“I mundi edhe Luzi, skandal i paimagjinueshëm nëse bien”, Çobani: Lushnja në rrezik, të shkarkohen drejtuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 16:00

“I mundi edhe Luzi, skandal i paimagjinueshëm nëse bien”, Çobani: Lushnja në rrezik, të shkarkohen drejtuesit

Në javën e 29-të, lushnjarët regjistruan një humbje të thellë me shifrat 4-0, në transfertën me Luzin. Kjo ishte humbja e tretë radhazi për verdhejeshilët, që tashmë janë nën “ethet” e zonës “play out”. Në një prononcim për “Panorama Sport” ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani u tregu kritik dhe alarmues për situatën.

artur cobani

“Nëse nuk ka dorëheqje, ka shkarkim për të mirën e skuadrës së Lushnjës dhe këtë duhet ta bëjnë urgjentisht ata, që kanë në dorë këtë skuadër. Lushnja sot ka infrastrukturë, stadium e tifozë. Skuadra e ndjen atë pengesë, por që është pranuar në fillim të sezonit. Lushnja sot ka një rrezik të madh, rënien nga Kategoria e Parë, që do të ishte jo turp, por një skandal i paimagjinueshëm. Do të ishte një ‘shok’ i pa parë për gjithë atë qytet që jeton me futbollin.

Prandaj, nëse trajnerët, të gjithë ata që punojnë me skuadrën, qoftë edhe drejtuesit e klubit, nëse nuk japin dorëheqjen, presidenca duhet të vijojë me shkarkime dhe të marrë masat e menjëhershme për të zgjidhur këtë situatë emergjente. Me të vërtetë ekipi nuk ka notuar në ujëra të mira, ka qenë gjithnjë në mesin e tabelës. Nuk dua të fyej kundërshtarin, Luzin, që nuk ka traditën tonë, pasi edhe ata djersën e tyre kanë derdhur në fushë, por është e papranueshme për një skuadër të këtij qyteti, siç është Lushnja, të mundet me një rezultat të tillë, 4-0. Ata që drejtojnë këtë skuadër nuk ndjejnë asgjë pas këtyre humbjeve, sidomos kjo në Luz. Ata vazhdojnë të qëndrojnë ende në pozicionet e tyre. Për mua, në radhë të parë përgjegjësia është te drejtuesit e skuadrës dhe te drejtuesit e klubit.

Nëse të gjithë faktorët e tjerë janë pozitivë, shikoj një faktor shumë negativ për këto subjekte që përmenda më lart. Ata rrinë dhe nuk reagojnë. Një qytet i tërë reagon çdo javë, në studiot e televizioneve flasim çdo javë. Na ngacmojnë çdo javë, çfarë po ndodh në Lushnjë? Në Lushnjë shikoj qetësi, përderisa nuk reagojnë. Koha nuk pret më, nesër është vonë. Që sot të bien kambanat e alarmit për të marrë masa. Nëse nuk ka dorëheqje, ka shkarkim. Nuk duhet zgjatur shumë kjo gjë, as 24 orë. Lushnjën ta shpëtojmë dhe pastaj të mendojmë për sezonin tjetër. Pastaj, shpëtimi më i madh do të ishte privatizimi”, deklaroi ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"