I dha një pikë Dinamos në derbin me Tiranën, Denison: Uroj të jetë goli i kthesës së madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2023 | 9:00

I dha një pikë Dinamos në derbin me Tiranën, Denison: Uroj të jetë goli i kthesës së madhe

Braziliani ka shënuar në të dy derbet ndaj Tiranës këtë kampionat. Jose Denison Silva dos Santos i dha një pikë të çmuar Dinamos në derbin me Tiranën. Ai shënoi golin e barazimit në pjesën e dytë, ndërkohë që ishte ndër më të mirët në fushë sa i takon lojës.

denison

Futbollisti 25-vjeçar luan sezonin e tretë me blutë, pranoi të qëndronte edhe në Kategorinë e Parë për ta ndihmuar këtë skuadër të rikthehet dhe tani po mundohet të tregojë vlerat më të mira në elitë. Për golin e derbit, i treti për brazilianin deri tani dhe i dyti ndaj Tiranës, ai uron që të jetë goli i kthesës së madhe të Dinamos.

“Sigurisht që jam i kënaqur për golin, sepse dihet situata që po kalonim. Më vjen mirë që kaluam me sukses një ndeshje shumë të vështirë, pasi përballë kishim Tiranën dhe për shumë minuta në pjesën e dytë luajtëm edhe me një lojtar më pak. Nuk ishte aspak e lehtë, por ia dolëm të merrnim pikë, prandaj dhe jam vërtet i gëzuar. Për mua ishte goli i dytë në derbet ndaj Tiranës.

Pjesën e dytë luajtëm më mirë dhe kjo është një shenjë e mirë. Uroj dhe shpresoj që të jetë goli i kthesës së madhe për skuadrën tonë. Kemi pasur vështirësi gjatë javëve të para, edhe pse në disa ndeshje kemi luajtur mirë.

Tani kanë ndryshuar disa gjëra, është ndryshuar stafi teknik dhe shpresoj shumë që në të ardhmen gjërat të shkojnë sa më mirë. Është ajo që e kam thënë edhe më parë për gazetën tuaj, që me kalimin e kohës Dinamo do të shprehet më mirë në fushë. Duke e njohur më mirë lojën e njëritjetrit, sepse jemi një grup i ri, do të rrisim nivelin e lojës dhe rezultatet njëkohësisht.

Tani po fitojmë atë koincidencën në lojë që kam përmendur edhe më parë. Derbi ishte një ndeshje pozitive për ne, për mënyrën si shkoi, por tani të fokusohemi te sfidat e radhës për të marrë pikët që na mungojnë. Besoj se do të jemi më mirë javë pas jave”, tha Denison për “Panorama Sport” pas derbit me Tiranën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"