I hapi rrugën përmbysjes ndaj Partizanit, Jonuzi: Treguam se kemi karakter dhe shumë cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 23:53

I hapi rrugën përmbysjes ndaj Partizanit, Jonuzi: Treguam se kemi karakter dhe shumë cilësi

Fjoart Jonuzi e konsideron një fitore karakteri atë kundër Partizanit në kryeqytet. Sipas mesfushorit, Vllaznia tani nuk duhet që të tolerojë më ndaj skuadrave që konsiderohen të lehta në letër.

JONUZI FJOART

Në intervistën për “Panorama Sport”, kuksiani i kuqebluve që shënoi golin i cili i hapi rrugën përmbysjes ndaj të kuqve, foli për emocionet e ndeshjes së fundit, si dhe vazhdimësinë e skuadrës në kampionat.

Fjoart, i hapët rrugën përmbysjes ndaj Partizanit me golin e barazimit. E prisnit se mund të shkonte kështu kjo ndeshje?

Normalisht që jam shumë i gazuar dhe për më tepër pasi ishte një fitore që vinte me kthim rezultati. Dua ta quaj një fitore karakteri. Kemi pasur shumë vështirësi në këtë periudhë të kampionatit, por me këtë fitore treguam se kemi karakter dhe gjithashtu cilësi.

Sa besoni se mund të kapni kreun tashmë pas këtij triumfi?

Normalisht që besojmë. Nga 7 pikë, tani jemi vetëm katër pikë nga Partizani. Gara bëhet më e fortë, por ne duhet që të jemi me këmbë në tokë dhe të mos na kapë euforia.

Shënoni gjithnjë gola shumë të rëndësishëm, sa ju çliron personalisht ky moment?

Dëshira është që të shënoj edhe në ndeshjet e tjera, por ky ishte një gol vërtet shumë i rëndësishëm, pasi ishim në një ngërç psikologjik pas atij goli që pësuam, ndërsa më pas përmbysëm gjithçka shpejt.

I druheni ndopak atij nënvlerësimi që Vllaznia i bën ekipeve që duken më të lehta në letër, me të cilat keni çaluar gjithnjë?

Është e vërtetë që ne kemi pasur probleme me skuadrat e vogla, ndërsa me ekipet me emër vetvetiu mobilizimi është ndryshe. Kampionati fitohet duket mundur skuadrat e ashtuquajtura të vogla. Por, duhet që t’i marrim takimet një nga një që të arrijmë te suksesi.

A.URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"