I dhuroi fitoren Besës në miqësoren me Vorën, Redi Veriu: I lumtur që u riktheva me gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 11:28

I dhuroi fitoren Besës në miqësoren me Vorën, Redi Veriu: I lumtur që u riktheva me gol

Ka qenë java e parë e kampionatit kur Besa priti Tomorin dhe sulmuesi Redi Veriu u dëmtua, duke lënë fushën sapo ishte aktivizuar. Kjo frakturë do të rezultonte e rëndë, pasi e ka jashtë në 9 javët pasardhëse.

122

Vetëm të mërkurën, sulmuesi u rikthye në fushë. Luhej miqësorja kundër Vorës në kryeqytet dhe 22-vjeçari që e nisi si titullar, direkt bindi. Justifikoi besimin e Gugash Maganit, teksa u dha kavajasve fitoren me golin e tij. Tashmë krahas Onuh e Hoxhës, verdhezinjtë tashmë do të kenë shërbimet e të riut në vijën e parë.

Vetë ai ndihet i çliruar që u kthye dhe këtë e pohon për “Panorama Sport”: “Jam shumë i lumtur që më në fund kalova dëmtimin, i cili më mbajti shumë gjatë jashtë fushës. Sinqerisht e kam vuajtur shumë dhe kam punuar fort për t’u rikuperuar sa më shpejt. Nuk besoj se do të kërkoja rikthim më të mirë sesa me gol, i lumtur jo se shënova, por më shumë se do të jem në gjendje të ndihmoj ekipin. Dua të luaj e më hanë këmbët”, është shprehur Redi Veriu.

Në miqësoren e fundit, trajneri Magani u besoi debutimin në formacion edhe disa lojtarëve të tjerë të rinj. Debutimin në formacion e bëri edhe talenti shijakas, 19-vjeçari Ersi Kapo, që luajti titullar nga minuta e parë. Kjo miqësore i shërbeu Maganit për të testuar mjaft futbollistë të stolit. Fitorja në transfertë ndaj Vorës është sinjali i parë se Besa po vijon të bëjë mirë në prag të sfidave të mbetura të këtij viti. Pas Vorës kavajasit do të udhëtojnë përsëri drejt Tiranës, ku të shtunën do të ndeshen pikërisht me Tiranën. Një miqësore luksi kjo për verdhezinjtë.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"