I hapi rrugën fitores ndaj beratasve, Emini: Besa ka grupin e dëshiruar, Luzi kërkon vlerësim maksimal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 18:11

I hapi rrugën fitores ndaj beratasve, Emini: Besa ka grupin e dëshiruar, Luzi kërkon vlerësim maksimal

Fitorja ndaj Tomorit riktheu verdhezinjtë te suksesi dhe shpresa për të siguruar mbijetesën. Më shumë se sa fitorja, kjo përballje solli në fushë një Besë krejtësisht ndryshe. Për herë të parë luajtën në formacion plot 5 të huaj, të cilët bindën që në takimin e parë, ku ra në sy sulmuesi Mustafa Ba. Takimin e zhbllokoi Endrit Emini,  i cili me kokë shënoi një gol të shkëlqyer.

endrit emini besa, djathtas

Në intervistën e dhënë për  “Panorama Sport” Emini vlerëson grupin që ka aktualisht Besa. “Nuk diskutohet që grupi i lojtarëve që zbriti në fushë ndaj Tomorit ishte cilësor, pikërisht ai grup që na duhej dhe e prisnim. Mjafton t’u them një fakt: ende pa mbushur 72 orë në Shqipëri, futbollistët e huaj u futën në lojë pa asnjë njohje me ne dhe u përshtatën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo që na ngroh, qëndron  te fakti se ekipi ka cilësi, përvojë dhe mbi të gjitha uri për të fituar”, u shpreh 20-vjeçari.

Ndërsa për golin e tij, që i hapi udhë fitores, Emini shprehet i lumtur, por më shumë se sa për veten, për ekipin. “Në futboll duhet më shumë goli sesa loja. Shembulli për këtë mund të quhet barazimi me Burrelin, ku loja jonë nuk prodhoi gola për të fituar. U gëzova shumë që arrita të shënoj ndaj Tomorit dhe kjo vlen më shumë për ekipin sesa për mua. Mund të dominosh sa të duash, të luash mirë, por po nuk shënove mbi 1 gol, nuk e ke të sigurt fitoren. Ju e patë se pas golit tim erdhi edhe ai i Ba-së, që në fakt mund të kishte shënuar dhe të dytin personal, por ishte i pafat”, vijoi Emini.

LUZI– Kavajasit, të hënën e ardhshme, do të sfidojnë “vëllain” e vogël Luzi 2008, që luajti mjaft mirë në Fier përtej humbjes që nuk e meritoi. Për Eminin fitorja mbetet alternativa e vetme. “E kam parë Luzin 2008 dhe mund t’u them se është ekip me djem të rinj, që vrapojnë dhe kanë dëshirë të madhe. Kemi nisur përgatitjet me vlerësimin maksimal ndaj tyre.

Pavarësisht pikëve që kanë, Luzi mbetet rival i fortë, që kërkon vlerësim. Me këtë impenjim maksimal do të futemi në fushë. Mund ta quaj avantazh faktin që lojtarë si Kaola, Ba, Ibrahim do të kenë edhe 1 javë kohë që ne të njihemi me lojën e njëri-tjetrit. Mendoj se ndaj Luzit grupi do jetë më i harmonizuar dhe kjo jep garanci. Ndaj, duhet ta fitojmë atë takim. Nuk duhet harruar se pas Luzit do të presim Bylisin, që shton më së shumti nevojën për fitore ndaj Luzit 2008”, përfundoi mesfushori i Besës.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"