tyre, kam marrëdhënie të mira pothuajse me të gjithë. I dua shumë dhe i uroj më të mirat”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"