“I kam shumë borxhe Skënderbeut”, Dumfur: Gvozdenoviç na bashkoi, dinjitozë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2023 | 15:16

“I kam shumë borxhe Skënderbeut”, Dumfur: Gvozdenoviç na bashkoi, dinjitozë në Superiore

Skënderbeu u shpall kampion i Kategorisë së Parë dhe një nga futbollistët që dha një kontribut të madh në realizimin e këtij objektivi ishte ganezi Randi Dumfur.

DUMFUR

Mbrojtësi bardhekuq erdhi në Korçë vetëm në merkaton e janarit, duke pasur mundësinë e kontributit në gjysmën e sezonit, por eksperienca e tij ndihmoi ndjeshëm në rritjen e cilësisë së lojës skuadrën korçare. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Randi flet për vështirësitë që skuadra hasi drejt titullit rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa shprehet gjithashtu se ai dhe lojtarët e tjerë, ndihen gati për sezonin e ri.

“Më vjen keq që erdha më vonesë dhe nuk munda dot të jap kontributin tim që në fillim të sezonit. Kur arrita në ekip, në merkaton e dimrit, situata nuk ishte më e mira e mundshme, pasi ishim 7 pikë larg vendit të parë dhe dukej shumë i vështirë realizimit i objektivit që na kishin vendosur drejtuesit. Gjithsesi, ne jemi Skënderbeu dhe kemi treguar se dimë si të reagojmë në momente të vështira. Ashtu bëmë edhe këtë edicion, ku me trajnerin Ivan Gvozdenoviç arritëm të kishim një ecuri fantastike. Në fund u shpërblyem me ngjitjen në Superiore, por edhe me titullin kampion në Kategorinë e Parë. Është pa dyshim merita e trajnerit, i cili na bashkoi dhe na bëri të luanim si grup”, ka thënë fillimisht 22-vjeçari, i cili përshtatet në mbrojtje dhe në mesfushë, ndërsa ka qenë pjesë e bardhekuqve edhe në Superiore.

SEZONI I RI – Randi u shpreh gjithashtu se mezi pret fillimin e sezonit të ri, ndërsa në fjalën e tij, thekson se i ka borxh Skënderbeut atë rënie në Kategorinë e Parë para dy vitesh. “Aktualisht jam duke shijuar pushimet, por mezi po pres të rikthehem në Korçë për të nisur përgatitjet e sezonit të ri. Kam besim se drejtuesit do të ndërtojnë një ekip konkurrues në këtë kategori dhe do të jemi Skënderbeu që tifozët meritojnë. I kam shumë borxhe kësaj skuadre, pasi më ka dhënë shumë në aspektin personal dhe do të mundohemi shumë që të shlyejmë edhe gabimin e para dy viteve, që e rrëzuam skuadrën në të Parën. Jam i bindur dhe kam shumë besim që do të zhvillojmë një sezon të madh, pasi mbështetja nuk na mungon, si nga klubi, ashtu edhe nga tifozëria që për mua është më e mira në Shqipëri”, mbylli prononcimin e tij Randi, i cili luajti 13 ndeshje dhe shënoi një gol për bardhekuqtë në Kategorinë e Parë. Ai është pjesë e Skënderbeut që prej vitit 2020.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"